Pyjet e shumta me pisha, e bëjnë fshatin Gjinar të Elbasanit një ndër më të preferuarit nga vizitorë vendas dhe të huaj, por nëse nuk ndërhyhet, nuk do të jetë më kështu. E gjithë sipërfaqja me pemë, është prekur nga insekti i procesionares që i çon ato deri në tharje.
Eksperti i Mjedisit Ahmet Mehmeti thotë për Report Tv se për të reduktuar këtë sëmundje zgjidhja është shumë e thjeshtë dhe bën thirrje që të ndërhyhet sa më shpejt.
“Metodat nuk kanë dhënë efekt, janë harxhuar paratë kot. Duhen metoda biologjike. Është një metodë me “Bacil tyrigenc”, por është i kushtueshëm. E gjithë sipërfaqja e republikës është prekur. Më shumë zona e pishës së zezë. Edhe zona tjetër kapet masivisht, sa të jep përshtypjen se ka rënë zjarr i madh. Plus që prish dhe peizazhin. Ndaj duhet të vihet dorë. Dorë me zgjuarsi. Colasoma është efekti numër një”, tha Ahmet Mehmeti, Ekspert Mjedisi.
Kjo sëmundje prek kryesisht pishat e zeza, por kohët e fundit janë dëmtuar edhe ato mesdhetare.
“Procesionarja, është një insekt që dëmton halat e pishave dhe sidomos pishat e zeza. Kohët e fundit ka dëmtuar dhe pishat mesdhetare në zonë më të ulet. Si insekt, ul rritjen vjetore, për sa i përket drurit. Nga ana ekologjike, duke hequr halat ndikon në prodhimin e oksigjenit”, tha Mehmeti.
Jo vetëm në Gjinar, por në të gjitha sipërfaqet pyjore procesionarja është bërë një problematikë shqetësuese, që kërkon zgjidhje sa më të shpejt, në të kundërt numri i pemëve në vijim do të ketë ulje të ndjeshme.