PROFIL/ Kërceu me mjeshtrit e Ansamblit si Rexhep Çeliku, sot u trashëgon vallen të rinjve! 37 vjet të Brikena Jaupajt në Opera, mes emocioneve e sakrificave

30 Korrik 2023, 19:33| Përditesimi: 30 Korrik 2023, 19:59

  • Share

Brikena Jaupajt vallja i rrjedh në vena.

“Kur shikoja prindërit që kërcenin dhe vallëzonin, unë isha gjithmonë e pranishme në mes të tyre”, tregon ajo

37 vite karrierë, si soliste valltare në Ansamblin Shtetëror e tanimë drejtuese e valleve, tek kthehet pas në kohë, vallëzimet e para i kujton në krahët e të atit.

“Duke qenë se babi kishte dëshirë të kërcente dhe nuk e arriti dot ta realizonte këtë gjë, të gjithë atë pasion që kishte ma trashëgoi mua. Më ngjizi dëshirën për kërcimin!”, shprehet artistja.

Nisi të ëndërrojë majë gishtave që në moshën 6-vjeçare. Hap pas hapi, nga Pallati i Pionerëve në Shkollë të Baletit e Akademinë e Arteve, perfeksiononte lëvizjet.

Janë të shumta figurat që e ndihmuan drejt fluturimeve skenike, e po aq e madhe mirënjohja…

“Para Akademisë së Arteve, në vit të tretë të shkollës ss mesme, në një orë mësimi, futet I madhi profesor Panajot Kanaçi. Pasi na kishte parë me vëmendje përzgjodhi tre nga shokët e mi të klasës dhe mua. ‘Ju do vini dhe do të merrni pjesë në sallën e Ansamblit’, na tha. Për ne ishte diçka e jashtëzakonshme!”, tregon ajo.

E kujton me emocione kontaktin e parë me Ansamblin.

“Ka qenë ëndërr! Kishim mundësi të takonim nga afër yjet e Ansamblit si i madhi Besim Zekthi, Rexhep Çeliku, e shumë të tjerë të cilët meritojnë të përmenden të gjithë sepse kanë qenë të mrekullueshëm”, thotë më tej.

Për talentin e punën e palodhur, pas një viti angazhimi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, e bëjnë pjesë të tij në vitin 1988.

“Kemi bërë koncerte pa fund brenda dhe jashtë vendit”- tha ajo.

 E kujton një prej daljeve të para me trupën jashtë kufijve, e bashkë me të emocionet e bukura sakrificat e mëdha, si nënë e dy vajzave.

“Në vitin 1994 kemi qenë në Amerikë e Kanada. Ishte hera e pare që shkonim, diçka shumë e bukur. Unë të them të drejtën kam ikur me kokën mënjanë sepse kisha vajzën e vogël e lashë shtatë muajsh.’- u shpreh ajo.

Kisha sa emocione të forta për punën aty ku vajta, aq dhe kur u ktheva, se shikoja fëmijën që më hidhej në krah. Nuk e di, nuk e përshkruaj dot”, shprehet përgjegjësja e valleve.

I ka dhuruar prestigj e çmime trupa e valleve të Ansamblit Shqipërisë. 

“Kemi lëvizur në shumë shtete të botës, Amerikë, Gjermani, Kinë, Kosovë, Itali etj. Janë festival të tëra që jemi vlerësuar me medalje dhe shumë çmime. Kudo që kemi shkuar, kur shikonin se si ne e elektrizonim skenën brohorisnin ‘Forca Albania!’”, shprehet ajo.

Brikena, është një nga valltaret që zgjodhën të qëndrojnë, kur largimi në masë i artistëve, i hapi një plagë të madhe teatrit, që kulmoi në ’97-ën. Vetë artistja duhet të performonte njëherazi në disa shfaqje e një larmishmëri vallesh.

“Më ra pesha që unë duhet të bëja shumë shumë punë se po kërceja me Rexhep Çelikun. Ai kishte arritur majat, kishte krijuar figurën e tij dhe unë që të kërceja në krah të një kolosi duhet të punoja dhe pas provave. Të mendoja se si të arrija më të mirën, që ‘krahu i shqiponjës’ të ishte aty ku ishte Rexhepi”, thotë më tej.

Ndonëse në kushte të vështira, koreografë e kërcimtarë e mbajtën vallen shqipe gjallë… Janë të shumta momentet e suksesit që Jaupaj përmend gjatë dekadave të fundit.

“Ne kemi dhënë disa premiera si "Trimat e Jubinës", "Sokaku i të marrëve" të Gerti Drugës. Por më herët në 2001 kemi vënë në skenë "Rend o Maratonomak" të profesor Agron Alisë”, shprehet ajo.

Mes detyrave gjatë rikthimit në punë si përgjegjëse e valleve në Ansambël, ishte edhe Samiti i BE në Tiranë, ku siç thotë fokusi I saj ishte që të sillte në valle të gjithë Shqipërinë.

“Fokusi im ishte puna dhe besoj se në sytë e gjithë  botës ne duhet të ndihemi krenar se përmes saj doli në pah trashëgimia dhe folklori ynë i jashtëzakonshëm, ngjyrat e bukura dhe kostumet”, tregon valltarja.

Trupa e Valleve të Ansamblit i dha shkëlqim së fundmi Festivalit të Gjirokastrës. Moment kulminant ishte performanca me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve "Shota" të Kosovës.

‘Titulli i koncertit ishte "Ne jemi një" (i ideuar nga Alban Tahiri). Ne kemi pasur dhe herë të tjera bashkëpunime, por kjo shkrirje e trupës se bashku ishte një gjë e mrekullueshme… Them atë që tha drejtori i Ansamblit ‘Shota’, se ‘Ky është ansambli i shqiptarëve tashmë!’. Mendoj se kjo traditë duhet të vazhdoj…”, tregon ajo.

Është e lumtur Brikena që po vijon traditën e u trashëgon brezit të ri, mësimet që mjeshtrit e valles i dhanë dikur. Thotë se në ta shikon të njëjtin pasion e dashuri për trashëgiminë.

‘Gjithmonë artisti ka një fillim, ka një kulm dhe duhet ta kuptoj vetë se ashtu siç je ngritur në maj me dinjitet, duhet edhe që të largohesh me dinjitet. Të largohesh në aspektin që atë mjalt që ti ke mbledhur të mundohesh tua dhurosh brezave të rinj ashtu siç të parët na i mësuan ne. Kënaqësia ime më e madhe kjo është sot”, shprehet Jaupaj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?