“Po i jetoj këto ditë me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje ndaj atyre që po më mbështesin, më qëndrojnë pranë dhe po i japin zë asaj që ka ndodhur, në mënyrë që të bëhet dritë.” Këto janë fjalët e Michele D’Angelo, pedagog në Universitetin e L’Aquila-s, në një mesazh të shpërndarë nga bashkëshortja e tij, Vanessa Castelli, e cila sot e vizitoi në burgun e Fierit, ku ndodhet prej rreth 50 ditësh në paraburgim pas një aksidenti rrugor të ndodhur më 8 gusht.
“Nuk mund ta fsheh që masa e paraburgimit më duket, sipas mendimit tim, e tepruar – shkruan ai. – Është një gjendje tepër e rëndë, e bërë edhe më e vështirë nga fakti që ndodhem larg shtëpisë, në një vend gjuha e të cilit nuk e njoh. Duke marrë parasysh sjelljen time, historinë time personale dhe profesionale, si dhe ekzistencën e alternativave të tjera që mund të garantonin respektimin e procedurave pa e cenuar më tej shëndetin dhe ekuilibrin tim psikologjik, shpresoj me të vërtetë që kjo reflektim të merret në konsideratë me kujdes.”
Profesori, përmes bashkëshortes së tij, rithekson gjithashtu besimin tek institucionet vendase: “Kam besim në punën e autoriteteve shqiptare dhe në aftësinë e tyre për të vlerësuar çdo element me paanshmëri.”
Në qendër të mesazhit është mbështetja e shumë njerëzve: “Përkrahja që po marr nga Vanessa, nga kolegët, studentët dhe institucionet është ajo që më ndihmon të mos rrëzohem. Është spiranca ime. Çdo fjalë që vjen nga jashtë, çdo gjest, çdo shenjë vëmendjeje është si një dritare që hapet. Vanessa më mban të informuar, më tregon çfarë po ndodh, më përcjell forcën e atyre që nuk kanë reshtur së besuari se faktet do të lexohen me drejtësi.”
D’Angelo e mbyll mesazhin me një thirrje për proporcionalitet: “Dhe unë, prej këtu, vazhdoj t’i jetoj këto ditë me disiplinë, me durim dhe me shpresën që kjo vëmendje të kthehet në qartësi. Nuk kërkoj mëshirë, por të vërtetën. Nuk kërkoj privilegje, por proporcionalitet.”
Komente
