“Njeriu është diçka që duhet të mposhtet. Njeriu është një litar, i lidhur midis kafshës dhe mbinjeriut – një litar mbi një humnerë. Ajo që është e madhe te njeriu, është se ai është një urë dhe jo një fund.” — Friedrich Nietzsche
Kjo thënie e thellë e Niçes na kujton se edukimi nuk është qëllim në vetvete, por një udhëtim drejt përmirësimit të njeriut, një urë mes natyrës së tij të papërpunuar dhe potencialit të tij moral. Për ta ndërtuar këtë urë, arsimi nuk mund të kufizohet vetëm në dije, por duhet të jetë një proces i kultivimit të vlerave, i forcimit të karakterit dhe i zhvillimit të etikës personale dhe shoqërore.
“Matrica mendore" mund të kuptohet si sistemi i ndërlidhur i dijeve, vlerave, moralit dhe mënyrës së të menduarit, që formësohet nga arsimi, familja dhe përvoja sociale.
Matrica mendore e mësuesit ndikon në atë të nxënësit në mënyrën e të menduarit, mënyrën e të mësuarit, mënyrën e të përqendruarit dhe disiplinës mendore, zhvillimin e vetëbesimit dhe autonomisë mendore.
Mësuesi është "arkitekti" i matricës mendore të nxënësit. Një edukim i mirëfilltë nuk duhet t’i japë nxënësit vetëm informacione, por duhet t’i mësojë si të mendojnë dhe kush jane vlerat e individual dhe shoqerise. Është koha të kujtojmë se mësuesi nuk është thjesht bartës i dijes, por mbartës dhe transmetues i vlerave morale, sociale dhe qytetare.
Po, shoqëria jonë… me të vërtetë e shkelur nga çdo anë, e mbushur me ‘vlera’ që ndonjëherë më ngjajnë më shumë si dëshira për t’i shpëtuar pasqyrës së moralit dhe etikës. 'Zëri i Vlerave'. Po, e keni dëgjuar? Duket si një ideal që ndoshta mund t’ju ngjajë si një thirrje për ndryshim. Po, a e duam të gjithë? Po,a duam të ndryshojmë? Pse jo? Le të sjellim diçka të bukur dhe të dobishme! Por, po shikoni rreth e rrotull… Duket sikur ky ‘Zëri’ është më shumë një këngë që nuk merr formë… një këngë që s’ka as shëndet, as moral… një melodi që ka ngelur në varrezat e mediokritetit dhe nepotizmit të shoqërisë tonë."
"Po e shohim, apo jo? Si të përpiqemi të marrim moral dhe etikë kur kemi një shoqëri që është kaq e mbytur nga mediokriteti nepotizmi, konformizmi dhe frika për të menduar vetë. Do të dëshironim të mendonim që ky ‘Zëri i Vlerave’ është si një revolver në një koncert të Vjenës, një lloj shpërthimi që na tregon se ka njerez qe duane te thone diçka për vlerat, që kërkojnë të vleresojnë të vërtetën ku merita është dritë afatgjatë dhe lidhjet nepotike janë shkëndija të shkurtra që errësojnë të drejtën
Por ndoshta, duhet të kuptojmë se mund të edukojmë drejt nje shoqëri kur ata që janë në krye kanë moralin dhe vullnetin për të shpëtuar ata që janë më poshtë. A e dini si është ky proces? Jo, jo, shoqëria jonë do të mbijetojë nëpërmjet ‘të drejtës së paligjshme’, nëpërmjet atyre që përpiqen të ‘mbijetojnë’ pa asnjë shtyllë morali… Dhe, ne? Ne jemi të mpirë nga ky zhvillim… Pa asnjë kujdes, na ndodhin padrejtesi të pafundme, si në një koncert ku askush nuk kujdeset për tingujt.
Uniformizimi i vlerave është tragjedia e moralit tonë, kur shoqëria shpërfill meritat dhe përvojën, dhe e kthen çdo vlerë në një formë të njëtrajtshme dhe të njëanshme, kur nuk mund të dallosh punën nga titulli, as eksperiencën nga pozita.
