Foto ilustruese

Profesionet që pritet të kërkohen dhe paguhen më shumë në 2022! Punëdhënësit do të konkurrojnë për punonjës

1 Janar 2022, 07:55| Përditesimi: 1 Janar 2022, 07:56

  • Share

Ritmet e larta të emigracionit, që vitet e fundit ka përfshirë dhe forcën e kualifikuar, shoqëruar me plakjen graduale të popullsisë, po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion në tregun e brendshëm të punës.

Sektorët që po vuajnë më shumë mungesën e fuqisë punëtore janë shërbimet, sidomos turizmi, i cili pritet të udhëheqë dhe rritjen e pagave këtë vit, i ndjekur nga teknologjia e informacionit, sidomos programuesit.

Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, një kompani e specializuar për punësimin, pohon se si rezultat, në të ardhmen e afërt, punëdhënësit do të konkurrojnë për punonjës!

Kjo konkurencë, sipas Pashajt, do të sjellë zhvillime pozitive në treg.

“Ata do te ngrenë pagat, përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës, rregullojnë orët e punës, zbatojnë kodin e punës, etj. Të gjitha këto do të vijnë si presion i tregut, i cili filloi të ndihet që në fillim të vitit 2019, duke u frenuar në 2020, por që erdhi në rritje në 2021 dhe pritet që të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në 2022”.

Pritshmëritë janë që rritja e pagave të jetë më e lartë për sektorët që sot paguajnë pak, ku paga minimale sipas Pashajt nuk do të jetë më e ulët se 40 mijë lekë, nga 30 mijë lekë që është sot. Ndërsa për pagat e larta rritja pritet të jetë më e ulët. Pozitive janë pritshmëritë dhe për teknologjinë e informacionit, punonjësit e të cilës po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Nga analiza e prirjeve gjatë vitit që shkoi, kërkesat që EPPC Albania ka pasur nga klientët tanë për kërkim dhe seleksionim stafi për ta, por edhe nga vëzhgimi i punësimit në tregjet e partnerëve në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bullgari, Mal i Zi dhe Kosovë, Shqipëria në vitin 2022 do të përjetojë rritjen më të lartë të pagave, kryesisht nga 6% në 15%.

“Kjo rritje page do të jetë e përgjithshme në çdo sektor dhe çdo pozicion. Ajo do t’i prekë të gjithë. Rritjen më të lartë pritet që ta ketë sektori i shërbimeve dhe për pozicione të caktuara ajo mund të arrijë në 20-30%. Sektori i shërbimeve në hotele, restorante, bare, apo shërbim ndaj klientëve dhe deri tek shërbimet e mirëmbajtjes hidraulike, elektrike, etj do të rriten ndjeshëm. Natyrisht që edhe shërbimet e tjera të kujdesit personal, apo punëve në familje, kujdesit shëndetësor, etj do të njohin rritje të lart gjithashtu. Rritja dyshifrore do të prek edhe shërbimet profesionale si ato ligjore, kontabël, projektime, trajnime, etj. Të gjithë profesionet në sferën e shërbimeve do të rriten”, thotë Pashaj.

Ai shton se në vitin 2022 punëdhënësit do të fillojnë të pranojnë tashmë realitetin e ri të tregut të punës.

“Koha e ankesave që nuk ka punonjës apo kaq mundësi kemi të paguajmë, etj., i përkasin së shkuarës. Këto pakënaqësi dhe ankesa nuk e zgjidhin problemin. Tashmë gara ka filluar, e kush do të dijë ta bëjë më mirë punësimin, zhvillimin dhe mbajtjen e punonjësve, do të jetë i suksesshëm nesër. Ky trinom, gjeje-zhvilloje-mbaje, do të përcaktojë tashmë e tutje se cili biznes do të jetë i suksesshëm dhe cili do të fillojë tkurrjen dhe humbjen graduale të pjesës së tij të tregut”.

Sot në Shqiperi nuk konkurrohet më vetëm për shitje, apo financim më të lirë, sot konkurrohet për njerëz. Dhe njerëzit nuk bëhen profesionistë vetvetiu. Punë ka dhe do të ketë edhe më shumë, edhe profesionistët bëhen. Ata Gjehen, Zhvillohen dhe Mbahen.

Natyrisht që sa më lart nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë, sepse zhvendosja e tregut në ekuilibra të rinj është një proces, dhe asnjë proces nuk ndodh sot me nesër, por gradualisht. Oferta dhe kërkesa për punë do të takohen në vitin 2022 në një pikë tjetër, më të lartë se sot.

