Prodhimi i energjisë elektrike në vitin e kaluar është ulur me 10%. Kryetari i Entit Rregullator i Energjisë Petrit Ahmeti gjatë raportimit në kuvend për ecurinë vjetore të autoritetit tha se në vitin që shkoi është rritur prodhimi nga burimet fotovoltaike.
“Rezulton se gjatë vitit 2020 janë prodhuar rreth 5.3 gigavat orë, nën mesataren e periudhës 2009-2020. Prodhimi i realizuar në vitin 2020 rezulton rreth 10% më poshtë se mesatarja 2009-2020. Humbjet e raportuara kanë qenë në 21.4% në rënie me vitet e mëparshme”, tha kreu i ERE.
Ahmeti i është përgjigjur edhe deputetit Muslim Murrizi, për çmimet e larta me të cilat vendi blen energji nga vendet e huaja.
"Unë kam kërkuar informacion nga KESH, ne shesim energji deri 43 euro megavat dhe e blejmë deri në 84 euro megën, blejmë gati 2 fish më shtrenjtë nga sa shesim, pse?", tha Murrizi.
"Shitja dhe blerja është pjesë e një tregu të parregulluar. Çmimet i vendos tregu që është i parregulluar", tha Petrit Ahmeti.
Për të mbështetur sektorin e energjisë Kuvendi miratoi edhe marrjen e një kredie prej 100 milionë eurosh nga Banka Shtetërore Gjermane për zhvillimin e sistemit elektroenergjitik shqiptar.
Raporti tjetër që është prezantuar në Kuvend është i Entit Rregullator të Ujit, ku kryetari Ndriçim Shani tha se tërmeti e pandemia kanë penguar faturimin e qytetarëve. Shani foli edhe për metodologjinë e re të tarifave të ujit.
“Jemi në përfundim të metodologjisë së vendosjes së tarifave për realitetin e ri ku mjaft ndërmarrje duhet të mbulojnë 100% shpenzimet e tyre, duke respektuar kriterin e përballueshmërisë, dhe do rriten investimet për tubacion apo edhe për kërkesat në rritje për shërbim”, tha kreu i ERRU.
Kuvendi miratoi në seancën e parafundit edhe paketën ligjore për hekurudhën shqiptare, e cila parashikon ndarjen e hekurudhës nga 1 në 4 shoqëri, synimi është që hekurudha në vend të jetë plotësisht funksionale dhe të përdoret gjerësisht për transportin e udhëtarëve dhe mallrave.