Johann August Zeune (1778-1853) ishte një gjeograf i njohur gjerman i periudhës së pozitivizmit, por i shkaktoi – ndoshta pa dashje – një dëm kulturor dhe madje sot politik rajonit të Europës juglindore në të cilin ne jetojmë.
‘Gadishull Ilirik’: ky ishte emërtimin i lashtë që kishte trashëguar rajoni ynë prej Antikitetit dhe Mesjetës së hershme. I ngulitur prej autorëve që shkruanin nga Roma, ky emërtim dëftonte se Gadishulli nuk përbënte gjë tjetër pos se Ilirikun sipas idesë administrative romake.
Ai dijetar i madh që qe frëngu Élisée Reclus (1830-1905), në veprën e tij enciklopedike ‘Njeriu dhe Toka’ në 6 vëllime e përshkruante qartë në rrafshin historik ndërkohën kur romakët u shfaqën “dans la Péninsule illyrique” (v. II, f. 100). Me pushtimin e tij prej romakëve, ai u quajt ndonjëherë edhe ‘Gadishull romak’, sikurse me zhvendosjen e kryeqytetit të Perandorisë nga Roma në qytetin e Bizantit (Bizant gjatë Antikitetit ishte emri i qytetit që do të bëhej Kostandinopojë) ndeshet edhe ndonjë rast që të emërtohej nga të huajt ‘Gadishulli Bizantin’. Ka qenë fjala, pra, në ato kohë për emërtime politike më shumë se historike.
Ndikimi i ideve gjeografike të Humboldtit dhe të Ritterit, prej fillimit të shek. XIX, i dha shkas prirjes për t’i zëvendësuar ndarjet politike ose historike në studimin e viseve të ndryshme të botës me ndarje të bazuara në ‘fakte natyrore’. Ndër të parapëlqyerit për emërtimet e reja rezultuan, atëherë, vargmalet. Të përfytyrohet tani se ç’ndodhte me Gadishullin tonë, të cilit së paku deri në mesin e shek. XIX tiparet fizike gjeografët nuk ia njihnin mirë.
Prej kohëve të Strabonit dhe të Ptolemeut në hartat gjeografike të bazuara mbi ta, si dhe në botimet e gjeografisë, shenjohej ose përshkruhej një vargmal që kinse e përshkonte Gadishullin tonë pa ndërprerje nga perëndimi në lindje, nga Alpet në Detin e Zi. I përfytyruar kësisoj, ai mund të vërehet ende sot, impozues e i frikshëm, në ndonjërën nga hartat e hartuara simbas Gjeografisë së Ptolemeut ose edhe në itinerarin roman të rrugëve ‘Tabela Peutingeriane’.
Ky ‘Vargmal Qendror’, i trashëguar nga përfytyrimi i gjeografëve helenë, ndante jugun e Gadishullit (Greqi, Maqedoni, Trakë dhe një pjesë Ilirie) nga veriu i tij, i cili qenkësh ‘ana e borës’, d.m.th. vis ku bora zë borën dhe bën gjithnjë acar. Për kërshëri, në ‘Nona Evropae Tabvla’ të Ptolemeut mund të dallohet se si, në këndin verior të përftuar nga kthesa drejt Alpeve e ‘Vargmalit Qendror’ të ardhur nga Lindja, shenjohet Dardania. Gjithnjë sipas përfytyrimit të lashtë helen, te viset në veri të ‘Vargmalit Qendror’, ku ndodhej edhe Dardania, ishte me rrezik të kuturiseshe: atje banuakëshin ‘barbarët’, d.m.th. ata që nuk flisnin helenishten. Vargmali përbënte kështu një ledh natyror mes ‘veriut të egër’ dhe ‘jugut të qytetëruar’.
Gjatë Rilindjes europiane vargmalin në fjalë e mbiquajtën edhe ‘Catena Mundi’, d.m.th.: Zinxhirët e Botës. “Ka aty male të mëdha, të quajtura ‘Catena Mundi’, të cilat i qarkojnë këto vende dhe kanë kalime të pakta që të mund të kapërcehen, të gjitha të mbrojtshme, sa me pak njerëz mund të pengohej e gjithë fuqia e botës që të mos hynte dot në Arbëri”, përshkruante Anonimi arbër (me gjasë kalorësi Tomë Plezha) në projektin e tij çlirimtar paraqitur ‘Madhërisë së Tij Katolike’ mbretit të Spanjës më 1595.
