'I duruar, i fituar', thotë populli. Kjo shprehje më së miri mund t'i shkojë përshtat Nazmi Gripshit, sulmuesit anësor dhe fantazistit të Astanas, i cili në moshën 28-vjeçare ka marrë për herë të parë ftesën për në Kombëtaren A.
Dëmtimi i Adrion Pajazitit ka bërë që pjesa ofensive e skuadrës të ketë një vend të lirë, me Sylvinhon që i ka dërguar një ftesë durrsakut Gripshi për të veshur fanellën kuqezi. Gripshi ndodhej në Astana, por një telefonatë me gjasë duhet ta ketë përlotur.
Paçka 4.028 kilometrave të udhëtimit, Nazmiut kjo i është duket si pengesa më e lehtë për të veshur fanellën që të gjithë e ëndërrojnë që në fëmijëri, e që me gjasë i shtyn për të goditur në fushë topin.
Gripshi nuk është i panjohur për tifozët në Shqipëri, pasi ka nëntë trofe "mbi supe".
KARRIERA
Verën e 2014, Gripshi, 17-vjeçar askohohe linte moshat U-17 të Teutës dhe bashkohej me ekipin U-19 të durrsakëve dhe pas vetëm një sezoni do firmoste kontratë me ekipin e parë. Korriku i 2015 është i shënuar për të, pasi aty mori udhë ëndrra për të shkëlqyer në fushë.
Dy vite te Teuta bënë që Gripshi të rritej në lojë dhe të bëhej gati për trofe. Këtë besim ia dha Skënderbeu, që kishte disa sezone që fitonte trofe radhazi. Korçarët paguan 60 mijë euro për ta marrë nga Teuta, shumë kjo që për futbollin tonë mund të quhet e konsiderueshme.
Për tre sezone në Korçë Gripshi fitoi tre trofe me Skënderbeun, kampionat, Kupë dhe Superkupë.
Vera e vitit 2020, kur të gjithë ishin nën pandeminë Covid-19, solli largimin e tij drejt Kosovës. FC Ballkani i besoi një fanellë titullari dhe për katër sezone ai u kthye në futbollistin e preferuar të tifozëve. Me pasionin, golat dhe qetësinë që e karakterizon, Gripshi duhet të ketë bërë për vetë shumë tifozë në Therandë, pasi jo më kot ka fituar pesë trofe.
Më 7 janarin e vitit 2024 Gripshi zgjodhi të kalonte te Astana në Kazakistan. Kontrata e majme bëri që durrsaku mos mendohej dy herë, paçka largësisë nga familja dhe një ambienti tërësisht të ri.
Kalimi në kampionatin kazak ishte i qëlluar për të, pasi këtë sezon ia ka dalë të zhvillojë 27 ndeshje (2.106 minuta në total), duke shënuar 15 gola dhe asistuar gjashtë herë.
Pa shumë bujë në rrjetet sociale, me këmbë në tokë dhe me mendjen te puna, Gripshi ia ka dalë të sigurojë një ftesë për në Kombëtare. Nëse debuton, padyshim do jetë dita më e madhe në karrierën e tij.
Gripshi në 2015 ka qenë pjesë e Kombëtares U-19, më pas e asaj U-20 dhe në 27 mars 2017 ka luajtur një takim për Shqipërinë U-21. Tanimë, pas afro tetë vitesh e gjysmë ai rikthehet me ngjyrat kuqezi, por këtë herë me ekipin A.
Kombëtarja luan më 11 tetor në Leskovac kundër Serbisë, sfidë kjo që vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, ndërsa tre ditë më pas në 'Air Albania' vjen Jordania, në një miqësore.
Komente
