Mbi 16 mijë të vetëpunësuar që ofrojnë shërbime profesionale nga 1 janari i 2024 do të paguajnë tatimin mbi të ardhurat që fitojnë me shkallë tatimore nga 15 deri 23%.
Ekspertët e ekonomisë Fatos Çoçoli dhe Eduard Gjokutaj në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj u shprehën se taksimi mbi të ardhurat vjetore për të vetëpunësuarit do të sjellë rritje të çmimeve të shërbimeve profesionale që ata ofrojnë.
“Do taksohen një pjesë të mirë të asaj që e quajmë shtresë të mesme sepse të tillë janë profesionet e lira, nga mjekë, avokatë specialistë të it, kodistët ata që ofrojnë programe kodimi. Është një masë e drejtë në atë që gjithsecili që krijon një të ardhur duhet të derdhë një kontribut në buxhetin e shtetit. Por nga 0 që është për bizneset e vogla në këtë masë për profesionet e lira më duket shumë”, u shpreh Çoçoli.
“Te baza tatimore në profesione të lira nuk futen zejtarët, zdrukthtarët, ata që merren me përpunimin e produkteve të traditës. Kjo të paktën është ajo njolla e vogël e bardhë e të gjithë profesioneve. Që të zbatosh një masë i lanë vetes kohë të futet në 2014, tani duhet të kemi një raport, që të thonë se nuk u kemi lënë vetëm juve që jeni të regjistruar por kemi lënë edhe kaq të paregjistruar. Ministria e financave s’ka bërë disa detyra. Lufta kundër informalitetit. Duke i rritur kostot të vetëpunësuarit normal që do i përcjellë te produktet e të vetëpunësuarit në çmime”, tha Gjokutaj.
“Një vizitë te mjeku do kushtojë më shumë, sepse ai ka dhe taksën”, shtoi Çoçoli.
Sipas Çoçolit me këto ndryshime ligjore diskriminohen profesionistët e lirë që do paguajnë, ndërkohë që bizneset e vogla vijojnë me 0 taksa.
“Ishte e parashikuar që në 2024 do të futej. Nëse qeveria duhej të ishte e drejtë të shikonte dhe biznesin e vogël. Ti ke biznese të ngjashme që janë biznese të vogla, se njësoj siç ka një biznes një farmacist që e quan si biznes të vogël, ashtu është dhe një mjek. Është diskrimimin i mirëfilltë.
Biznesi i vogël të ardhurat që nuk kalojnë kuotën e ka me tatim zero. Përjashtimi i bizneseve të vogla u bë mbi një studim. Në çdo kohë që politika premton mbi ekonominë dhe nuk pyet ata që janë zbatuesit normalisht që prodhon efekte”
Për Gjokutajn kjo masë do t’i detyrojë profesionet e lira të kalojnë në informalitet ose t’i nxisë profesionistët të largohen drejt vendeve fqinje.
“Kur s’i ke mbyllur shtigjet e evazionit do t'i detyrosh këto profesionistë të lirë të kalojnë në informalitet ose nga ana tjetër do t’i nxisësh për t’u larguar në vendet fqinje.”
Edhe për Çoçolin kjo taksë në atë që ai e quan shtresë e mesme dhe inteligjente e shoqërisë është e padrejtë.
“Një pjesë e mirë e profesioneve të lira janë pjesa kryesore më dinamike e shtresës së mesme. Shtresa e mesme të merr kredinë, të ndërton në bazë të kredisë që merr. Kjo është një strukturë që e dikton konsumin. Ti këtyre i ngarkon një taksë që në nivel të drejtësisë fiskale është e padrejtë.
Nga pleshti nuk e nxjerr dot dhjamin. Për nga të ardhurat këto janë pleshta. Duhet taksuar kapitali. Aty vendos taksim progresiv. Pjesën më inteligjente të shoqërisë tonë t'i e takson, pra shtresën e mesme”.
Ligjin që mori vulën e Kuvendit në mars të 2023-shit, Ministria e Financave e ka qartësuar përmes një udhëzimi ku specifikohet se profesionistët e lirë do të taksohen në dy fasha. Kategoria e profesionistëve të lirë me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, do të tatohet 15%, ndërsa profesionistët e lirë me fitime mbi 14 milionë lekë to tatohen 23%. Këta persona deri tani, pa hyrë ligji në fuqi, rezultojnë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si person fizik, dhe paguajnë vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore. Disa nga profesionet që do jenë pjesë e skemës, janë avokatët, fotografët, arkitektët, kontabilistët, dentistët, farmacistët, dizajner, përmbaruesit, videografët, specialistë IT etj.
Shume e larte dhe shume e padrejte: nje dentist apo noter (TATOHEN) te cilet kane me shume veshtiresi ne gjenerimin e te ardhurave se sa nje person fizik qe ka nje restorant, Bar kafe apo servis makinash te cilet nuk tatohen
PërgjigjuNga 0 ne 15% eshte krim! Nderkohe qe per buxhetin eshte kot, per ekonomine famijare eshte shume e madhe. Shume gabim!
Përgjigju