POLIÇAN- Mes miqve, kolegëve, qytetarëve të Poliçanit dhe shumë dashamirësve, u zhvillua ditën e diel ceremonia e dhënies së titullit "Qytetar Nderi" Prof.Asoc.Dr Hysen Binjaku.
Me Vendimin nr. 44 datë 18.09.2020, Këshilli i Bashkisë Poliçan i jep Prof.Asoc.Dr Hysen Binjaku titullin “Qytetar nderi i Poliçanit” me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në konsolidimin e arsimit të mesëm, zhvillimin e shkencave matematike si dhe mbështetjen e pa kursyer të studentëve të Poliçanit”.
Ceremoninë e organizuar me këtë rast, në një nga sallat e qendrës kulturore të Poliçanit, e hapi Astrit Hasa, Nënkryetar i Këshillit të Bashkisë Poliçan dhe mësues në Gjimnazi “Muhamet Kondi” Poliçan, i cili i njohu të pranishmit me vendimin e këshillit të bashkisë si dhe motivin që shtyu këtë këshill për marrjen e këtij vendimi. Më tej, ai bërë një përmbledhje të shkurtër të asaj çfarë ka bërë zoti Hysen Binjaku në 47 (dyzetë e shtat) vite punë si mësues, drejtues dhe pedagog.
Kryetari i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotka, në fjalën përshëndetëse e vuri theksin tek puna që është bërë nga të gjithë mësuesit e Poliçanit në vite (në shtator 2019 Gjimnazi i Poliçanit festoi 50 vjetorin). Por, në të njëjtën kohë, Ai kërkoi që ishnxënës të këtij gjimnazi, që sot janë të shpërndarë në gjithë Shqipërinë, ta kthejnë kokën dhe sytë edhe nga Poliçani, pasi komuniteti i këtij qyteti ka nevojë edhe për kontributin e tyre.
Në emër të ish mësuesëve, bashkëkohës të Hysenit dhe mësuesve të tanishëm në Gjimnazin “Muhamet Kondi” përshëndeti mësuesi i matematikës zoti Agim Qamirani, mësuesi me më shumë vite kontribut në këtë gjimnaz, deri më sot plot 38 (tridhjetë e tetë) vite. Në fjalën e tij, Agimi vlerësoi kontributin e mësuesëve dhe drejtuesëve të parë të shkollës së mesme Poliçan, në fillimet e saj në vitet 70 – 80, Spiro Qirko, Lesko Gjata, Demir Hysenbelliu, Flamur Manushaqe, Luljeta Nure (Kapore), Kozma Mitro, Shpëtim Ylli, Edlira Bendo, Vladimir Bici, Petrit Mëno, Hysen Binjaku, Ibrahim Tërpollari, Bajram Dalipi, Shkëlqim Salillari, Hysen Flamuri, Liljana Reçka, Arshin Rexha, Astrit Shatro etj etj.
Mësues Agimi, me nota humori, i kujtoi drejtuesëve të pushtetit vendor, që të qëndrojnë më afër njerëzve që kanë kontribut të shquar për komunitetin, dhe t’i vlerësojë ata si duhet dhe në kohën e duhur, duke thënë: “Kësaj radhe Pushteti Vendor i Poliçanit ka qëlluar në shenjë, ka qëlluar tek 10 (dhjeta). Profesor Hyseni është vërtet më i riu Qytetar Nderi i Poliçanit, ashtu siç tha edhe Kryetari i Bashkisë, zoti Adriatik, por Ai është Qytetar Nderi i Qytetarëve të Nderit të Poliçanit”
Në emër të ish nxënësve të Gjimnazit “Muhamet Kondi” përshëndeti zoti Rustem Zyko, nga fjala e të cilit veçojmë: Profesor Hyseni shquhej për metodikën që përdorte në dhënien e lëndës së matematikës. Ai shpjegonte, brenda të njëjtës orë mësimi, për nxënësitshumë të mirë, mesatarë dhe me dobësi (jo të gjithë e kanë qejf matematikën). Ne, nxënësve të mirë, nuk na vinte kollaj notën dhjetë, por edhe na thoshte: “mos më kërkoni notën por luftoni të keni njohuri të qëndrueshme, se kjo do t’u duhet kur të shkoni në Universitet”. Dhe, kishte të drejtë, ndaj i përkulemi sot me respekt.
Një tjetër ish nxënës i kësaj shkolle, sot gazetar në një nga televizionet me emër të vendit, Andi Kapxhiu, në përshëndetjen e tij tha: “Profesor Hyseni, ta gëzosh titullin “Qytetar Nderi i Poliçanit”, një vlerësim shumë i madh dhe mëse i merituar. Përveç atyre që u thanë nga paneli dhe parafolësit, unë do të të përkufizoja me një fjalë të vetme “LIDER”. Sepse, me cilësitë e Tua, kjo fjalë të shkon për shtat. Lider në punë dhe profesion, sepse suksesin dhe meritat i ke ndarë me kolegët. Lider dhe pikë mbështetje në familje dhe më gjerë. Profesor, ju uroj çdo të mirë në jetë”.
Në emër të familjes përshëndeti vajza e dytë e profesorit, Dr.Aurora Binjaku, e cila, së bashku me motrën e madhe të saj Aurela, kanë lindur në Poliçan, dhe u larguan prej andej kur Profesor Hyseni, në vitin 1982, u transferua në Tiranë, pedagog i matematikës në Universiteti e Tiranës. Aurora, sot shefe e Departamentit të Informatikës në Fakultetin e Inxhinieri, Informatikë dhe Arkitekturë, në UET, pasi falënderoi Këshillin e Bashkisë për vlerësimin e punës sëbabait të saj, soli për auditorin e ceremonisë këtë kujtim të sajë: “Pasi ikëm nga Poliçani, natyrisht të vogla, unë dhe motra ime, Aurela, vinim shpesh në Skrapar tek gjyshërit nga babai në Çerricë dhe gjyshërit nga nëna në Gradec Qendër. Autobusi, me të cilin udhëtonim, në Poliçan bënte një pushim të shkurtër tek sheshi i qytetit. Por, mbaj mend që, edhe pse pushimi kishte mbaruar, edhe pse pasagjerët ishin sistemuar nëndenjëse, edhe pse shoferi, xhaxhi Aliu, i binte here pas here burisë, Autobusi nuk nisej. Pritej të vinte udhëtari i “vonuar”, im Atë, që bisedonte e përcillej me një varg të gjatë njerëzish. Sot po e kuptoj atë vonesë, paska patur të drejtë”.
Profesor Hysen Binjaku me familjen në ceremoninë e marrjes së çmimit
Kryetarja e Këshillit të Bashkisë Poliçan, Mimoza Lulaj, pasi bëri të ditur arsyet dhe motivin pse ky këshill mori vendimin që e shpall zotin Hysen Binjaku “Qytetar Nderi i Poliçanit”, i dorëzon atij Certifikatën përkatëse. Profesor Hyseni, në fjalën përshëndetëse tha: “FalënderojKëshillin e Bashkisë Poliçan, Kryetarin e Bashkisë për nderimin që më bënë. Unë këtë e konsideroj si një vlerësim për punën time dhe jo vetëm. E konsideroj si vlerësim për punën e një plejade të tërë mësuesish të Poliçanit, që nga cikli i ulët deri në maturë. Unë, i vetëm, nuk mund të bëja asgjë pa kontributin e të gjithëve, prandaj e quaj vlerësim, edhe për Ata, që një mësues i Poliçanit nderohet me këtë titull”.