Foto ilustruese

Opinion

Prof. Dr. Perlat Kapisyzi: Mjeku si 'Pengesë' për Diagnozën e Pacientit të Diplomuar nga ChatGPT

18 Maj, 22:11| Përditesimi: 19 Maj, 14:13

  • Share

“Nga klinika reale te konsultat virtuale me inteligjencen artificiale (AI): kur ekspertiza vihet në dyshim dhe algoritmi merr fjalën e fundit.”

Në ditët tona, kur teknologjia jo vetëm ecën, por parakalon reflektimin moral, ndodh një përmbysje e çuditshme dhe shqetësuese në marrëdhënien e shenjtë mjek–pacient. Dikur pacienti i besohej mjekut si një gjysmë-zoti i tokës, përherë i mbështetur në dijen, përvojën, e sidomos në praninë.

Sot, mjeku është shndërruar në një strateg të lënduar, i detyruar të luftojë me një algoritëm pa zë dhe një pacient të armatosur me ChatGPT dhe Google Docs."

Në ditët e sotme, pacienti nuk hyn më në konsultë me pyetjen e vjetër dhe të drejtpërdrejtë: “Çfarë kam, doktor?” Ai vjen me një bllok shënimesh digjitale, një listë analizash të sugjeruara nga ChatGPT, ndonjë imazh nga Google, dhe një ton të vendosur që lë të kuptohet: "Nuk kam ardhur të dëgjoj, por të verifikoj."

Dikur, konsultimi me mjekun ishte një udhëtim besimi dhe komunikimi. Sot, në një realitet ku çdo njeri me internet mund të ndjejë veten si një “ekspert alternativ”, mjeku rrëshqet drejt rolit të një operatori që duhet të justifikojë çdo vendim klinik përballë një publiku të armatosur me fraza si: "Kam lexuar që mund të jetë lupus..." apo "Më sugjeruan të bëj një PET-CT, se mund të jetë kancer."

AI nuk është armiku. as  nuk është rivali i mjekut. Është një mjet — ndoshta i fuqishëm — por një mjet pa ndjeshmëri, pa kontekst, pa gjykim klinik. I mungon ajo që mjekësia ka kultivuar me shekuj: nuanca, intuita, dyshimi profesional, ndjeshmëria njerëzore dhe përgjegjësia morale.

Por kur pacienti e vendos këtë mjet mbi mjekun, gjërat marrin për keq. Në vend të dialogut, krijohet dyshim. Në vend të udhëzimit, kërkohet justifikim. Mjeku nuk diagnostikon më — ai mbron veten nga pretendimet e formuluara nga një algoritëm.

Le të jemi të qartë: analiza të panevojshme nuk janë shaka. Ato prodhojnë kosto, stres, vonesa, rrezik të diagnozave të rreme dhe trajtimeve të panevojshme. Në një sistem që përpiqet të ofrojë kujdes cilësor për të gjithë, këto devijime janë luks i rrezikshëm.

Dhe ndërsa pacienti ushqehet me “mundësitë” që AI hedh në tavolinë, harrohet ajo që është më e rëndësishme: çfarë ka realisht personi përpara nesh, jo çfarë mund të ketë sipas një liste probabilistike pa kontekst.

Ekspertiza, eksperienca, dhembshuria, vemendja ndaj nuancave te ndryshme të “refimit” te pacientit tek mjeku zevendesohen nga mjeku i padukshëm në epokën e informacionit të tepërt

Ky është ndoshta rreziku më i madh: denigrimi i heshtur i mjekut. Jo me fyerje direkte, por me dyshim të ngulitur, me kërkesa që nuk lindin nga nevoja reale por nga frika digjitale. Kur mjeku refuzon një analizë të panevojshme ose diagnoze te sugjeruar nga familjaret e digitalizuar , nuk shihet më si profesionist që filtron, por si dikush që “nuk do të përpiqet mjaftueshëm”.

Ky është një moment i rrezikshëm për shëndetësinë — kur kompetenca zëvendësohet nga Google,ChatGpt dhe përgjegjësia nga komoditeti informativ.

Zgjidhja nuk është përjashtimi i teknologjisë — por udhëzimi i saj

AI ka vendin e vet në mjekësi. Mund të ndihmojë në gjenerimin e përmbledhjeve, ndihmesë për mjekun, përkthim të informacionit shëndetësor për pacientin, etj. Por asnjëherë si mjet vetë-diagnostikimi, pa praninë e gjykimit klinik.

Mjeku nuk është konkurrenca e AI. Mjeku është garancia që të dhënat kanë kuptim, që simptomat nuk interpretohen në ajër, që vendimi merr përgjegjësi. Dhe këtë, asnjë sistem digjital nuk e përmbush dot.

Pikërisht me pranine e inteligjences artificiale pacientet dhe sidomos familjaret  ndodhem perpara nje dileme sa corjentuese aq edhe te demshme. Kujt t’i besojmë?

Përgjigjja është e thjeshtë: Besoni mendjes që merr përgjegjësi, jo algoritmit që përfundon me fjali si “konsultohuni me një profesionist të kujdesit shëndetësor.”
Sepse edhe AI e di kufirin e vet. Pyetja është: A e dimë ne?

