Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda në një deklaratë për mediat i ka bërë të qartë çdo strukture të policisë se lirimi i hapësirave publike është një detyrë prioritare. Proda thotë se hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe askush nuk ka të drejtë ti përvetësojë. Duke përmendur rastin e Thethit, Proda tha se do ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e shtetit.
“Dua të ndaj me publikun dhe të paraqes para çdo strukture policore disa pika që janë të panegociueshme dhe prioritare për ditët, javët e muajt në vazhdim: Lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha, është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë. Hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë.
Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e policisë që ka për detyrë të parandalojë apo godasë këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme si në rastin e Thethit.
Bashkitë, komunitetet dhe qytetarët i ftoj të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe të denoncojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë çdo rast indiference apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë apo çdo strukture tjetër inspektimi që ka për detyrë kontrollin e territorit”, tha Proda.
Një tjetër pikë të rëndësishme që preku Proda në deklaratën e tij ishte edhe parkimi i dyfishtë në rrugë, duke theksuar se nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Tashmë, Proda thotë se parkimin e dyfishtë do të trajtohet si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal.
Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda.
Neni 293 i Kodit Penal
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Lajmi kryesor:
Zaptimi i hapësirave publike, shkarkohen 2 drejtuesit e Policisë së Shkodrës! Pezullohet ai i Thethit, Proda: Nuk meriton të veshë uniformën
SI.E./ReportTv.al
