Azem Hajdari

Procesi 'Hajdari' ka nevojë të rigjykohet bazuar mbi motivin e vrasjes

23 Shtator 2020, 21:26| Përditesimi: 23 Shtator 2020, 21:27

  • Share

Ka një ngazëllim pa kuptim, lidhur me lajmin se Prokuroria ka vendosur të thërrasë si dëshmitar në gjyqin ndaj Izet Haxhisë, Sali Berishën, për të dhënë versionin e tij për vrasjen e Azem Hajdarit.

Vrasja e Azem Hajdarit është ende një vrasje e pahetuar dhe gjykuar, pasi është arkivuar si vrasje që nuk i është zbuluar motivi dhe si e tillë, ajo ka përfunduar vetëm me disa emra të dënuar si vrasës fizikë të tij.

Duke qenë një vrasje për të cilën as Prokuroria dhe as gjykata nuk janë shprehur për motivin e saj, ajo është një dosje e nxehtë që duhet rihetuar dhe gjykuar në themel.

Thirrja e Sali Berishës dëshmitar në procesin ndaj Izet Haxhisë, mund të ketë rëndësi për pafajësinë e Izet Haxhisë në vrasjen e Azemit, apo mos marrjen pjesë të tij direkt në ngjarje, por është shpërdorim që ta quash këtë si një dëshmi të Berishës për vrasjen e Azemit.

Nëse vrasja e Azemit nuk hetohet duke u nisur nga motivi i vrasjes së tij, por shikohet si një ngjarje rastësore që ka ndodhur para godinës së PD, ajo nuk do hetohet dhe nuk do gjykohet kurrë.

Në rrethanat që ajo është hetuar dhe gjykuar, ajo ka mbetur si një nga ngjarjet për të cilat jo vetëm nuk është dhënë drejtësi, por që për nevoja të përdorimit politik, është tepëruar me persona që nuk janë përgjegjës për vrasjen e tij dhe janë lënë jashtë persona që kanë nxitur vrasjen e tij.

Fjala vjen, Jaho Mulosmani vuan dënimin e përjetshëm se ishte shofer i vrasësve të provuar. Nuk ka asnjë provë dhe asnjë akuzë që ai ka qëlluar mbi Azem Hajdarin, dhe është dënuar përjetë në burg.

Nga ana tjetër Izet Haxhia është dënuar në mënyrë ekstreme, nën dyshimin që ka ndihmuar vrasësit për t’iu nxjerrë Azemin në pritë, ndërkohë që Berisha, i cili e ka nxjerrë nga zyra në pritë, duke i thënë “dil e përballu me ata që më ke sjellë përara godinës”, akoma s’ka pranuar të dëshmojë.

Azem Hajdari është vrarë nga njerëz që u dihet emri, por është nxjerrë për t’u vrarë nga njerëz që nuk janë gjykuar. Dhe ata njerëz nuk janë gjykuar kurrë.

Rindërtimi i skenës së minutave të fundit, dialogu i Berishës me Hajdarin në zyrën e tij për herë të fundit, dëshmia e Genc Pollos që e përcolli në korridor, telefonata e një miku të familjes së Berishës, B. Daja, që e ka nxjerrë Azemin në rrugë për t’u përballur në pritën e zjarrit, me porosi të Berishës, janë pika kyçe, që kërkojnë një proces rihetimi dhe rigjykimi, nisur nga motivi pse u vra Azem Hajdari.

Dhe për vrasjen e Azem Hajdarit kishte dy palë që ishin të motivuara. Ata që e vranë fizikisht pas përplasjes me të në rrugë, dhe ata që e nxorrën për t’u vrarë.

Ata që e vranë pretendojnë se nuk erdhën për Azem Hajdarin, por për Sali Berishën. Sali Berisha që e nxorri në rrugë, ishte i bindur se Azem Hajdari i kishte sjellë ata atje, për të eleminuar atë.

Finalja ishte që Berisha arriti të prodhojë rrethana të tilla brenda selisë së PD, që të përballte Azemin me ata që ai mendonte se në fakt ishin vrasësit e tij, të thirrur aty nga Azemi.

Ndaj dhe motivi për të cilin është vrarë Azemi ka shumë rëndësi. Ai nuk është vrarë për pazare armësh, siç kanë dashur ta denigrojnë në atë kohë njëra pale, dhe as se kishte ndonjë armiqësi personale.

Ai është viktimë e mosbesimit të thellë reciprok që kishte prej 8 vitesh me Sali Berishën, mosbesim që u ndërthur me një sagë vrasjesh në Tropojë, për të cilat, të dy palët, dyshonin tek njëri- tjetri se mund të përdoreshin për t’u eleminuar. Viktimë u bë Azem Hajdari. Sali Berisha arriti ta nxjerrë në pritë.

Tani ky proces duhet hapur nga themeli për të hetuar motivin që çoi në vrasje të Hajdarit, dhe jo të shpërdorohet në mënyrë të përciptë Berisha me deklarata dëshmitari, sikur nuk ka lidhje me ngjarjen. Kjo është mënyrë për ta varrosur dhe më tej të vërtetën.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?