Partia e Lirisë ngre shqetësimin për sigurinë ushqimore, pas rasteve të disa fruta e perimeve me pesticide të zbuluara në vendet e BE-së, dhe akuzon qeverinë për mungesë të kontrolleve dhe analiza të dyshimta nga laboratorë që sipas saj nuk funksionojnë.
“Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi…dhe të garantojë menjëherë, kontrolle të rrepta dhe të pavarura të produkteve bujqësore, transparencë të plotë mbi rezultatet e analizave, ndëshkime reale për abuzuesit dhe importuesit e pesticideve të ndaluara dhe mbështetje për fermerët që prodhojnë në mënyrë të pastër dhe të sigurt”, tha ndër të tjera Silvana Bajrami, kryetarja e Komisionit të Bujqësisë, PL.
Deklarata e plotë
Siguria ushqimore në Shqipëri është në alarm kombëtar. Skandalet me fruta e perime të mbushura me pesticide dhe substanca të rrezikshme vazhdojnë njëra pas tjetrës, ndërsa qeveria hesht. Sot qytetarët shqiptarë, në vend që të ndihen të mbrojtur nga shteti i tyre, e kanë frikë tregun ku blejnë ushqimin e përditshëm.
Vetëm muajt e fundit, kontrollet sporadike të pakta kanë zbuluar sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore me mbetje të larta pesticidesh, që në shumë raste tejkalojnë disa herë normat e lejuara. Ndërsa në vendet e Bashkimit Europian këto produkte as nuk do të lejoheshin të hynin në treg, në Shqipëri ato shiten lirshëm në tregjet e qyteteve tona dhe përfundojnë në tryezat e çdo familjeje.
Qeveria ka dështuar plotësisht. Kontrolli ushqimor dhe siguria ushqimore është kthyer në një fares, laboratorë që nuk funksionojnë, inspektorë që shfaqen vetëm për të bërë foto propagandistike, dhe institucione që i mbrojnë abuzuesit në vend që të mbrojnë qytetarin. Miliona euro janë shpenzuar për programe dhe projekte në emër të sigurisë ushqimore, por rezultati është zero.
Në realitet, çdo ditë po i helmojmë fëmijët tanë me produkte të dyshimta.
Siguria ushqimore është një e drejtë themelore, jo luks. Por në Shqipëri,, është kthyer në një rrezik për jetën. Çdo frut dhe perime që shitet sot në treg mbart frikën se mos është i helmuar. Ky nuk është normalitet.
Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të mos pajtohen me këtë situatë. Shëndeti i shqiptarëve nuk mund të jetë viktimë e korrupsionit dhe paaftësisë. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për këtë katastrofë të vazhdueshme dhe të garantojë menjëherë, kontrolle të rrepta dhe të pavarura të produkteve bujqësore, transparencë të plotë mbi rezultatet e analizave, ndëshkime reale për abuzuesit dhe importuesit e pesticideve të ndaluara dhe mbështetje për fermerët që prodhojnë në mënyrë të pastër dhe të sigurt.
Çdo ditë e humbur është një ditë ku shëndeti i qytetarëve dëmtohet, ku fëmijët tanë ushqehen me helm dhe ku Shqipëria rrëshqet drejt një katastrofe të heshtur shëndetësore. Mjaft me premtime boshe dhe propagandë!
Partia e lirisë ka një program mëse të realizueshëm, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ku Bujqësia dhe Siguria Ushqimore është fokusi kryesor, si dhe shndërrimi i Shqipërisë në fuqi prodhuese dhe eksportuese.
Komente