Familjarët, sidomos ata me status të veçantë ekonomik, e lexojnë gjendjen shëndetësore jo përmes syve të dhembshurisë dhe përvuajtjes, por si një sfidë për inteligjencën e tyre diagnostike personale. Duke mbërritur në spital me një raport të printuar nga rrjeti, ata nuk kërkojnë më ndihmë, por kërkojnë konfirmim për hipotezën që kanë ndërtuar në darkën e djeshme midis YouTube videos, ChatGpt   dhe një bisede me mikun farmacist.

Mjeku nuk është më këshilltar. Ai është shndërruar në kundërshtar të diagnostikës popullore të nxitur nga inteligjenca artificiale. Kjo nuk është më një kërkesë për second opinion. Kjo është një second guessing, shpesh herë arrogante, që ngjason më shumë me një tribunal sesa me një dialog. Ata vijnë për të vendosur diagnozën, për të zgjedhur analizat, dhe për të ‘përmirësuar’ punën e mjekut me urdhrat e tyre të heshtur.

Në këtë farsë të hidhur, mjeku kthehet nga profesionist në doracak i shërbimit ndaj egoizmit financiar dhe “shpikës i pengesave” — një “byrokrat” që pengon mrekullinë e ‘diagnostikës me Wi-Fi’.

Në botën ku pasuria është mjekësi dhe diagnoza një luks, mjeku i përkushtuar është kthyer në shërbëtor të kapriçove të një klientele arrogante, ku ‘inteligjenca diagnostike’ matet me madhësinë e llogarisë bankare, numerin e viteve te shkollimi dhe  jo me vërtetësinë klinike.

Në këtë peizazh të tronditur, spitali kinez me mjek robot duket si versioni i fundit i kësaj ëndrre teknologjike pa rrënjë etike. Aty nuk ka shikim që të kupton, nuk ka intuitë që të dyshon, nuk ka zë që të ndalet mbi një detaj të “parëndësishëm”. Vetëm një ekran, një protokoll, dhe një përgjigje. Por pacienti del me boshllëk: receta është teknike, por diagnoza nuk e ka kuptuar jetën e tij.

Sepse ndërveprimi mjek–pacient nuk është luks emocional. Është proces diagnostik në vetvete, ku fjala, fryma, përmbajtja dhe heshtja ndërtojnë kuptim. Roboti nuk dyshon. Roboti nuk ndryshon mendim. Dhe nëse diagnoza është art po aq sa shkencë, atëherë nuk mund të zëvendësohet nga një makinë që nuk kupton metaforën e dhimbjes, frikën e pacientit, as tregimin që nuk ka gjuhë laboratorike.

Ky fenomen nuk është vetëm teknologjik. Është simptomë e një krize morale. Shoqëria ka ulur mjekun nga piedestali jo sepse ai ka dështuar, por sepse është riformatuar si shërbëtor, në një model ku çdo shërbim është i blerë dhe çdo informacion është i aksesueshëm.
Por të dish nuk është e barabartë me të kuptuarit. Dhe të lexosh një raport nuk është e njëjtë me të diagnostikuarit e një njeriu që merr frymë përballë teje.

Në thelb të kësaj krize qëndron një paradoks i madh: mjeku, qenie e krijuar nga Zoti, me ndjenja, intuitë dhe ndërgjegje, vlerësohet më pak se një algoritëm – një krijesë e krijuar nga vetë njeriu, pa shpirt, pa mëshirë, pa faj. Familjarët, që shpesh besojnë verbërisht në Zot dhe në drejtësinë e tij, nuk kanë asnjë hezitim t’i besojnë më shumë një sistemi kompjuterik që llogarit, por nuk kupton; që njeh protokolle, por nuk njeh shenjtorë, as fëmijë që qajnë, as prindër që luten. Ky superioritet i keqinterpretuar i dijes teknologjike nënvlerëson thelbin njerëzor të mjekësisë: lidhjen shpirtërore, kujdesin e heshtur, përvojën që s’mund të kodohet dot në asnjë gjuhë programimi. Në fund, është pikërisht njeriu i gjallë – me të metat, dyshimet, mëshirën dhe intuitën e tij – ai që i jep kuptim edhe makinës, edhe algoritmit.

Ndaj, ndërsa teknologjia përparon, le të mos harrojmë:

Mjekësia nuk është një sport i të diturve që lexojnë shpejt.

Është një udhëtim i ngadaltë në errësirë, ku drita shpesh vjen nga një sy i trajnuar, një zemër e përulur dhe një intuitë e heshtur që nuk do ta ketë kurrë një robot.

Mjeku  është si një lule që gjallon në territorin e elefantëve— e bukur, e dobishme, që ngjall shpresë dhe gëzim, por i ekspozuar ndaj çdo shkeljeje nga kjo tufë elefantesh që as nuk kupton vlerën e tij…

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni nga qeveria Rama 4 pas zgjedhjeve të 11 majit?