Shtatë shqiptarë janë dënuar me burg nga një gjykatë britanike pasi u zbulua se ishin pjesë e një rrjeti të madh kriminal që merrej me prodhimin dhe shpërndarjen e kanabisit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Grupi vepronte në disa qytete, si Coventry dhe Birmingham. Hetimet nisën në maj të vitit 2022, kur policia zbuloi një rrjet të organizuar që merrej me kultivimin dhe shpërndarjen e drogës.
Sipas mediave britanike, Arben Sinjari dhe Erikson Kararaj u identifikuan si drejtuesit e grupit kriminal, duke menaxhuar ambientet ku kultivohej kanabis në disa prona në Midlands.
Të gjitha pronat kishin ndërhyrje të paligjshme në rrjetin elektrik për të shmangur pagesën e energjisë.
Anëtarët e tjerë të grupit, Islam Toro, Klajdi Zyka, Qemal Sakaj, Avdullah Delbashi dhe Soni Gremshi, kujdeseshin për kultivimet dhe shpërndanin sasi të mëdha droge nëpër qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe.
Gjatë operacionit, policia gjeti mesazhe telefonike dhe shënime me dorë, që tregonin për përfshirjen e grupit në prodhimin dhe shitjen e qindra kilogramëve drogë.
Në total, u identifikuan 17 prona të përshtatura për kultivimin e kanabisit.
Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi dhjetëra mijëra paund në cash, disa kilogramë kanabis dhe pajisje për kultivimin e drogës.
Komente