Pashaj shton se duke u nisur nga faktorët që kemi marrë në konsideratë, pagat e ulëta do të kenë rritjen më të lartë. Punonjësit që punojnë në fasoneri, punëtori të ndryshme në ndërtim, punë të ndryshme në hotele, etj., të cilët sot paguhen neto nga 26,000 Lekë në 30,000 Lekë, do të paguhen neto nga 35,000 Lekë ne 40,000 Lekë, por edhe më shumë sipas rasteve. Shumë shpejt në të gjithë vendin, duke përfshirë dhe qytet e mesme apo të vogla, paga neto 40,000 Lekë do të jetë e pranishme.

Profesionet e mesme, specialistë të ndryshëm në shitje, financë, marketing, apo teknikë të mesëm që sot paguhen neto rreth 50,000 – 60,000 Lekë, do të marrin neto 60,000 Lekë – 72,000 Lekë.

Profesionet e larta ose drejtuese do të kenë rritje, por në përqindje në masë pak më të vogël se dy grupimet më lart. Pashaj gjykon që nuk do të ketë drejtues grupi me pagë më të vogël se 80,000 Lekë neto. Ndërsa drejtuesit e niveleve të tjera do të njohin rritje nga 6% në 10%.

Natyrisht të gjitha rritjet do të bëhen duke pasur si pikënisje pagën aktuale të punonjësit. Pashaj parashikon që një pjesë e vogël e rritjeve do të ndodhë gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, ndërkohë që pret që rritja të jetë më e madhe në muajt Prill, Maj, Qershor kur sektori i turizmit do të ketë nevojë akute për punonjës. Kërkesa e lartë për punonjës nga ky sektor do të ndikojë të gjithë sektorët e tjerë, që do t’i kundërpërgjigjen dhe kështu pagat do të rriten edhe në sektorët e tjerë deri në një ekuilibër të ri.

Rritje pritet që të kenë edhe të gjitha ato pozicione pune që lidhen me teknologjinë e informacionit, ku flamurin e pagave më të larta dhe rritjeve më të mëdha të pritshme e kanë programuesit. Tashmë rritjet e pagave çdo vit në këtë segment janë një realitet i dukshëm, por që do të vijojë edhe më tej në vitin 2022.

Pyetja që vjen natyrshëm nga cilido pasi lexon këto parashikime, është: – Ku do te gjenden paratë për të paguar këto rritje? Pashaj thotë se përgjigjia është vetëm një: do të rriten çmimet. Çmimet e shërbimeve do të rriten dhe më shumë sesa ato të produkteve. Të marrësh një shërbim nga dikush nesër, nuk do të ketë më çmimin e sotshëm. Me rritjen e çmimeve, do të përmirësohet edhe cilësia e shërbimeve dhe produkteve që marrim. Shembulli më klasik, që shumë prej jush mund ta kenë vënë re, është Mali i Zi.

Nëse ju i kujtoni çmimet në Malin e Zi rreth 7-8 vite më parë, atëherë mund t’i krahasoni me çmimet në  dy vitet e fundit. Mali i Zi pati një rritje shumë të madhe të çmimeve dhe kjo e nxitur në masën më të madhe nga çmimi i punës. Sot Mali i Zi është një nga tërheqësit e forcës së punës nga Shqipëria për dy sektorë, atë të turizmit dhe ndërtimit. Pagat në Mal të Zi janë ndjeshëm më të larta se në Shqipëri, edhe çmimet e shërbimeve po ashtu.

“Sot tregu i punës në Shqipëri është në ndryshim të vazhdueshëm. Ai ndikohet nga oferta për punë e brendshme, por edhe nga ajo e jashtme. Të dy ndikimet kanë presione të forta mbi forcën ekzistuese të punës dhe në periudha të tilla të dy palët mund të gabojnë në vendime apo zgjedhje. Këshilla kryesore për punëdhënësit dhe punëmarrësit është që ta shohin tashmë punësimin si të dyanshëm. Kjo është pikënisja për një marrëdhënie të shëndetshme. Së dyti, të vlerësojnë njëri-tjetrin në tërësinë e tyre si punëdhënës apo si punëmarrës dhe të mos fokusohen në pjesë të veçanta. Tërësia në një marrëdhënie pune, është më e rëndësishme sesa një pjesë e veçantë e saj”, përfundon Pashaj./MONITOR/

Komento

Komente

  • Riku: 01/01/2022 12:25

    Po cthoni mo njerez ekspert. Jetoni me realitetin apo jo. Ketu shteti do njerez pa shkolle qe te firmosin cdo gje me sy mbyllur. Kush po pyet per tregun e punes. Tek privati ehh dhe ndoshta do filloj..por ketu tek ne ska kompani private. Ne kuptimin e plot te fjales. Ketu ka vetem biznes familjar. Me nivel te ulet menaxhimi..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?