TIRANË- Zef Brozi ka qenë kryetari i parë i Gjykatës së Kasacionit të Shqipërisë demokratike, sot Gjykata e Lartë. Në seancën plenare të 23 shtatorit 1993, Kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, lexoi një propozim të Presidentit Sali Berisha për të emëruar Zef Brozin kryetar të Gjykatës së Kasacionit. Brozi në atë kohë ishte deputet i PD, ndërsa në vitin 1990 ishte pjesë e lëvizjes studentore dhe një ndër përfaqësuesit që u dërguan për të negociuar me presidentin Ramiz Alia. Për kandidaturën e Brozit, Moikom Zeqo, në atë kohë deputet i PS-së, u shpreh se “Jam i bindur që z. Brozi është njeri i ndershëm dhe duke qenë i ndershëm, do të dijë të gjejë pozicionin e vet në këtë post tepër të lartë”.
Paqja mes Brozit dhe Sali Berishës zgjati më pak se dy vjet. Në javët e para të vitit 1995, Sali Berisha hodhi në veprim ushtarin e tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme Alush Dragoshin dhe disa deputetë të PD, të cilët i kërkuan Kuvendit t’i hiqte imunitetin Zef Brozit, për ta arrestuar. Në 1 shkurt 1995, Kuvendi futi në fshehtësi në rendin e dietës kërkesën për t’i hequr imunitetin Brozit, pas një akuze të Prokurorit të Përgjithshëm, Alush Dragoshi, bazuar në disa çështje procedurale dhe në disa ankesa të sajuara. Njërën nga ankesat e kishte bërë Avni Shehu, të cilin Berisha më pas e emëroi në vend të Brozit, pasi arriti të shkarkonte këtë të fundit.
Heqja e imunitetit ishte një kërcënim i hapur që Sali Berisha po i bënte Zef Brozit, pasi ky i fundit, nga procesverbalet e diskutimeve, duket se nuk u ishte bindur urdhrave politikë të Berishës si dhe nuk kishte pranuar ndërhyrjet e Berishës për të diktuar vendimet e gjykatave. Tre vjet më parë, në 1992, Berisha kishte shkarkuar me një telefonatë edhe kryeprokurorin Maksim Haxhian, vetëm 4 muaj pasi e kishte emëruar, duke e zëvëndësuar me Dragoshin.
Por, këtë radhë, Kuvendi bëri rezistencë. Gjatë votimit të fshehtë, shumica e deputetëve votuan kundra heqjes së imunitetit të Zef Brozit, duke e shpëtuar përkohësisht nga hakmarrja e Berishës. Sipas shumicës së deputetëve akuzat e kryeprokurorit Alush Dragoshi ishin të pabaza dhe nuk justifikonin heqjen e imunitetit. Dragoshi ishte emëruar nga Berisha pasi shkarkoi Maks Haxhinë. Dragoshi kishte drejtuar procesin e arrestimit të Fatos Nanos, proces i cili më vonë u hodh poshtë nga gjykatat si politik.
Megjithatë, Sali Berisha arriti ta shkarkonte Zef Brozin si kryetar të Gjykatës së Kasacionit disa muaj më pas, në vjeshtën e vitit 1995, ndërsa e kishte rrethuar me njerëzit e SHIK me në krye Bashkim Gazideden, polici dhe prokurori. Për t’u shpëtuar kërcënimeve, Zef Brozi u detyruar të arratiset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kërkonte strehim politik. Berisha arriti ta shkarkonte Brozin natën e 21 shatorit 1995 përmes falsifikimit të votimit në Kuvend, pasi nga votimi datës 1 shkurt kishte kuptuar se nuk e kishte shumicën. Me 12 nëntor, Zef Brozi, bashkë me familjen, nën kudesin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, u arratis nga Rinasi.
