PROFIL/ Historia e Vilma Dules, vajzës që mposht çdo gjë me buzëqeshje gjithëpërfshirëse

27 Nëntor 2020, 13:06| Përditesimi: 27 Nëntor 2020, 13:11

  • Share

“Sot, unë jam një Grua që nuk dua më të fshihet, sepse nuk kam më frikë. Sot, unë jam një Grua që i dua plagët sikur të ishin rrënjët e mia” Vilma Dule.

Për të mposhtur një grua nuk mjafton dhuna fizike, nuk mjaftojnë kërcënimet, frika apo çfarëdo lloj mënyrë tjetër barbare. Një grua e mposht kur ajo heq dorë së dashuri veten dhe së besuari tek forca e saj. Kjo histori nuk është për ty që në çdo kopsht me lule shumëngjyrëshe do shikosh vetëm gjembat që të çjerrin, nuk është për ty që në çdo zgjidhje do shikosh probleme, nuk është për ty që në çdo arritje do shikosh vetëm pjesën që nuk ke, nuk është për ty që para një përdhunimi fajtori është gjithmonë viktima. Kjo histori ka nevojë për zemër të fortë dhe të paralajmëroj që nëse nuk e ke, mos e vazhdo këtë artikull.

Ka vajza që kanë lindur për të ndryshuar botën dhe ndoshta rruga që duhet të ndjekin mund të jetë ndër më të vështirat, plot sakrifica e disfata. Misioni i tyre do hasë gjithë vështirësitë e mundshme dhe shpesh mund të gjykohen apo paragjykohen. Historitë e tyre mund të shtrembërohen deri në atë pikë sa të kalojnë për fajtorët kur ndërkohë kanë qenë heroinat në këtë mes.

Nuk duhet të çuditemi kaq shumë pasi historia ka treguar se nëse i japim krahë ligësisë së njerëzimit, gratë do vazhdonin të digjeshin në turrën e druve me akuzën e herezisë (siç ka ndodhur rëndomt në mesjetë) apo do flijoheshin  si “The Stoning of Soraya” (ju këshilloj mos ta humbisni këtë film, sërish nëse keni një zemër të fortë).

Kur fillova të informohesha për historinë e vajzës së këtij artikulli, një lëmsh i madh mu krijua në fyt dhe nuk arrija dot ta kapërceja. Më kujtoi atë herë kur studente në Milano vendosa të shkoja vetëm në kinema  (pasi miket e mia mendonin se ishte një histori shumë e fortë, me tema të dhunshme dhe nuk e përballonin dot) për të parë filmin “Hannibal Lecter, the Rising”. Më kujtohet që dola nga kinemaja me një urrejtje për njerëzimin dhe për ditë me radhë ajo shije e hidhur në gojë nuk ikte në asnjë mënyrë.

Filmi kishte një mesazh vërtetë të fortë : Ligësia e njerëzve (nazistëve në këtë rast) mund të kthente në një mostër një krijesë të pafajshme. Fatmirësisht vajza e këtij artikulli ka një forcë të jashtëzakonshme dhe nuk lejoi që ligësia e personit që i ndryshoi jetën, një ditë gushti 2013, të fshinte buzëqeshjen e saj (ndoshta buzëqeshja më e ëmbël dhe më gjithëpërfshirëse që unë mund të kem hasur deri tani) dhe të mbillte ligësinë në shpirtin e saj. Përkundrazi, kjo vajzë ka një forcë që nuk mund ta imagjinoni. Nëse ka një person që mund të lëvizë malet ajo padyshim që do ishte Vilma Dule për mua.

Vilma ishte një administratore (CEO) call-centeri në Tiranë në 2013 dhe një ditë, tek zbriste shkallët e pallatit, dikush e sulmon me acid dhe largohet në atë çast. Vilma shoqërohet menjëherë në spital duke pësuar djegie të shkallës së tretë. Ndërkohë që luftonte për jetën dhe mundohej të gjente një shpjegim se pse një qenie tjetër njerëzore do mund ti bënte dikujt një makabritet të tillë, familja nga ana tjetër ishte në vëmendjen e mediave me titujt aspak të hijshëm.