Në Kohën e re tiparet kryesore të gjeografisë fizike të Europës erdhën duke u njohur gjithnjë më mirë, mirëpo hartografët vijonin ta shenjonin nëpër hartat e tyre të Gadishullit këtë farë Vargmali të stërmadh e të pandërprerë, të cilin në vërtetë pak ose aspak e kishin parë në vend. Tanimë niste e bëhej dallimi mes pjesëve të tij: me emërtimin vendor Scardus njihej pjesa qendrore, me Haemus ose Orbelus pjesa që shkon deri në Detin e Zi, ndërsa pjesa që nga Scardus-i vjen e bashkohet me Alpet u quajt Albanus Mons ose Peones Alpes. Qenë, gjithsesi, emërtesa të lëvizshme e të ndryshueshme nga njëri hartograf te një tjetër. Vetëm kur udhëtarë si një Ami Boué apo Viquesnel, në gjysmën e parë të shek. XIX, u vunë ta shkelnin vetë ‘visin kërshëror’ zbuluan papritmas se Vargmali impozues nuk ekzistonte dhe se ‘Catena Mundi’ paskësh qenë një fantazi hartografësh e gjeografësh që kishin gabuar shoqi-shoqin për shekuj me radhë.
Që ky zbulim i rëndësishëm të pranohej dhe të shtihej në përdorim do të duhej ende kohë. Zakoni i mbrapshtë i hartografëve tradicionalistë për të prodhuar harta sipas hartave, dhe jo sipas hulumtimeve të drejtpërdrejta në terren të tipareve fizike të një treve, bënte punën e vet. Po të shfletosh sot koleksionet hartografike të Gadishullit tonë, ‘Zinxhirët e Botës’ mund t’i ndeshësh të vizatohen ende si të tillë deri më 1870-n. Ky përfytyrim i gabuar i një ‘Vargamali Qendror’ u bë shkas edhe për emërtimin e sotëm të Gadishullit si ‘Ballkan’.
Pjesa lindore e ‘Vargmalit Qendror’, siç e kujtova, në Kohën e re mbante emrin e Hemit: Haemus. Ajo ishte njëkohësisht edhe pjesa më pranë Kostandinopojës, ndaj dhe më e përmendura prej shkrimtarëve bizantinë. Në fillim të shek. XIX, kur rajoni ishte ende pjesë e Perandorisë osmane, udhëtarët dhe eksploratorët, sikurse qenë edhe Ami Boué-ja ose Viquesneli, pyesnin për emrin e atij segmenti të vargmalit dhe mësonin se në gjuhën “e vendit” ai quhej ‘Ballkan’. Duke u nisur gjithnjë nga konceptimi i rrejshëm i ‘Vargmalit Qendror’ dhe duke e pandehur emrin e segmentit malor për tërë vargmalin, gjeografi i përmendur Zeune në veprën e tij ‘Orvatje për një përshkrim shkencor të Tokës’ (Berlin 1811) e quajti gjithë Gadishullin ‘Ballkan’: Balkanhalbinsel nga Haemushalbinsel: “der Balkan oder der Haemus” (f. 55 dhe vij.). Ky quhet pagëzimi i rajonit tonë si ‘ballkanik’.
Në historinë konceptuale të Europës ky rast ia vlen të kujtohet, madje duke qëndruar mbi të. Nga njëra anë, emërtimi i Gadishullit sipas njëfarë ‘Vargmali Qendror’ ishte pa ndonjë bazë, përderisa vetë ekzistimi i këtij vargmali rezulton fantazi hartografësh ose gjeografësh: ishte një lajthitje e trashëguar nga njohuritë e kufizuara të Antikitetit. Nga ana tjetër, as vetë emri ‘Ballkan’ në vend të atij ‘Haemus’ nuk është i saktë, pasi ‘Ballkan’ në turqishte do të thotë thjesht “mal”. I pari Konica u tall: “Malet Ballkan do të thotë pra malet Mal”.
Një pjesë banorësh vendës edhe në kohën tonë vijojnë të quajnë ‘Ballkan’ pjesën lindore të Hemit të lashtë, d.m.th pjesën më të ulët dhe më të parëndësishme të tij, ndërsa sllavët e quajnë atë ‘Mali Plak’: Stara Planina. Një prej gjeografëve kritikë të Zeunes me shokë ka qenë i mendimit që Ami Boué-ja dhe eksploratorët e tjerë ta kenë dëgjuar këtë emër, ‘Ballkan’, prej shoqëruesve të tyre turq jo vetëm për Haemus-in, por edhe për pjesën qendrore dhe perëndimore të vargmalit, ngase turqit e quajnë çdo mal ‘ballkan’ kur nuk ia dinë emrin. Kështu emri që do të duhej të shenjonte pjesën e një vargmali iu mëvesh gabimisht të tërës: ky ishte gabim i periudhës turko-osmane.