Diskutimet në Parlament rreth përpjekjeve të Berishës për të arrestuar Zef Brozin
-Perikli Teta: Unë nuk mendoj se mund të ketë shtet, të paktën në Evropë, që të ngrihet titullari i Gjykatës së Kasacionit, i institucionit më të lartë të drejtësisë dhe të deklarojë: “Po vdiqa unë, më ka vrarë Agron Musaraj.” Dhe shteti të heshtë. Nuk e besoj që të ketë shtet në dynja, zoti Pjetër. Gjithashtu nuk e besoj që të ketë shtet ku prokurori i Përgjithshëm të kërkojë heqjen e imunitetit, kur ai nuk kupton dot se kujt i thonë imunitet, sipas kërkesës që ka bërë. Që të kërkojë Zef Brozi dhe të deklarojë nga dita në ditë që dy zëvendësit e tij qenkan hajdutë xhepash, vjedhës borderosh, vjedhës dietash. Ne kemi votuar për këta njerëz dhe kjo nuk na nderon si Parlament. Mendoj se duhet të bëjmë një debat për organet e drejtësisë dhe ta themi mendimin tonë patjetër.
-Halil Lalaj: Më duket që futja në rendin e ditës e një çështjeje të tillë dhe mendoj se këtu duket sikur është paravendosur, më duket më shumë se e dyshimtë, e shoh si një shkelje.
-Pjetër Arbnori: Kush është për futjen në rendin e ditës të problemit për heqjen e imunitetit të z. Zef Brozi? Miratohet futja në rendin e ditës me 57 vota pro, 28 kundër, 9 abstenime.
-Zef Brozi:...Në emër të mbrojtjes së të vërtetës; në emër të mbrojtjes së ligjeve që ka miratuar ky Parlament; në emër të mbrojtjes së demokracisë nga dhunimet që mund t’i bëhen nga individë të veçantë; në emër të mbrojtjes së ligjeve nga veprimet arbitrare që mund të bëjnë secili, por që duhet të përgjigjet; në emër të së vërtetës, i them Parlamentit që, të mos hapim një precedent të rrezikshëm për të hequr imunitetin, pa pasur asnjë bazë ligjore, sepse akuza është thjesht një pretekst, edhe unë jam gati të ballafaqohem me prokurorin e Përgjithshëm, i kam vajtur dhe në zyrë. Unë kërkoj nga juve që të mbrojmë të vërtetën. Po u mbrojt e drejta dhe ligji, Zef Brozit nuk i hiqet imuniteti, po u mbrojt pavarësia e gjykatave, atëherë unë them se unë kam qenë, jam dhe do të jem ndër ata gjyqtarë që do të luftojnë për respektimin e Dispozitave Kushtetuese dhe të ligjit, për mendimin e pavarur të gjyqtarit në dhënien e vendimeve gjyqësore. Unë besoj te vota e lirë e deputetëve, sepse pavarësia e gjyqtarit dhe e gjykatës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe pushtetarëve. Pa një pushtet gjyqësor të pavarur, nëse iu referohemi konventave ndërkombëtare, por edhe Dispozitave tona Kushtetuese, nuk mund të kemi një demokraci të garantuar për këto, për çdo individ. Të nderuar deputetë, jam i gatshëm t’u jap përgjigje pyetjeve me aq sa di, me gjuhën e ligjit, pa pasione dhe këtu do të them se: po të ishte thjesht për Zef Brozin e kisha zgjidhur edhe ndryshe, por qëndrimi i sotëm i Parlamentit do të jetë një shprehje sinjifikative për të sotmen, për të ardhmen, për mua, për juve, për të gjithë shqiptarët. Faleminderit shumë! Kam diçka: Do të ishte normale që pyetjet të m’i bëni me shkrim secili dhe unë, për korrektësi, t’i marr ose si ta çmoni ju. Unë kam qenë këtu deputet, por sot respektoj dhe kam respektuar gjithmonë mendimin e lirë të deputetëve.
-Ylli Vejsiu: ...duke i hequr imunitetin kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, ne as gjykojmë, as nuk paragjykojmë, as ngarkojmë me faj, as inkriminojmë njeri, përkundrazi kryejmë vetëm detyrën tonë, duke i hapur rrugën trajtimit të një çështjeje që vetëm ne po e mbajmë të bllokuar... vendimi i heqjes së imunitetit është akti minimal dhe më i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje një çështjeje, që sa më shumë kalon koha, aq më tepër rëndohet me ngarkesa anësore dhe aq më shumë komplikohet me ngjyrime të paqena.
-Moikom Zeqo: Koha do të tregojë se nxitimet dhe urdhrat politikë jashtë Parlamentit janë të dëmshëm dhe asfiksues për demokracinë e vërtetë. Jehona, zotërinj, do të jetë tepër e madhe dhe e pashmangshme, brenda dhe jashtë vendit. Koha do t’i korrigjojë marrëzitë tona, por viktimat nuk mund të ngushëllohen nga kjo. Asnjë kambanë nuk bie për një njeri të vetëm. Jeta jonë sociale dhe politike për respektimin e ligjeve kushtetuese është si një gjuhë e folur pa gramatikë. Gramatika jonë morale dhe ligjore është shkatërruar. Pra, gjuha jonë është e paartikuluar nga logjika, por nga antilogjika. Çështja Brozi, është tepër e thjeshtë. Është ndeshja politike Brozi – Berisha, midis ligjit dhe politikës. Duke e ndaluar që të mos hyjë sot në Parlament zotin Brozi, çështja “Brozi” fatalist është paracaktuar. Po nuk u kuptua kjo gjë, atëherë çdo votim është vetëm lëvizje mekanike, buton.
-Petrit Kalakula: Po bëhet një garë e shfrenuar për të influencuar deputetët. Nga prokurori i Përgjithshëm nuk kam parë asnjë material serioz, përveç një kërkese formale të thatë, që ma vunë sot me ngut në tryezë. Unë nuk shoh arsye të motivuara për t’u marrë Parlamenti me këtë çështje të sajuar artificialisht.
-Skënder Gjinushi: ...qëllimi është vënia e gjykatave nën kontrollin e politikës, si një mjet tepër efikas në luftën kundër kundërshtarëve politikë. Këtë e lidhim me dy ngjarje, për të cilat Parlamenti është shumë në dijeni, sepse ka qenë edhe ai një ndër promotorët: Së pari, debati që u hap në shtyp dhe kontradiktat që lindin midis zotit Zef dhe organeve të policisë dhe që ne nuk u vajtëm deri në fund, madje s’është mbledhur asgjë për to. Së dyti, edhe për projektkushtetutën, gjatë referendumit, neni 125 i së cilës parashikonte pikërisht ndryshimin e menjëhershëm të Gjykatës së Kasacionit dhe të Gjykatës Kushtetuese, sapo të vinte në fuqi Kushtetuta e re. Pra, të gjitha këto tregojnë që ka një tendencë për t’i vënë nën kontroll këto organe. Populli i tha “jo” atij projekti, pra s’u bë e mundur, atëherë po zgjidhen rrugë të tjera. Rrugët e tjera janë presion mbi Gjykatën Kushtetuese që çoi në dorëheqjen e tre pre tyre, presion mbi kryetarin e Gjykatës së Kasacionit, në pamundësi që të japë dorëheqjen, kërkohet heqja e imunitetit. Përfundimisht, mendoj se heqja e imunitetit të z. Zef Brozi, do të shënonte fundin e pavarësisë së gjykatave në Shqipëri, do të komprometonte rëndë imazhin e Shqipërisë, të sistemit të saj demokratik dhe do të ishte një falimentim i Parlamentit para politikës.
-Gramoz Pashko: ...Më vjen shumë keq, gjithashtu për ju zoti Kryetar, për gabimet e rënda që bëtë sot. Por është puna juaj sesa do të jeni në gjendje të nxirrni veten të larë. Sot, në seancën, ndoshta më jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri, nuk u lejua të transmetohej në televizor. Sot paradite nuk u lejua përdhunisht, kryetari i Gjykatës së Kasacionit të hynte në sallë, kur seanca zhvillohej për të si titullar dhe si njeri. Sot nuk u lejua t’i bëheshin pyetje kryetarit të Gjykatës së Kasacionit që ne të sqaroheshim dhe deputetët të kishin informacionin e duhur për të vendosur si do të votonin dhe këto ju rëndojnë juve dhe ju rëndojnë shumë. Megjithatë, përsëri s’ka rëndësi. Më shumë se te ju këto rëndojnë në ata njerëz në Grupin e Partisë Demokratike, të cilëve u ka mbetur një fije ndërgjegje dhe që heshtën, bënë sikur nuk dëgjuan, bënë sikur nuk panë.... Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, për fat një ditë kuptoi, nuk dua të zgjatem se kush është ai, se nuk duhet të ishte vegël e absurditeteve të tilla. Ai kuptoi se duhet të ruante pavarësinë e tij në gjykim. Ai kuptoi se nuk ishte palë së bashku me Prokurorin, siç është në shumë gjyqe, por ishte një gjyqtar i paanshëm si në luftën ndaj krimit, ashtu dhe ndaj shtetit kur dhunon lirinë e individit. Megjithëse zoti Brozi e kuptoi vonë, prapë se prapë kjo mbetet merita e tij....
