Angela Merkel

Procesi i Berlinit, nisin ministerialet përgatitore

20 Tetor 2022, 08:09| Përditesimi: 20 Tetor 2022, 08:36

  • Share

Çështje të sigurisë së brendshme dhe të migracionit të paligjshëm do të jenë në fokus të konferencës së parë ministrore të Ballkanit Perëndimor të enjten, më 20.10. në Berlin.

Krahas ministrave të Brendshëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, si Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Sllovenia, Bullgaria, Polonia, Greqia, Kroacia, si edhe Çekia, si përfaqësuese e presidencës së radhës së BE-së, bëri të ditur të mërkurën në Berlin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, Maximillian Kail. E ftuar në takim është edhe komisionierja e BE-së për Çështje të Brendshme, Ylva Johannson.

Më shumë presion ndaj Serbisë

Megjithëse konferenca zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, në fokus të saj priten të jenë flukset e migracionit të paligjshëm, me të cilat përballet aktualisht Gjermania. Rreth 400 imigrantë në ditë kapen nga Policia Federale gjermane duke hyrë në mënyrë të paligjshme në Gjermani, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Kail. Sipas tij, shumica vijnë nëpërmjet Çekisë dhe Austrisë, kështu që ekspertët dyshojnë se këtu luan një rol të madh i ashtuquajturi Itinerar i Ballkanit.

Autoritetet gjermane janë të mendimit se këtu luan rol edhe politika liberale e vizave të Serbisë ndaj 25 shteteve, për qytetarët e të cilëve BE kërkon viza. Kail tha se Gjermania po kërkon që Serbia ta ndryshojë sa më shpejt politikën e vizave: "Serbia ka thënë se do ta ndryshojë këtë në fund të vitit, por për ne ka rëndësi që kjo të ndodhë sa më shpejt”, tha zëdhënësi.  "Shtetasit e 25 vendeve që nuk lejohen të udhëtojnë pa vizë në BE, mund të hyjnë pa vizë në Serbi, dhe ky është një shkak për rritjen hyrjeve të paligjshme.”

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, shumë syresh kërkojnë azil në Gjermani, e cila vetë po përballet me një fluks të madh refugjatësh nga Ukraina: "Situata e refugjatëve në Gjermani është shumë e tensionuar. Mbi një milionë kanë ardhur nga Ukraina, prandaj edhe duam ta luftojmë fenomenin e migracionit të paligjshëm”, tha zëdhënësi i ministrisë. Sipas ministrisë gjermane të punëve të brendshme në takim do të flitet edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Tre marrëveshje të reja?

Në fakt, shkaku kryesor i mbledhjes së ministrave të Punëve të Brendshme është përgatitja për Samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të zhvillohet më 3 nëntorit në Berlin. Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron që t'i japë një impuls të ri nismës së kancelares Angela Merkel. Procesi i Berlinit synon të avancojë afrimin e shteteve me BE-në, duke kontribuar në përmirësimin e situatës ekonomike dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Po në kuadër të Procesit të Berlinit, të premten, më 21.10. 22 do të zhvillohet, në të njëjtin format konferenca e ministrave të jashtëm. Sipas zëdhënësit të ministrisë gjermane të punëve të jashtme, Christofer Burger, takimi i ministrave të jashtëm ka të bëjë veçanërisht me marrjen e hapave konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me synimin për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.” Tema të tjera përfshijnë sigurinë energjetike dhe axhendën e përbashkët të gjelbër. Dy tema këto që do të trajtohen edhe në ministerialin e tretë të ministrave të energjisë, në të njëjtin format, të hënën, më 24.10. po në Berlin.

Sipas burimeve të DW nga qarqe të ndryshme diplomatike, shpresohet që në këtë samit të arrihet progres për së paku tre prej katër marrëveshjeve të dakordësuara që në Samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020: Lëvizja e lirë me karta identiteti e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave të shkollave të larta, si edhe njohja e kualifikimeve për tri profesione, mjekët, stomatologët dhe arkitektët. Marrëveshja e katërt, e cila synon të rregullojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga vende të treta, por që janë rezidentë në rajon, sipas burimeve, ka nevojë ende për dakordësim.

Marrëveshja e vetme e dalë nga Procesi i Berlinit dhe që ka sjellë rezultate të dukshme, është ajo e heqjes së tarifave roaming mes vendeve të rajonit. Marrëveshjet e tjera kanë dështuar sidomos për shkak të faktit që dy vende të rajonit, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Paralelisht me konferencat në nivel ministror, po zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera të shoqërisë civile./DW

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?