TIRANË- Kelmend Balili është shtruar në spitalin e burgut të Peqinit për të marrë trajtim mjekësor, pasi ka shfaqur probleme me shëndetin.
Ndërkohë nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore, por ajo që Report tv ka mësuar deri tani është se Balili nuk është ndjerë mirë në burg, prandaj po mjekohet në spitalin e burgut.
Nuk dihet nëse ai është shtruar në spital apo thjesht ka bërë një vizitë dhe më pas është dërguar përsëri në qeli. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në datë 17 tetor të vitit të kaluar, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar me 10 vjet burg Balilin. Pak ditë më parë, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi konfiskimin e pasurive të tij, ku 40% e tyre do 'i kalojnë në pronësi të shtetit. Mes pasurive të sekuestruara ishte edhe "Santa Quaranta", resorti në qytetin e Sarandës, biznese dhe 16 apartamente nga 42.5 m2 deri në 91 m2.
Akuzat që rëndojnë mbi të janë për trafik droge, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe për grup kriminal. 'Eskobari i Ballkanit' dënimin po e vuan në një burg të sigurisë së lartë.
Por kush është Klement Balili? Ai ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja. Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Kelment Balilit. Hetimi ndaj Balilit në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke. Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare.