Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian do të mblidhen në Irlandën e Veriut më 8 tetor nga Britania e Madhe, një takim që i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Londër më 22 tetor.
Takimi në Irlandën e Veriut, në nivel të ministrave të Jashtëm, do të zhvillohet në kështjellën Hillsborough dhe do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm britanik David Lammy.
Pritësi i takimit, ministri i Jashtëm britanik, David Lammy do të mirëpresë mbi 15 homologë të tij në Belfast më 8 tetor, për të udhëhequr bisedimet për të promovuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, për të forcuar sigurinë kolektive të Evropës dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe bandat e trafikimit të njerëzve.
“Kështjella e Hillsborough-ut është një kujtues prekës i fuqisë së diplomacisë për të transformuar konfliktin dhe ndarjen në paqe dhe bashkëpunim afatgjatë. Duke shfrytëzuar përvojën e Irlandës së Veriut, shpresojmë të mbështesim partnerët në Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer sfidat e së kaluarës nëpërmjet pajtimit kuptimplotë dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatshme. Si pjesë e Planit për Ndryshim, kjo qeveri është e angazhuar për forcimin e partneriteteve me Evropën, duke siguruar baza të forta stabiliteti ekonomik, kufij të sigurt dhe siguri kombëtare”, ka thënë ministri britanik.
Sekretarja e Shtetit për Irlandën e Veriut Hilary Benn u shpreh se “përvoja e Irlandës së Veriut për sigurim të paqes nëpërmjet Marrëveshjes të së Premtes së Mirë pas dekadash konflikti ka dhënë një shembull të fuqishëm pajtimi për botën. Kjo ofron një trashëgimi shprese si dhe përvojë praktike që besoj se do të jetë e paçmueshme për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor ndërsa udhëtojnë në një rrugë të ngjashme drejt paqes dhe prosperiteti”.
Britania e Madhe ka intensifikuar angazhimin me vendet e Ballkanit Perëndimor për të zbatuar Planin për Ndryshim, duke përfshirë shkatërrimin e rrjeteve të kontrabandës së njerëzve në kuadër të luftës kundër migracionit të paligjshëm.
*Vendet që do të marrin pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Irlandën e Veriut: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Polonia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar., Danimarka (si Presidencë e BE-së) dhe BE-ja.
Komente
