Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, u prit sot në Hagë, në një takim pune e miqësor nga drejtoresha Ekzekutive e Europolit, Catherine De Bolle.
De Bolle vlerësoi angazhimin, vendosmërinë, profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë shqiptare, gjatë operacioneve të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët, në koordinim nga Europol. Ajo siguroi Prodën se Policia shqiptare do të ketë akoma më shumë mbështetjen dhe asistencën e Europolit.
“Vlerësim dhe mbështetje për Policinë shqiptare, për operacionet e kryera në kuadër të platformës EMPACT, kundër krimit të organizuar”, tha De Bolle.
Proda falënderoi Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle, për vlerësimin dhe mbështetjen, dhe e garantoi se Policia shqiptare tashmë është e aftë profesionalisht, e besueshme dhe shumë e angazhuar në veprime hetimore e operacionale me partnerët, në luftë kundër krimit të organizuar.
“Policia e Shtetit shqiptar është shumë e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të thelluar akoma më shumë bashkëpunimin hetimor e operacional me partnerët, në koordinim nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese që monitorojnë dhe koordinojnë veprimet policore”, u shpreh Proda.
Gjatë takimit, u diskutua mbi mundësinë që Europoli të drejtojë menaxhimin e operacioneve kundër emigracionit të paligjshëm, si fenomen i përdorur nga grupet e krimit të organizuar, duke koordinuar operacionet dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet policive të vendeve anëtare të BE-së, përshtatja e strukturave të policisë shqiptare me ato të policive europiane dhe mbështetja për përdorimin e produkteve analitike të Europolit, në veçanti kundër krimit kibernetik.
Në fund të takimit, drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda ftoi drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle, për një vizitë në Policinë e Shtetit shqiptar.
Komente
