Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një vizitë pune Zëvendëspresidenten e Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), Martina Link, e shoqëruar nga Markus Koths dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni.
Në qendër të takimit ishte forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
“Partneriteti ynë është ndërtuar mbi besim dhe transparencë. Bashkëpunimi ynë është dëshmi se krimi i organizuar luftohet vetëm përmes aleancave të forta ndërkombëtare. Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim”, tha Proda teksa shprehu vlerësimin për kontributin e BKA-së.
Ndërkohë Link nënvizoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vijojë edhe më tej.
“Ju vlerësoj për rezultatet dhe profesionalizmin tuaj. Projekti ORKA është një model bashkëpunimi të suksesshëm, sidomos për shkëmbimin efikas të informacionit në fushën e krimit të organizuar. BKA do të vijojë mbështetjen dhe do të intensifikojë iniciativat e përbashkëta”, tha Link.
Të dy palët u dakordësuan për thellimin e bashkëpunimit në hetimet financiare dhe sekuestrimin e aseteve të grupeve kriminale. Gjithashtu, Drejtuesi i Lartë Neritan Nallbati kërkoi mbështetjen e BKA-së për trajnimin e stafit në fushën e krimeve kibernetike.
Takimi u pasua me diskutime teknike mes përfaqësuesve të BKA-së dhe strukturave të Departamentit të Policisë Kriminale.
Komente