Vilma e mban mend mirë ato kohë se si historia e saj u ndryshua, u manipulua dhe u trazua aq shumë për të shitur disa gazeta e për tu bërë disa ditë faqja kryesore e lajmeve- ku herë paraqitej si viktima e herë si “jo aq shumë e pafajshme” (pyes veten çfarë mund të ketë bërë vallë qe mendimi publik të vjellë kaq shumë vrer kundrejt një vajzë 26 vjeçare dhe nuk dënon agresorin bashkë me aktin e urryer).

Nuk ka gjë që mund të justifikoj dhunën, qoftë atë fizike apo atë psikologjike. Dhuna është dhe do mbetet një krim dhe kjo nuk lë vend për diskutime apo opinione. Ndaj Vilma vendosë të mos lëshoj asnjë deklaratë, asnjë intervistë për asnjë rast, në asnjë moment. Thyerja e heshtjes vjen në 2018, falë këmbënguljes së mikut të saj, gazetarit Andrea Danglli, ku Vilma për herë të parë do vendosë të ndajë një pjesë të historisë së saj.

Vilma u ndje e vetme, e pambrojtur  dhe e huaj në vendin e vet. Asnjë organizatë që mbron gratë dhe të drejtat e njerëzve u ngrit në atë kohë. Forcat e policisë dështuan mizorisht dhe mjekët po ashtu po shkonin drejt asaj rruge me shëndetin e saj.  Familja mori vendimin të transferoheshin në Itali, ku Vilma do merrte kurat e nevojshme. Do i duheshin plot 6 vite dhe 30 operacione që Vilma të ri-ndërtonte atë që në pak sekonda dhe me një acid me kosto qesharake ti shkatërronte dhe të vendoste në rrezik jetën.

Por Vilma nuk dëshiron të ndalet shumë në këtë pjesë (dhe ka gjithë mbështetjen time për këtë gjë) : “Më shumë sesa për atë që ndodhi, që besoj nuk e pasuron tregimin, përkundrazi e degëzon dhe e largon nga thelbi, dua të flas çfarë ndodhi më vonë dhe çfarë po ndodh tani në jetën time. Pasi sulmi nuk mund të përcaktoj gjithë jetën time, që ishte dhe është shumë herë më e pasur se ai gjest fatkeq.”

“E kam në mendje atë Vilmën e viteve 2009, që organizonte me të tjerët grevën e studentëve të juridikut  në Vlorë dhe ekspozohej kundër dekanit dhe sistemit që nuk donte të na njësonte diplomat. Luftëtare pra që në gjenezë, pasi kjo është e vërteta; unë luftoj për gjërat që besoj dhe nuk e kam pranuar dot kurrë padrejtësinë.

Ajo Vilma e atyre viteve kurrë nuk mund ta imagjinonte se një ditë do ishte viktime e një sulmi si ai që ndodhi. Jo vetëm sepse sulmi me acid ishte I panjohur për shoqërinë tonë, por dhe sepse mendojmë që këto gjëra i ndodhin gjithmonë të tjerëve, atyre që nuk njohim dhe që janë larg nga realiteti ynë.”

Në intervistën me Adrea Danglli do shkëpus vetëm një fragment: “Unë u sulmova nga arsye profesionale nga meshkuj që nuk pranonin të ishin nën drejtimin e një femre dhe të bashkëpunonin me të”. Kjo frazë godet fort në mendjen time që ditën e parë që e lexova dhe më tmerron në palcë kur mendoj se sa shumë vajza e gra dhunohen apo humbasin jetën për shkak të egos së një burri.

“Ja pse, sot mesazhi që dua të transmetojë është qe empatia që femrat në radhë të parë (pastaj të tjerët) duhet të shfaqin ndaj njëra-tjetrës. Nëse një femër sulmohet, dhunohet apo vritet, secila nga ne humbet. Ajo çka i ndodh njërës nga ne, mund të na ndodhi të gjithave.”

Rrëqethëse fjalët e Vilmës e ndërkohë që shkruaj nuk arrij dot të përmbaj sërish atë shijen e hidhur që më krijohet në gojë dhe atë lëmshin e madh që më bllokon frymëmarrjen. Një vajzë e re 26 vjeçare me shumë ëndrra dhe plane për jetën, një ditë të bukur zgjohet në mëngjes dhe jeta e saj nuk do jetë më kurrë si më parë. Iu desh të luftonte shumë për jetën dhe të rigjente sërish qetësinë, të shikonte sërish veten në pasqyrë dhe të pranonte se sot është një grua e vetëdijshme për forcën e saj- “sepse e di që kufijtë e vërtetë janë ato që vendosim vetë.”

