Shqiptarja.com ka siguruar programin që do të prezantojë kryeministri Edi Rama në seancën e nesërme maratonë në Kuvend. Një prej shtyllave kryesore të programit është rritja ekonomike dhe e qëndrueshme. Qeveria Rama 4 synon të rrisë të ardhurat për frymë për qytetarët me rreth 40%, duke i çuar në 15.000 euro deri në vitin 2029.
Synohet rritja ekonomike me rreth 4% në vit duke e çuar prodhimin e brendshëm bruto në 35 miliardë euro deri në fund të mandatit.
Siç e pati paralajmëruar edhe gjatë fushatës, përmes programit ekonomik, qeveria e PS synon të çelë një kapitull të ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare përmes marrëveshjeve disa-vjeçare të lehtësimit tatimor dhe nxitjes së deklarimeve të rregullta duke zbatuar “Paqen Fiskale” 2026–2029: faljen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet; skemën e riparimit të borxheve të 10 viteve të fundit me përqindje të reduktuara;
Do të vijohet me politikën e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029. Po ashtu, në program thuhet se do rishikohet skema e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët.
Parashikohen 2 miliardë euro kredi dhe garanci për bizneset, përmes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Shqiptare të Zhvillimit, për të rritur investimet dhe prodhimin vendas. Një buxhet prej 1.18 miliardë eurosh për Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3), për të orientuar fondet kombëtare dhe ato të BE-së drejt fushave me avantazh konkurrues, duke mundësuar rritje të qëndrueshme, më shumë projekte inovative dhe integrim të plotë me tregjet evropiane.
Me Paketën e Maleve qeveria Rama synon zhvillimin e investimeve në zonat malore duke lehtësuar marrjen e lejes së ndërtimit për poseduesit që duan të investojnë, si dhe marrjen e dokumenteve për pronën e familjeve. Për 500 sipërmarrësit e parë përfitues, nga paketa, taksat do të jene zero dhe TVSH zero për 10 vitet e para.
Lajmi kryesor:
Report Tv siguron programin ‘Rama 4’: Shqipëria europiane, mision kombëtar! Vendi në 6 rajone turistike, 20 marina nga Velipoja në Ksamil
SI.E./ReportTv.al