Profesionet e shtrenjta deklarojnë rroga minimale/ Tatimet në aksion ndaj informalitetit: Masa ndëshkuese për ata që nuk reagojnë

12 Nëntor 2020, 14:49| Përditesimi: 12 Nëntor 2020, 14:56

  • Share

Ndryshe nga çfarë mendohet, ata që ushtrojnë profesione të cilat paguhen shtrenjtë kanë deklaruar vlera të ulta të pagës . Një inxhinier p.sh rezulton me pagë minimale, 26 mijë lekë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve bizneset kanë nëndeklaruar pagat për 10 mijë e 785 punonjës gjatë muajit qershor. Më shumë shkelje janë bërë me profesionet të tilla si Inxhinier, Ekonomist, Farmacist, Mekanik, Murator, Saldator, Teknik d.

“Nga profesionet e analizuara tё lartpërmendura, u identifikuan me parregullsi nё deklarimin e pagave njё numër prej 5.359 tatimpaguesish dhe 10.785 punonjës”, thuhet në njoftimin e tatimeve.

Për të luftuar informalitetin në paga, Tatimet ju ёshtё drejtuar me letra të personalizuara si punëdhënësve ashtu edhe punëmarrësve tё identifikuar, duke iu kërkuar tё dy kategorive qё tё përmbushin detyrimin ligjor pёr deklarimin real tё nivelit të pagës ana e punёdhёnёsit, dhe duke kërkuar bashkëpunim punëmarrësit, tё cilët duhet të kërkojnë deklarimin real të pagës nga kёta punëdhënës.

Në total sipas njoftimit të Tatimeve janë dërguar 5.270 letra për punëdhënësit dhe 10.170 letra për punëmarrësit. Sipas administratës tatimore një aksion i tillë kundër informalitetit ka rezultuar pozitiv pasi referuar listëpagesave të muajit gusht dhe shtator të ardhurat e deklaruara nga punëmarrësit u rritën me mbi 6.9 milionë lekë, nga të cilat 5.2 milionë ishin kontribute dhe 1.6 milionë lekë tatim mbi të ardhurat personale.

Ndërkohë për ata subjekte që nuk i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje do të ketë një kontroll të dytë në terren dhe më pas do të merren masat e nevojshme. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se do tё vazhdojë luftën kundër Informalitetit jo vetëm nё sektorin e pagave, por nё tё gjithë sektorët e ekonomisë.

er.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?