Drejtori i Përgjithshëm të Policisë Shtetit, Ilir Proda, gjasë fjalës së mbajtur sot (12 mars) në Konferencën e Nivelit të Lartë për ‘Policimin në Komunitet dhe Sigurinë në Komunitete”, tha se policimi në komunitet, po jep efekte pozitive në rritjen e parametrave të sigurisë në vend.
Proda theksoi se përgjatë dy viteve të fundit shifra e turistëve dhe vizitorëve në Shqipëri i kaloi 10 milionë dhe incidentet në lidhje me ta ishin zero dhe kjo, sipas tij, ishte jo vetëm për meritë të Policisë, por në veçanti për meritë të qytetarëve.
“Ky proces është një qasje proaktive dhe bashkëpunuese për të ndihmuar në parandalimin e krimit. Ai fokusohet në rritjen e përfshirjes së komunitetit, formimin e lidhjeve midis një komuniteti dhe zbatimit të ligjit”, tha Proda.
Sipas Prodës “policimi në komunitet përbëhet nga tri elemente kryesore: Partneriteti ndërmjet Policisë së Shtetit dhe komunitetit gjerësisht i shprehur në faktin se gjatë hartimit e zbatimit të strategjive të policimit në komunitet, Policia e Shtetit ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me shkollat, pushtetin vendor, grupet vullnetare për të adresuar çështjet e komunitetit për zgjidhje”.
“Elementi i dytë është zgjidhja proaktive e problemeve. Nëpërmjet këtij komponenti të policimit në komunitet, Punonjësit e Policisë, me ndihmën e qytetarëve identifikojnë dhe zgjidhin në kohë problematikat, duke parandaluar përshkallëzimin e tyre në vend që të marrin një qasje reaguese dhe t’i përgjigjen krimit pasi ai të ketë ndodhur”, u shpreh Proda.
“Elementi i tretë është ndryshimi organizativ. Policimi i suksesshëm në komunitet varet gjithashtu nga gatishmëria e Policisë së Shtetit për të krijuar struktura efikase, duke përzgjedhur punonjës me integritet sa më të lartë, qasja pozitive e tyre në komunitet dhe menaxhimi profesional i këtyre strukturave”, tha Proda.
Implementimi me sukses i këtyre tri elementeve u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë “sjell pa diskutim forcim të besimit ndërmjet punonjësve të Policisë dhe qytetarëve”.
Proda tha se krijimi i besimit, ka inkurajuar më shumë qytetarë të raportojnë krimin dhe ka rritur komunikimin ndërmjet Policisë dhe qytetarëve.
“Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike janë një tjetër qasje pozitive për zgjidhjen efikase të problemeve dhe shqetësimeve të adresuara nga qytetarët. Të gjitha këto iniciativa kanë në thelb rritjen e besimit të qytetarëve te Policia, pasi besimi është vlera që qëndron në themel te marrëdhënies sonë. Falë punës dhe profesionalizmit, sot Policia e Shtetit është agjencia ligjzbatuese më e besueshme nga qytetarët, çka na obligon të gjithëve që të punojmë bashkërisht për të përmirësuar akoma më shumë këtë proces thelbësor që rrit parametrat e sigurisë dhe e shndërron Shqipërinë në një vend akoma më të sigurtë për vizorët dhe turistët nga mbarë bota”, u shpreh Proda.
Sipas Prodës “Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet (SCPA) dhe ambasada suedeze kanë dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit”.
“Me anë të këtij programi, policët janë trajnuar për qasje më efektive ndaj komunitetit, ku ka përfunduar trajnimi i 650 SPZ-ve në të gjithë vendin gjatë fazës së dytë të programit, ndërkohë që tashmë po vijohet me trajnimin Patrullave të Përgjithshme, me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më të afërt, cilësor e transparent me qytetarët”, tha Proda.
Komente