“Sot, unë jam një Grua që nuk dua më të fshihet, sepse nuk kam më frikë. Jam një Grua që zgjedh të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse tashmë e di që bukuria e vërtetë u përket atyre që kanë një shpirt të pastër dhe janë në paqe me ndërgjegjen e tyre. Sot, unë jam një Grua që i dua plagët sikur të ishin rrënjët e mia.”

Vilma e ka të trashëguar këtë forcë të jashtëzakonshme të luftëtares dhe mbijetuarës. I kujtohet kur i ati i thoshte shpesh kur ishte e vogël: “ Mëso që të jesh e pavarur dhe mos t’ia kesh nevojën askujt, as mua.” Dhe Vilma ashtu bëri, mësoi të luftoj dhe me kokën lartë të jetë një frymëzim për shumë vajza dhe gra.

Gjeti sërish rrugën e saj dhe në 2019 tregoi historinë e saj në një Konferencë Internacionale në Paris. Gjatë rrugëtimit të saj drejt shërimit dhe rikuperimit pati mundësinë të njohë shumë vajza dhe gra të tjera që ndanin histori të ngjashme si ajo dhe konfirmoi atë që tashmë dinte- nuk ka rëndësi se në cilin shtet lind, nëse lind grua në këtë botë duhet të punosh trefish për të arritur standardet që shoqëria ka vendosur dhe burrat e gëzojnë si të “drejtë hyjnore” që në lindje.

Përpos të gjithave, Vilma ndihet me fat pasi ka pasur dy prindër që e kanë mbështetur gjithmonë dhe një baba që e ka prezantuar për herë të parë me termin “feminizëm” (të gjitha meritojmë të kemi një baba të tillë). Pati mundësinë të integrohet në një shoqëri perëndimore, ku tashmë jeton prej 6 vjetësh, dhe angazhohet në çdo projekt (qoftë edhe në mënyrë vullnetare) apo fondacion që është në linjë me vlerat e saj.

Themelon shoqatën “PERSONA” që promovon dhe sensibilizon nëpërmjet ekspozitave artistike rëndësinë e arterapisë  për rehabilitimin e pacientëve të djegur apo grave viktima të dhunës; lufton fortë  për të mos lejuar qarkullimin e lirë dhe të pakontrolluar të lëndëve si acidi (një ditë, në një të ardhme të afërt, e imagjinoj në një podium të UN Women duke u kthyer dhe në një figurë të rëndësishme).

“Ajo çfarë më bën të buzëqesh çdo ditë është fakti që jam e ndërgjegjshme dhe mirënjohëse që jam ende gjallë dhe e shëndetshme. Nëpërmjet projektit “PERSONA” po ndihmojë njerëz të tjerë të transformojnë plagët e tyre në art.”

Zakonisht kur firmos një shkrim e bej me moton; Kokën lart dhe zemrën e hapur, Luftëtare.  Kjo sepse një Luftëtare nuk duhet ta uli kokën asnjëherë, pasi në të kundërt humbet horizontin e ëndrrave të saj”

E imagjinoj shumë shpejt si autore e një libri best seller dhe në podiume të ndryshme, jo vetëm duke ndarë historinë e saj por edhe duke sensibilizuar shumë vajza e gra, që të bëjnë para dhe të ndajnë historinë e tyre, pasi siç thotë edhe Vilma : “Kjo çon në një evolucion shoqëror, se me revolucione e kemi kuptuar që nuk ndryshon Shqipëria”.(colorourlives)

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tina: 03/12/2020 22:32

    Se ti Vilma je rreze dielli ne nje dimer te eger je fllad freskie i nje vere te nxehte,ti je vete jeta,ti je bukuri shpirterore dhe bukuri fizike. Ti ke gjithcka qe nje femer do donte kishte.❤️❤️

    Përgjigju
  • Arben: 27/11/2020 13:30

    Shume Respekt per kete grua te bukur dhe te fort

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?