Kur vlerat bëhen uniforme, ato humbasin nuancat e tyre, humbasin ngjyrat e pasura të mendimit, të ndjeshmërisë dhe të botës reale. Kjo është një shoqëri që ruan status quo-në, që do të jetë gjithmonë në pritje të një shtrati prokustian ku çdo individ mund të shtrëngohet dhe të bëhet pjesë e një tabele të pandryshueshme të vlerave.Dhe mos me keq kur antivlera unifikohet me vlerat. Kur mediokri ngrihet dhe i afti shtypet nga nepotizmi social dhe farefisnor, në këtë rast – padrejtësia ka edhe emër të njohur.
Shoqëria nuk është një makinë ku secili i ndihmon të tjerët të bëhen njësoj, por një e tërë ku individët sjellin mundësi të reja, perspektiva të ndryshme dhe mendime që e pasurojnë botën.
Një ditë, një nxënës pyeti mësuesin e tij: “Pse duhet të jem i ndershëm, kur të pandershmit marrin gjithçka?” Mësuesi e pa dhe heshti. Nuk ishte se nuk kishte përgjigje, por e dinte se përgjigjja që do jepte nuk kishte më peshë në një botë ku fjalët e tij ishin bërë të lehta, të dyshimta, madje ndonjëherë edhe qesharake.
Mësuesi është plagosur. Jo nga nxënësit e tij, jo nga ditari, as nga vështirësitë e lëndëve – por nga një sistem që e ka tradhtuar me dekada. Ai dikur besonte se ishte gur themeli i shoqërisë, por e gjeti veten duke qëndruar mbi rërë. Jetonte me paga të ulëta, me klasa të mbingarkuara, me prindër që e shihnin si fajtor të dështimit të fëmijëve të tyre dhe me një shoqëri që i thoshte haptazi se nuk vlen më shumë se një notë në një sistem të kalbur.
Marksi dhe Engelsi patën shkruar: “Qenia materiale përcakton ndërgjegjen shoqërore.” Kjo nuk është thjesht teori – është realiteti i përditshëm i një mësuesi që zgjohet pa motiv, jep mësim pa besim dhe fle pa qetësi. Si të kërkosh etikë nga një njeri që s’ka mundësi as të mbajë fëmijët e vet si zyrtari që i jep urdhra? Si të pretendojmë për moral, kur mësuesi vetë mëson se, për të mbijetuar, duhet të heshtë, të përshtatet, të mbyllë sytë?
Nuk është se ai nuk ka ndërgjegje. Përkundrazi – pikërisht sepse e ka, dhimbja është më e thellë. Plaga nuk është thjesht ekonomike, por egzistenciale. Ai e ndien humbjen e dinjitetit, mosbesimin e nxënësve, indiferencën e institucioneve dhe zhgënjimin e vetes.
Por ka diçka fisnike në këtë plagë – sepse ajo flet ende. Sepse ka akoma mësues që, ndonëse të lodhur, nuk dorëzohen. Që flasin për vlera edhe kur askush nuk dëgjon. Që e ruajnë një shpresë të vogël si një qiri në erë.
Nëse duam që fëmijët të edukohen me ndershmëri, drejtësi, dinjitet dhe mendim kritik – së pari duhet të sigurohemi që ai që i udhëheq të mos jetë i nëpërkëmbur, i frikësuar apo i harruar.
“Zëri i Vlerave” nuk mund të nisë ndryshe, përveçse duke kthyer sytë nga ky mësues i plagosur. Pa të, vlerat nuk do të kenë zë. Dhe nëse duam që vlerat të flasin në këtë shoqëri, duhet më parë të shërojmë plagët e atij që do t’i përcjellë – të gardianit të tyre të parë dhe më të rëndësishëm.
Sepse një mësues i nëpërkëmbur nuk mund të edukojë për një shoqëri të drejtë. Vetëm kur ai të ndihet sërish i respektuar, i mbështetur dhe i fuqizuar, fjala “vlerë” do ketë kuptim në klasë – dhe më gjerë, në komb.
Shpresoj që kjo qasje të jetë nje tingull I “ Zërit të vlerave”
Është mësuesi që duhet të na mësoj si të zhvillojmë vlera përmes pyetjes, jo urdhrit,që veprimin e bëjmë se është I drejt apo sepse e bëjnë të gjithë, kur heshtja është bashkëfajësi, si të jemi të drejtë në rrjetet sociale.
Mesuesi eshte shembull i drejtpërdrejtë i nxënësit. Nxënësit më shumë se çdo gjë, mësojnë nga sjellja e tij. Nëse ai është i ndershëm, i drejtë, njerëzor dhe i përkushtuar, kjo lë gjurmë të thellë.
