Rreth 50 mijë kuintal misër kanë prodhuar këtë vit fermeret e Zadrimës në Lezhë. Prodhimi është i kënaqshëm, por problem mbetet çmimi i ulët i shitjes.
Shumë kultura bujqësore nuk dhanë rendiment këtë vit në Lezhë, për shkak të lagështires së tejzatur, por diçka e tillë nuk ka ndodhur me dritherat.
Në fushen e Zadrimës misri ka patur prodhim të bollshem. Fermerë dhe grumbullues thonë se shirat e muajve maj dhe qershor ndikuan pozitivisht për rritjen e misrit.
“Kushtet atmosferike për misrin kanë qenë të favorshme. Fara ka qenë e mirë kështu që dhe prodhimi është cilësor”, tha fermeri Edi Ndoci.
Problemi kryesor për ta është gjetja e tregjeve.
“Prodhimi është i mirë, por drithërat janë mallra burse dhe tregu për momentin nuk është i favorshëm. Kur ka prodhim shumë, bie çmimi. Por kjo s’duhet të na demoralizojë”, tha grumbulluesi Alfred Shtjefni.
Në fushen e Zadrimës ka një rritje të sipërfaqes të tokës së punuar, por kërkohet më teper mbështetje për sektorin e bujqësisë.
“Çmimi aktual nuk e justifikon koston, por gjithsesi presim nëse do të rritet më vonë. Duhet të bëhet çmos të punohet për sistemin e vaditjes dhe kullimit. Pra çdo vit duhet të ketë përherë e më shumë prodhim, pastaj çmimin nuk e përcaktojmë dot ne”, tha më tej Shtejfini.
Fusha e Zadrimes prodhon reth 50 mijë kuintal drithera në vit, ndërsa gruri po shitet me 30 lek kg dhe misri me 25 lek kg, nga 40 lek deri në 70 lek që ishte një vit më parë.