Emisioni 'Përballje'

Profesionet e mundimshme, efektivi në 'Përballje': I kemi hyrë një të panjohure, nuk jam bërë pishman

16 Prill, 14:41| Përditesimi: 16 Prill, 14:49

  • Share

Profesionet e mundimshme dhe që shkaktojnë sëmundje të shëndetit fizik dhe jo vetëm, janë gjithnjë e më pak të lakmueshme nga të rinjtë. Në ‘Përballje’ disa profesionistë ishin të ftuar dhe treguan eksperiencat e tyre në punë dhë vështirësitë që hasin. Gerhard Baka, efektiv i Rrugores u shpreh në studio se punën e bën me pasion pavarësisht të papriturave dhe vështirësive që has çdo ditë.

'I kemi hyrë një të panjohure. Shumica e familjarëve të mi i kam pasur në marrëdhënie policore. Mbarova studimet në një degë tjetër por pashë që tregu nuk kishte mundësi, pastaj u konsultova me tim atë dhe thashë ta provoj.

Policia në tërësi ka vështirësitë e veta, ka atributet e veta. Po pate pasion dhe dëshirë asgjë nuk është e pamundur. Vështirësi kemi ditë për ditë. Fizike, të stresit, të komunikimit me qytetarë të ndryshëm. Në asnjë moment nuk më ka ndodhur që të bëhem pishman. Janë kalimtare. Jam natyrë optimiste i shoh gjërat kalimtare

Shumë të rinj e kanë lënë shpejt këtë profesion, e kanë si zgjedhje momentale sepse tregu nuk iu ofron punë. Profesioni i policisë rrugore, ka një mbingarkesë të orarit të punës. Kërkon angazhim pak më shumë se profesion tjetër', thotë Baka.

Bledar Bajrami, punonjës në Shërbimin Zjarrfikës, tregoi se në një profesion të tillë futesh në ato vende nga të cilat njerëzit dalin me vrap.

'Nëse flasim për vështirësi, nëse një temperaturë jashtë 42 gradë, ne i afrohemi zjarrit që është 70 gradë. Mirë se na lagen këmbët futemi në uji deri në fyt. Në rastet e tërmeteve futemi edhe kur godina ka rënë. Ai që do të shpëtojë jetë, të sakrifikojë për të tjerët janë të rrallë. Shërbimi zjarrfikës, dikur në vitet e komunizmit ishte si ushtria. Pastaj vitet e demokracisë gjithë kjo pjesë lë për të dëshiruar. Ka zjarrfikës që kanë probleme të flakëve.

Nuk është diçka që do ta lakmonte si punë. Por kur shpëton njerëz sadisfaksion më të madh nuk ka. Para pak kohësh më ndaloi një zonjë, më thotë më ke shpëtuar fëmijën, je hero. Edhe nëse do kisha ndërmend për të gjetur një punë tjetër, këtë punë nuk e lë. Kënaqësia është shumë e madhe. Të shkosh nëpër humnera edhe të shpëtosh njerëz. Gjithë njerëzit dalin me vrap, ti futesh me vrap', u shpreh Bajrami.

Mjeku Alert Drishti thekson se çdo njeri mund të ekspozohet ndaj helmimit në vende pune me doza të caktuara mbi normën.

'Mund të them që çdo njeri që ekspozohet me doza të caktuara mbi normë ,është një subjekt që riskon helmimin. Nëse nuk merren masa që njerëzit të mos ekspozohen, me këto doza kërcënuese, një person i tillë është i ekspozuar. Mendoj që pjesët më të vështira janë ato momente kur duhet të shpëtojë jetë njeriu në një vend të ndotur. Në këto raste duhet të kemi parasysh atë veshjen me mbrojtje individuale, maskat, dorezat', theksoi mjeku. 

Ndërkohë ish-minatori Mark Gjergji bëri apel që të miratohet në parlament statusi i minatorit, pasi kjo shtresë është më e vuajtura në shoqëri.

'Kam shërbyer në sektorin e minierës Qafë Bari-Pukë. Vështirësi e tmerrshme. Nuk kishte çizme, kishte raste që nuk shërbenin as4 orë. Ushqimin e kishim me marrë me lekët tona. Nuk merrnin as ushqimin që i duhej minatorit. Nuk ushqehesha pasi kurseja për familjen. Ka minatorë që janë me pompë në xhep, sepse duhet të marrin frymë. Kërkojmë me domosdoshmëri miratimin e statusit të minatorëve. U bëj thirrje deputetëve të miratojnë statusin, që të mos tallen më me shtresën më të vuajtur se minatorët', nënvizoi minatori.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?