Shtrenjtimi i apartamenteve nuk pritet të ndalojë, pasi kostot e ndërtimit vijojnë të rriten edhe pse në ritëm më të ngadaltë sesa viti 2023. Në raportin e fundit të Institutit të Statistikave për kostot e ndërtimit thuhet se indeksi i kushtimit në ndërtim në tremujorin e fundit të vitit të shkuar ishte 1.2%, nga 4.1% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë shpenzimet për paga duke reflektuar se në fund të vitit ka pasur rritje të rrogave të punonjësve të ndërtimit. Në vend të dytë janë kostot për transport, shpenzime energjie dhe për materiale ndërtimi.
“Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 4,3 %, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 2,3%, “Shpenzime makinerie” me 2,2%, “Kosto të tjera” me 2%, dhe “Shpenzime energjie” me 1,7%. Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 0,8%”, thuhet në raportin e INSTAT.
Produktet e importit më të lira
Fundi i vitit 2024 është mbyllur me ulje të çmimeve për produktet që Shqipëria blen jashtë vendit. Në tremujorin e katërt të vitit të shkuar çmimet për produktet e importuara u ulën me 0.9%, rënie që ishte edhe më e fortë se në të njëjtën periudhë të 2023-shit.
“Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” shënuan ulje me 5,2%, pasuar nga seksionet “Industria përpunuese”, me peshën më të madhe prej 93,5%, me 0,7%, “Industri nxjerrëse” me 0,1%. Nga ana tjetër, seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” shënoi një rritje me 0,4%”, thotë INSTAT.
‘Made in Albania’ vijon të shtrenjtohet
Fermerët shqiptar prodhuan produkte më të shtrenjta vjet se vitet e kaluara. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e fundit të vitit 2024 u rrit me 1% nga 3,1% që ishte në të njëjtin tremujor të vitit 2023. Rritja më e madhe e çmimeve në fund të 2024-ës është regjistruar tek industria nxjerrëse me 2.6%, ndjekur nga energjia elektrike, furnizimi me ujë dhe në fund industria përpunuese.
“Brenda seksionit “Industri përpunuese” rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetet “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” dhe “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me 2,3% secili, pasuar nga aktiviteti “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 2%, “Prodhimi i pijeve” me 1,9%,”, thotë INSTAT.
Komente
