Programi i Praktikave të Punës, Rama të rinjve: Shfrytëzojeni këtë mundësi në Administratë, sot na shohin me respekt! Deri dje na konsideronin si komshi që duhej hequr qafe!

8 Tetor, 19:22| Përditesimi: 8 Tetor, 21:07

  • Share

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, po zhvillohet sot (8 tetor) një aktivitet, ku në fokus është Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i cili prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Në të mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili foli për eksperiencën 9-vjeçare të praktikave të punës në administratë, konkurset për të cilat theksoi se “nuk janë të shitura” ashtu edhe siç raportohet dhe se ka njerëz profesionistë të aftë, që punojnë prej vitesh në të.

Ai iu drejtua të rinjve që të jenë pjesë e saj, duke theksuar edhe ndryshimin e Shqipërisë edhe në sytë e Botës dhe vendeve Perëndimore.

“Mundësinë për ta pasur këtë eksperiencë shfrytëzoheni deri në fund. Sepse kudo të shkoni, nëse shënoni në përshkrimin tuaj se ‘kam punuar në administratën publike shqiptare’, do ju shohin me respekt. Ky është respekt që deri para ca vitesh nuk na respektonin asnjëherë, konsideronin si komshi që duhet hequr qafe, si një banor me ndërtim pa leje. Kurse sot na shohin me respekt. Të thuash jam nga Shqipëria, je seksi, deri dje ishte qamet”, tha kryeministri ndër të tjera.

Rama theksoi edhe se “nëse konkurset e administratës do ishin false, atëherë do ishin pa fitues, sepse nuk arrin të plotësohen ato kritere të forta që janë”.

Kreu i qeverisë tha se ka shumë punë për të bërë ende në këtë drejtim, por theksoi se “ka njerëz të zotë padiskutim” dhe shprehu bindjen për “ta transformuar më tej administratën publike dhe për ti dhënë një shprehje që se ka pasur më parë”.

“Ka qenë administratë e dhunuar nga presioni politik. Ligji për administratën ka konsoliduar pozicionet e punës nëpunësit civil”, u shpreh ai.

Kryeministri deklaroi sot se “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u bë një urë, një praktikë pune, e cila nuk është thjesht praktikë pune për t’u njohur me një punë të caktuar, por është pikërisht mundësia e krijimit të eksperiencës që brenda kornizës së ligjit i jep mundësi çdonjërit nga ju të konkurrojë”.

Në fjalën e tij në aktivitetin për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, Rama tha se “në këto 11 vite është bërë një punë serioze, e vështirë, pa diskutim, jo e mjaftueshme për të thënë që është një punë e kryer për të transformuar administratën publike dhe për t’i dhënë një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes se tyre që nuk e ka pasur më parë”.

“Administrata publike më parë ka pasur njerëz të zotë padyshim. Sot ju sapo keni hyrë dhe do të njiheni në ministri apo institucione që mund të jenë në prag pensioni që kanë 30 vjet në administratë, që janë thesar. Po administrata publike nuk ka pasur as mundësi që të ndihet më e motivuar të ndihet e shprehur as aftësinë për ta shprehur atë që i është dashur të bëjë siç bëri në procesin screening sepse ka qenë një administratë e dhunuar nga presioni politik”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se:

“Kam pasur gjithmonë brenda meje, siç kanë të gjithë praktikisht qytetarët shqiptarë mbase jo në nivelin e shumicës së tyre që mendojnë se administrata publike është një territor me shumë hije dhe me pak arsye për të pasur respekt, por gjithsesi një ndjesi pasigurie dhe një ndjesi që kjo do të ishte pjesa më pamundur e misionit tim dhe misionit tonë për ta ngritur administratën publike në një nivel të respektueshëm, të paktën në të gjallët e mi”.

Dhe më tej shtoi se:

“Mirëpo ajo që ka ndodhur është që në procesin e diagnostikimit të Shqipërisë apo siç quhet në gjuhën e Adeas dhe Ulsiut, screening me BE, një  skuadër goxha e madhe në numër ka arritur të prodhojë një rezultat që për mua ka qenë befasuese. Nëse do ma thoshte dikush më parë do ta dyshoja fort dhe nëse kam pasur gjithmonë një frikë nga momenti i hapjes së atij procesi duke dëgjuar të tjerë kolegë që e kishin njohur më parë se ç’ është procesi i diagnostikimit të një vendi që futet për të hapur negociatat me BE-në ka qenë si do t’ia dalim ne kësaj”, theksoi Rama.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë, që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Ora 21:05
Rama batuta me Manjën para të rinjve, shpërthejnë të qeshurat: Të hysh në administratë duhet të jesh nga Dibra, kushëri i Ulsiut...

 

Kryeministri Rama dhe ministri Manja, gjatë aktivitetit sot me të rinjtë, pas batutave

Teksa mori pjesë sot në aktivitetin e zhvilluar për Programin e Praktikave të Punës, te “Pallati i Brigadave”, kryeministri Edi Rama nuk i mungoi edhe batutat me të rinjtë e pranishëm që aspirojnë Administratën shqiptare.

Kreu i qeverisë i nxiti ta shfrytëzonin këtë mundësi me meritokraci, duke thënë se konkurset nuk janë false dhe vendet e punës nuk bliheshin me miq.

Për këtë bëri edhe batutë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja të pranishëm, i cili ka shpërthyer me të qeshura së bashku me të pranishmit, kur Rama përmendi se jo me patjetër “duhet të jesh nga Dibra” apo “të kesh kushëri Ulsiun”, për t’u punësuar në administratë.

“...Ka një fakt që është i pavërtetë dhe që merret i mirëqenë. Që të hysh në administratë duhet patjetër që të jesh nga Dibra, si Ulsiu (Manja), ose të jesh patjetër me Partinë Socialiste, ose ta kesh patjetër kushëri. Unë nuk e di sa nga ju kanë kushëri Ulsiun, ose kushdoqoftë tjetër, ose ndonjë lidhje tjetër, por në Kryeministri kam takuar shumë nga ata si ju më parë dhe që hynë në praktikën e punës, e pastaj filluan dhe punë...”, u shpreh kryeministri.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?