-Rushen Golemi: Heqja e imunitetit nuk presupozon fajësi ose pafajësi sepse nuk është detyra jonë ta bëjmë këtë. Ajo i jep mundësi drejtësisë të veprojë konform ligjeve, në mënyrë të pavarur, siç e duam të gjithë ne besoj edhe vetë zoti Brozi që është në krye të kësaj drejtësie.
-Abdi Baleta: ...Kundër Zef Brozit është ngritur akuzë e pabazuar në ligj, e pambështetur në prova me vlerë juridike por, akuzë me dyshime, paragjykime e prapamendime. Zef Brozit, më së shumti, për ato që akuzohet mund t’i vihet në dukje se ka treguar një mungesë profesionalizmi të shkallës së lartë, ka treguar pasaktësi në kuptimin e përsosmërisë së veprimeve të natyrës administrative, por kurrsesi nuk mund t’i paraqitet akuzë për kryerjen e veprës penale. Në veprimet e kryetarit të Gjykatës së Kasacionit jo vetëm që nuk elemente të figurës së krimit të shpërdorimit të detyrës, parashikuar në nenin 6 të Kodit Penal, por as elemente të një qëndrimi të pakujdesshëm në detyrë...
-Arben Imami: Dallimi midis sistemeve diktatoriale dhe atyre demokratike qëndron te konstitucionaliteti, te kushtetutshmëria, pra, respektimi i Kushtetutës. Pa një respektim të Kushtetutës nuk mund të ketë një shtet demokratik, më pëlqen apo nuk më pëlqen, e dua apo nuk e dua Zef Brozin. Unë nuk e dua Zef Brozin fare, por kur nuk shkel Kushtetutën, nuk e bëj këtë gabim fatal për shkak se nuk e dua Zef Brozin. Unë e dua ta bëj kryetar të Kasacionit Zef Brozin, por jo duke shkelë Kushtetutën. Problemi themelor, sipas mendimit tim, është se me këtë hap, ne Parlamenti shqiptar, po legalizojmë përfundimisht shkeljet konstitucionale që janë bërë në këto dy vjet e gjysmë, të paktën që nga heqja e Maks Haxhisë, si prokuror i Përgjithshëm. Këtu është rasti për të kujtuar, të nderuar deputetë të shumicës, se cili është fati i atyre që votojnë kundër Kushtetutës. Ky fat ju pret të gjithëve me radhë, ta dini mirë.
-Musa Ulqini: ...Unë nuk mbroj zotin Brozi, unë mbroj pavarësinë e pushtetit gjyqësor, institucionin e Gjykatës së Kasacionit. Gjithçka ndodh sot me kryetarin e Gjykatës së Kasacionit, me dy fjalë shkurt, duhet përkufizuar si shprehje e presionit të jashtëzakonshëm të pushtetit politik mbi pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ky presion është kaq i fuqishëm, saqë i detyroi të pestë anëtarët e Gjykatës së Kasacionit, disa nga të cilët unë i njoh si juristë të zotë të shprehen në kundërshtim me statusin e tyre ligjor. Çështja “Brozi”, më shumë se çështje juridike, është çështje politike. Me sa duket, ata që janë në krye në pushtet kërkojnë të vazhdojnë të mbajnë nën diktat pushtetin gjyqësor....
-Safet Zhulali: ...Këtu ka diçka që ne duhet ta shikojmë mirë. Pas lajmërimit të prokurorit, zoti Zef Brozi bëri shkatërrimin e personalitetit të tij, duke shkatërruar në një farë mase institucionin e tij dhe duke akuzuar tërë institucionet e tjera të shtetit. Detyra jonë është që t’i mbrojmë këto institucione, të cilat janë të reja dhe patjetër duan shumë punë të konsoliduar. Në këtë rast, i pari njeri që duhet të ketë besim te drejtësia dhe te kolegët e tij,duhet të jetë titullari i këtij institucioni, por ai nuk ka besim as te drejtësia, as te institucioni, duke shfaqur një krizë të personalitetit. Shpëtimin kërkon ta gjejë me mjete politike, duke kërkuar ndihmë në një mënyrë krejt të gabuar, duke u munduar ta implikojë edhe shtetin dhe veç kësaj kjo krizë shkon aq larg, sa ai i jep të drejtën vetes të paragjykojë gjyqe që vijnë më pas se çfarë vendimesh do të jepte, në qoftë se ai do të lihej i lirë në këtë post, që është një shpërdorim shumë i rëndë, sepse për një anëtar të drejtësisë nuk lejohet t’i paragjykojë çështjet para gjykimit...
