Ilir Proda dhe Mohammed bin Abdullah Al-Bassami

Kronikë

Proda në Arabinë Saudite: Forcohet partneriteti mes policisë shqiptare dhe asaj saudite në luftën kundër krimit dhe terrorizmit

3 Gusht, 15:31| Përditesimi: 3 Gusht, 15:35

  • Share

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të homologut të tij, Drejtorit të Përgjithshëm të Sigurisë Publike, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami.

Gjatë takimit, dy drejtuesit theksuan rëndësinë e zgjerimit të marrëdhënieve mes dy policive, duke theksuar fushat me interes të përbashkët si lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve ekonomike dhe kibernetike.

“Policia e Shtetit shqiptar ka prioritet forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese. Jemi të vendosur të luftojmë së bashku krimet që tashmë janë globale,” deklaroi Proda.

Ai vlerësoi eksperiencën saudite në menaxhimin e sigurisë gjatë pelegrinazheve masive dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për parandalimin e rreziqeve, duke theksuar se Shqipëria është e gatshme të intensifikojë trajnimet e përbashkëta, projektet pilot dhe ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale.

Nga ana e tij, Gjeneral Lejtnant Al-Bassami u shpreh i gatshëm të mbështesë Policinë shqiptare me trajnime, logjistikë dhe veprime të përbashkëta hetimore, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2023.

Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar zhvilloi gjithashtu takime me drejtues të sigurisë publike të Mekës dhe Medinës, ku u shkëmbyen përvoja mbi menaxhimin e aktiviteteve masive.

Kjo vizitë u cilësua nga të dyja palët si një gur themeli për ndërtimin e një partneriteti strategjik dhe afatgjatë mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe Policisë së Arabisë Saudite.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?