Politikë
Ekonomi

Programi ekonomik ‘Rama 4’/ Paga minimale 500 €, pensioni 200 €! ‘Paqe fiskale’ biznesit! Dronët do 'kapin' pesticidet

17 Shtator, 15:04| Përditesimi: 17 Shtator, 15:26

  • Share

Rritje pagash, pensionesh, rishikim taksash, aplikimin e ‘paqes fiskale’ e një sërë projektesh infrastrukturore, turistike e bujqësore, parashikohen në programin qeverisës të Partisë Socialiste në këtë mandat të 4-të. Pas vitit 2028, angazhimi i qeverisë është që të zhduk përdorimin e parasë cash.

Në vitin 2026 paga minimale në vend do të rritet nga 400 euro aktualisht në 500 euro dhe për 18 muajt e parë të aplikimit të kësaj rritjeje, nuk do të ketë asnjë taksë shtesë. Do të jetë shteti që do të paguajë kontributet për diferencën mes 400 dhe 500 euro, në mënyrë që të mos rëndohet as punëdhënësi as punëmarrësi.

Kurse paga mesatare nga rreth 840 euro aktualisht, në dokument parashikohet të arrijë në 1000 euro në vitin 2030, si dhe të vijohet me një tjetër reformë pagash në administratën publike.

Qeveria premton pagë mesatare për punonjësit e sektorit shtetërorë në vlerën 1200 euro, ose 200 euro më e lartë se paga mesatare që ka shteti sot prej 1000 euro.

Pagat u rishikuan me një rritje të fortë në gjysmën e dytë të mandatit të kaluar, me një kosto prej 400 milion eurosh për buxhetin e shtetit.

Pension minimal 200 euro dhe mesatar 400 euro është projektimi i ri, siç edhe u premtua në fushatë, brenda 2029-ës.

Ajo që bie në sy është se një sërë angazhimesh të qeverisë synojnë të përmbushen në vitin 2030, që shkon përtej mandatit aktual të socialistëve, ndërsa një pjesë e premtimeve janë pa afat kohor.

Për papunësinë është parashikuar ulje në 6% deri në 2030 nga 8.5% që është aktualisht.

Me synim rritjen e mirëqenies dhe shtimit të aktivitetit ekonomik, objektivi është që të ardhurat për frymë të arrijnë 15 mijë euro në 2030-ën, ndërsa prodhimi kombëtar 35 miliardë euro.

Nga viti 2026 deri në 2028-ën bizneset do të jenë nën paqen fiskale, e cila parashikon faljen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet, skemën e ripagimit të borxheve të 10 viteve të fundit me përqindje të reduktuara. Ndërsa biznesit të vogël i premtohet vijim i taksës 0 deri në 2029-ën. Ky premtim fillimisht ishte paralajmëruar se do të hynte në fuqi që nga qershori i këtij viti.

Për fermerët, në program është parashikuar rishikimi i skemës së TVSH-së puna për të cilën ka nisur, në mënyrë që të rishikohet mënyra e kompensimit të tyre. Por në program nuk detajohet se çfarë do të përfshijë rishikimi.

Po në bujqësi përtej synimit për të rritur eksportet dhe prodhimin vendas në ‘Programin Qeverisës’, parashikohet të përdoren dronët për të mbrojtur bimët, me synim dhe uljen e përdorimit të pesticideve.

Nga 2028 ekonomia pritet të jetë tërësisht digjitale, ku çdo transaksion është pa cash.

Ndërsa në turizëm e në infrastrukturë, parashikohet ndërtimi i disa marinave turistike, dhe hapje e disa kantierve të reja ndërtimi rrugore, detare, hekurudhore dhe ajrore.

PROGRAMI EKONOMIK I QEVERISË
                                   Është          Bëhet
Paga minimale         400 euro     500 euro   
Paga mesatare          840 euro    1000 euro       
Paga në shtet          1000 euro    1200 euro

 

                                         PENSIONET DERI NË 2029-ËN
                                                                    Është                Bëhet
Pensioni minimal                                      100 euro       200 euro     
Pensioni mesatar me vitet e plota          385 euro         400 euro

 

PROGRAMI EKONOMIK RAMA 4
Të ardhurat për frymë 15 mijë euro
Prodhimi i Brendshëm Bruto 35 mld euro
Paqe fiskale 2026-2028, falje gjobash
Taksa zero për biznesin e vogël deri në 2029
Rishikim i skemës së TVSH-s për fermerët

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • ARI: 17/09/2025 15:51

    ASEDHE NJE GJE KONKRETE PERRALLA

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?