Ai eshte ndërmjetës i vlerave dhe normave. Mësuesi përçon normat sociale dhe etike përmes mënyrës së mësimdhënies, përballjes me konfliktet, ndëshkimit dhe shpërblimit.Krijon një mjedis të sigurt, të respektueshëm dhe bashkëpunues duke ndihmuar në formimin moral të nxënësve më shumë sesa çdo fjalim i mësuar.
Mesuesi eshte Zë i ndërgjegjes shoqërore .Në shumë vende (si Finlanda, Japonia, etj.), mësuesi është figura që orienton opinionin moral të brezave. Në shoqëri të shëndosha, mësuesi është më shumë udhëheqës moral sesa thjesht edukator.
Për të gjithë mësuesit që ende qëndrojnë të palëkundur, që vazhdojnë të edukojnë dhe të besojnë, edhe kur bota rreth tyre duket se ka humbur çdo kuptim. Për ata që ende bëjnë punën e tyre me dashuri dhe besim, pavarësisht nga pagat e ulëta, kushtet e vështira dhe mungesa e mbështetjes. “Zëri I vlerave” është për ju – që jeni ende drita e shpresës për brezat e ardhshëm. Mësuesit janë ata që formojnë jetët, e ata që e kujtojnë shoqërinë se vlerat janë më të rëndësishme se çdo interes tjetër. Pa ju, asnjë sistem nuk mund të ndreqet.
Për të kërkuar dritë nga mësuesi, duhet t’i japim atij fillimisht mundësinë të jetojë si njeri me dinjitet. Nëse jeta e tij i mohon të drejtën për të jetuar me integritet, ai mëson vetë përditë se morali është një luks.
Kështu, nën peshën e nevojave materiale, vlerat mbeten vetëm fjalë në ditar.
“Kujdes për mendimet tua, sepse ato behen fjalë
Kujdes për fjalët tua sepse ato behen veprime.
Kujdes për veprimet tua, sepse ato bëhen shprehi.
Kujdes për shprehitë tua, sepse ato bëhen karakteri yt.
Kujdes për karakterin tënd, sepse ai bëhen fati yt." - Marcus Aurelius
Ja pse mesuesi që në fillore duke ndikuar në cilësinë e mendimit eshte edhe nje person që ka rëndësinë dhe pergjegjesinë e fatit të nxënësit dhe shoqërisë.
Jam i sigurt që jo pak nga ata që po lexojnë mbi” zërin e vlerave” mund të më krahasojnë me atë violinistin që përpiqet të luaj një koncert kur akoma dëgjohen “të shtënat armëve”.
Komente

Ndryshimi fillon nga vetja dhe nga shtepia
PërgjigjuProf. ju pergezoj, nje nga shkrimet me te bukura, me analiza konkrete dhe kuptimplota qe kam lexuar, je nga te rrallet qe reflektoni. Sepse ngelem duke lexuar lajmet e politikies .Ju falenderoj per shkrimin !
PërgjigjuShkrim i domosdoshëm për t'u lexuar sa nga mësuesit, po aq në mos më shumë, nga politika dhe pushtetarët. Do doja të dija nga profesori se si mund të rregullohet funksionimi apo aktiviteti i mësuesit si një musionar, kur ai sheh se meritokracinë se ka njeri në llogari, sepse X-i vlerësohet më pak apo paguhet po aq sa Y-i, pra ai tjetri, i cili nuk ka vlerat e pedagogjike, arsimore dhe morale si të tijat?! Kjo diferencë që për shumë arësye është e pashmangëshme si mund të rregullohet në lidhje me shpërblimin dhe stimuj të tjerë moralë? Cila është eksperienca botërore në këtë aspekt? A mos ndoshta duhet "shpikur" një matricë ku përkundër diferencave objektive midis mësuesve të së njëjtë disiplinë, në të njëjtin nivel shkollimi (klasa-auditorë) dhe vëndit ku ato ndodhen (qendër-periferi) dhe të tjera diferenca si psh. vjetërsia të ketë një diferencim të përshtatshëm, i cili sa i takon pagës të jetë koefindencial? Nuk di si e ka zgjidhur barazitizmin e sotëm, nëse ai qëndron, edhe në ato vende, që jepen si shembuj, pra Finlanda dhe Japonia? Mund të kem dhe dilema të tjera, por nuk dua ta zgjas më, sepse dhe kaq, shumë ishte. Respekte për profesorin!