PROFIL/ Historia e Ymer Ketës, pensionisti që ka botuar 17 libra (VIDEO)

2 Shkurt 2021, 22:58| Përditesimi: 2 Shkurt 2021, 23:11

  • Share

LEZHË- Dalja në pension nuk e demoralizoi aspak, por i nxori nga sirtari ëndrrën e hershme të tij....të shkruarit.

I apasionuar pas krijimtarisë artistike, që prej vitit 2000, jeta e veprimtaria e 74-vjeçarit Ymer Keta nga Bulqiza më banim në Lezhë është e dokumentuar dhe deri tani ka botuar 17 libra, pjesën më të madhe të cilave ia kushton vendlindjes.

"Çdo vit, çdo muaj i kam të dokumentuara. Qoftë eventet artistike, fizike, lëvizjet në shtete të botës. Puna e ditarit ma ka nxitur kur isha në punë në shërbimin sekret. Bënim ditar. Libra të botuar të miat kam 17. I kam radhitur në bibliotekë. Pjesa më e madhe janë monografi, 2 janë poezi", tha shkrimtari, Ymer Keta.

Gjyshi i 14 nipër e mbesa, ditën e nis me kafen e mëngjesit, leximit të shtypit e më pas futet në bibliotekën së vogël të krijuar brenda në shtëpinë e tij, për të shkruar botimin e radhës që e ka drejt fundit, të cilin ia kushton trojeve etnike të kombit shqiptar.

"Jeta ime është e ndarë në dy pjesë. E para ka qenë nga viti im i lindjes, deri në 2002 që kam dalë në pension dhe e dyta nga 2002 deri më këtej. Nga dita që kam dalë në pension unë nuk kam lënë asnjë ditë të pa organizuar. Kam organizuar ditarin, të shkuarit në bibliotekë. Ritualin ditor e kam çdo ditë. E nis me kafen e mëngjesit, me bibliotekën dhe shtypin ditor. Pastaj filloj i dokumentoj në kompjuter. Tani kam një projekt të vështirë. Lëvizjet, shëtitjet turistike që kam bërë në trevat e Shqipërisë i kam dokumentuar dhe do i hedh në libër", tregoi Keta.

I moshuari, prind i gjashtë fëmijëve, thotë se puna e tij nuk do të ndalet deri sa të ketë jetë.

"E vetmja pasur pas fëmijëve dhe shtëpisë është biblioteka. Pasioni thyen çdo moshë. Të paktën kështu e kam ndjerë dhe po e ndjej. Nëse më lë mosha dhe jeta  ta vazhdoj ma do mendja që mos të heq dorë", tha Keta.

Apeli i tij është që njerëzit e sidomos të rinjtë  të orientohen sa më shumë drejt krijimtarisë dhe leximit.

"Kam një mesazh për të rinjtë: Asgjë përpara librit nuk mund të argumentojë. Argumenti më i madh është libri. Libri është ai që të fokuson në të gjitha drejtimet dhe nuk të lë me u marrë me pisllëqe", përfundoi shkrimtari, Ymer Keta.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?