LEZHË-Firma kontraktore ''Geci'' që mirëmban superstradën Milot-Balldre është vënë nën hetim nga prokuroria e Lezhës, për shkak të problematikës që i krijua në këtë aks rrugor nga reshjet e dëbores të cilat u shoqëruan me ngrica.
Materialet në organin e akuzes janë referuar nga Sektori i Qarkullimit Rrugor dhe Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë për vepren penale "Shpërdorimi i detyrës" me pretendimin se kjo kompani nuk ka marrë asnjë masa për mirembajtjen e këtij aksi rrugor i cili u bllokua plotësisht për disa ora pasditen e së shtunës.
Prokuroria do të administroj dokumentacionin e kontratës që ka kompania "Geci" me Autoritetin Rrugor Shqiptar për të parë nëse ka element të vepres penale. Sot në prokurori është marrë në pyetje një nga inxhenjerët e firmës, pasi sipas burimeve, pretendon se nuk e ka në kontrate ndërhyrjen në raste dëbore, për shkak se është zonë fushore. Gjithsesi pritet verifikimi i dokumentacionit nga prokuroria për të vërtetuar pretendimet e kompanise.
Dhjetra qytetare u bllokuan në superstraden Milot-Lezhë, pasi ky segment rrugor u bllokua nga dëbora mbremjen e 13 shkurtit. Kjo situatë u bë dhe objekt akuzash politike, pasi në këtë rrugë mbeti bllokuar për disa ore dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.