-Skënder Gjinushi: Përfundimisht, duke dëgjuar dhe gjithë diskutantët, grupi ynë mendon se vetë çështja që është në bazë të kësaj historie, lidhet me një të pafajshëm që, në fund të fundit, ka marrë të drejtën e vet, që zoti Brozi ka kryer vetë detyrën dhe s’ka bërë shkelje ligjore, madje as procedurale, se ligji ka boshllëk me heqjen e imunitetit. Ne nuk pajtohemi plotësisht me mendimin e Gjykatës së Kushtetuese dhe Parlamenti ka shkelur procedurat në zhvillimin e kësaj seance, sidomos për sa i takon pyetjeve. Problemi është paragjykuar dhe kjo na duket shumë serioze që gjashtë anëtarë të Gjykatës së Kasacionit janë shprehur tashmë për çështjen, rrjedhimisht ne nuk i hapim rrugë drejtësisë kështu, por i hapim rrugë padrejtësisë. Problemi është politizuar nga të dy krahët, sepse përplasjet dhe debatet kanë filluar shumë më parë, dhe tendenca për të kontrolluar gjykatën është shprehur edhe gjatë referendumit dhe në projektkushtetutë. Kjo tregohet edhe nga shumë diskutantë, të cilët thonë që, në qoftë se do të jepet dorëheqja, atëherë çështja mbyllet, duke ngatërruar dorëheqjen, pra paaftësinë, inkompetencën me implikimin në një çështje penale, është tjetër gjë të japësh dorëheqjen dhe tjetër gjë të shkosh para gjyqit, këto s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Përfundimisht, duke u nisur nga të gjitha këto, jemi kundër heqjes së imunitetit të zotit Zef Brozi. Ftojmë të gjithë deputetët që të mos ta lejojnë një shkelje të tillë kaq flagrante.
-Pjetër Arbnori: Hapni votimin e fshehtë! Të mos flasë asnjeri në kohën e votimit.
Hapet votimi i fshehtë për heqjen e imunitetit të kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, zotit Zef Brozi. Kush është për heqjen e imuniteti shënon “po”, kush është për “jo” shënon “jo” dhe kush është për “abstenim”, shënon “abstenim”. Votimi mbyllet. Nuk pranohet heqja e imunitetit të kryetarit të Gjykatës së Kasacionit. Seanca mbyllet.
Në vitin 1995 i kam dhënë dorën këtij plehut, Berishës. Edhe sot e kësaj ditë më duket sikur më qelbet dora...
PërgjigjuDmth "heroi" i kasacionit Brozi u perball per drejtesine me kriminelin Berisha. Me terhoqi vemendjen pjesa e pare, kur thuhet qe Brozi nga deputet i PD u emerua prej Berishes ne kreun e kasacionit. E frikshme. Se si mund te emerohesh ne poste te larta gjyqsore vetem pse i do qefi nje interesi politik. Nje individ qe pranon nje gje te tille te mos e quaje veten shenjt. Se paku eshte thelbesisht i mpleksur ne imoralitet shteteror. I pelqeu kur Berisha e emeroi por nuk i pelqeu kur Berisha donte me e heq. Wtf
Përgjigjupa rase te lexoja permbatjen e diskutimeve te deputeteve, lexova ne fillim emrat e tyre qe kishin diskutuar. nuk gabova te perceptimi i linjes qe kishte mbajtur secili. e dija qe Zhulali, Rushen Golemi, Ylli Vejsiu do te ishin pro heqjes se imunitetit. njerzit qe kane integritet jane dhe mbeten te tille te tjeret
PërgjigjuMe ben pershtypje cilesia e mendimeve te shprehura dhe debati i zhvilluar,shume me lart se debatet dhe mendimet qe shprehin politikanet e sotem.Sidomos, po te vihet re qe shprehja politike ishte ne hapat e saj te para.
Përgjigju