Foto ilustruese

Bota

Pro-evropianët fituan me mbi 50%, BE: Moldavia zgjodhi Evropën para Rusisë në zgjedhjet kyçe

29 Shtator, 12:33| Përditesimi: 29 Shtator, 12:36

  • Share

Bashkimi Evropian e ka përshëndetur të hënën rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Moldavi, duke thënë se ai tregoi se vendi i vogël i Evropës Lindore është vendosur qartë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Partia e presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, pritet të dalë e para në zgjedhjet vendimtare, megjithëse u përball me një fushatë dezinformimi që besohet se u orkestrua nga Kremlini. Por, fituesi i vërtetë mund të jetë Brukseli.

PAS, partia properëndimore në pushtet e Moldavisë, shënoi fitore të thellë ndaj rivalit të saj të afërt me Rusinë në zgjedhjet e së dielës, sipas rezultateve të publikuara të hënën.

PAS-i parashikohet t’i ketë marrë të paktën 55 nga 101 ulëse në Parlament.

Ky rezultat është tronditës, duke pasur parasysh se shumë sondazhe para votimit parashikonin garë shumë të ngushtë, ndërsa Kremlini kishte bërë përpjekje të mëdha për ta ndryshuar rezultatin në të mirë të vetin.

“Populli i Moldavisë foli dhe mesazhi i tyre është i qartë dhe i fortë”, shkroi në X Antonio Costa, presidenti i Këshillit të BE-së që përfaqëson 27 vendet anëtare bllokut evropian

“Ata zgjodhën demokracinë, reformën dhe një të ardhme evropiane, përballë trysnive dhe ndërhyrjeve nga Rusia”, tha Costa.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Moldavia votoi qartësisht për Evropën, demokracinë dhe lirinë.

“Dyert tona janë të hapura. Dhe, ne do të jemi me ju në çdo hap të rrugës”, shtoi ajo.

Brukseli ka qenë i merakosur për javë të tëra para zgjedhjeve të 28 shtatorit në një Moldavi të gjendur mes Ukrainës dhe Rumanisë, anëtares së NATO-s dhe BE-së.

Një fitore proruse do të kishte përbërë goditje të rëndë për krahun lindor të BE-së, në një kohë kur Moska ka shfaqur guxim për ta testuar vendosmërinë e Perëndimit teksa vazhdon të fitojë terren në fushëbetejat e Ukrainës./REL

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?