Afërmendsh që ishte gabim trashanik. Por z. Zeune e kishte lëshuar proçkën dhe i qe kthyer fushës së tij të dashur, oftalmologjisë, duke drejtuar institucionin për të verbrit, që kishte krijuar, si dhe duke dhënë mësim gjuhën dhe letërsinë gjermane. Mirëpo – vini re! – etiketa e Ballkanit, fryt i trillit rastësor të një dijetari të keqinformuar, i ka mbetur edhe sot e gjithë ditën rajonit të Europës juglindore në të cilin jetojmë. Konica, që e konstatoi situatën anormale, u detyrua të saktësonte: “Ballkani u popullarizua në brezin tonë prej gazetarësh të cilëve u pëlqeu ky emër, ndoshta prej tingëllimit të tij të pazakontë” (f. 6). Dhe veprën e vet postume, ku bënte edhe këtë kritikë, ai jo më kot e titulloi pikërisht “Shqipëria: kopshti shkëmbor i Europës juglindore’.
Kishte autorë që vijuan të ngulnin këmbë në emërtimin e vjetër. ‘Gadishulli ilirik’ e quante anglezi Edward Stanford në punimin e tij ‘Hartë etnografike e Turqisë së Europës dhe e Greqisë, si dhe Kujtesë për ndarjen e sotme të racave në Gadishullin ilirik’ (1877). Po ashtu edhe Iskender de Malkhazouny në ‘Pansllavizmi dhe Çështja e Lindjes: ese mbi vendosjen e sllavëve jugorë në Gadishullin ilirik etj.’ (1898). Kështu edhe të tjerë deri në fillim të shek. XIX.
Por shkolla gjermane, athua e magjepsur prej emërtimit fantastik të z. Zeune, ngulmoi në emërtimin e tij derisa edhe në repertorin emërmadh ‘Meyers Großes Konversations-Lexikon’ të shënohet “Gadishull Ilirik (Illyrische Halbinsel) përcaktim i pamjaftueshëm për Gadishullin Ballkanik (Balkanhalbinsel)” (762).
Qortimit të këtij gabimi konceptual, dhe mundësisht ndreqjes së tij, i shërbeu orvatja e një grupi gjeografësh po gjermanë në fillim të shek. XX për emërtimin e Gadishullit si Südost-europäische Halbinsel, d.m.th. Gadishull i Europës juglindore. Edhe pse emërtimi i saktë mund të quhet i ngulitur shkencërisht prej veprës autoritare të Nikolla Jorgës ‘Ç’është juglindja europiane?’ (1940), qëndresa e ‘Ballkanit’ amator vijon ende e fortë përkundrejt shkencores ‘Europë juglindore’.
Kështu pati ndodhur që, për shkak të proçkës së z. Zeune, t’i mbesë rajonit tonë një etiketë fatalisht e pasaktë. Në morinë e emrave të gabuar gjeografikë të botës ky, padyshim, nuk është rasti i vetëm. Por çështja është që një emërtim i këtillë krijoi një dihotomi kryekëput të padrejtë Europë vs. Ballkan, duke e marrë të mirëqenë pjesën e emërtuar ‘Ballkan’ si një entitet kulturor jashtë Europës, në mos po edhe në kundërvënie ndaj saj. Kureshtarët e sotëm mund të ndeshin rëndom edhe në debatet e sotme politike pikërisht këtë dohotomi absurde: ‘Europa dhe Ballkani’ ose ‘Ballkani dhe Europa’.
Edhe më absurde e bën këtë dihotomi fakti që vetë emri ‘Europë’ u pat shtënë për së pari në përdorim në kuptimin gjeografik për të shenjuar trevën perëndimore të Gadishullit tonë, përfshi visin ku banojmë ne, në kundërvënie ndaj Peloponezit dhe ishujve të Detit Egje. Kush nuk beson, le të lexojë Hesiodin e shek. VIII para erës së re. E ka pas thënë Konica kohë më parë: “Emri ‘Europë’ në kohët klasike i vihej vetëm ‘Ballkanit’, dhe vetëm në Kohën e mesme ai u shtri në pjesën tjetër të kontinentit të bardhë”. Por kush ia vuri veshin Konicës?