Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu gjatë një trajnimi “mbi promovimin e barazisë gjinore dhe dhunës në familje”, tha se edhe policia ka bërë progres të rëndësishëm mbi promovimin e gruas në Polici.
Ai gjatë fjalës së tij tha se aktualisht në polici janë të punësuara 14.4% me total 1663 gra, ndër të cilat 9.8% janë të pajisura me grada shkencore, ndërsa po punohet për rritjen e përqindjes më tej të grave drejtuese në polici duke hapur konkurrimin e drejtë sipas ligjit.
“Në kuadër të promovimit të qeverisjes së përgjegjshme gjinore dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike, kemi ndërmarrë hapa të shumtë në drejtim të përforcimit të politikave për barazi gjinore, me qëllim krijimin në vend të një shoqërie që vlerëson barazinë gjinore si një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe zero tolerancë kundër dhunës me bazë gjinore.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka bërë një progres të rëndësishëm mbi promovimin e gruas në Polici, përfshirjen e tyre në një sërë trajnimesh, si dhe ngritjen e tyre në pozicione drejtuese.
Përqindja e grave në Policinë e Shtetit, aktualisht rezulton se kemi 14.4 % me total punonjëse gra 1563, nga këto punonjëse femra me gradë policore kemi 9.8%, ndërsa po punojmë për rritjen e përqindjes më tej të grave drejtuese policie, duke hapur konkurrimin e drejtë sipas Ligjit të Policisë së Shtetit.”, tha Veliu.
Ai shtoi se nën sloganin “Dëgjo, Beso, Mbështet”, Policia e Shtetit dhe punonjësit e saj do të kenë prioritare avancimin e barazisë gjinore, parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe në mënyrë specifike fuqizimin e rolit koordinues e monitorues të mekanizimit kombëtar të barazisë gjinore.
Fjala e plotë e Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu:
E nderuar Zonja Luarasi,
I nderuar Zoti Beckmann,
I nderuar Zoti Hupin,
Mirëmëngjes të gjithëve,
Së pari, dëshiroj të falënderoj Ambasadën e ShBA-së dhe Linjën e Këshillimit të Grave e Vajzave për organizimin e trajnimit “Mbi barazinë gjinore dhe dhunën në familje në Shqipëri”, me drejtues të strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit.
Miratimi i Konventave të OKB-së, të Konventave të Këshillit të Europës për barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës, ndryshimet në Kodin Penal, miratimi Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, të Ligjit “Për Barazinë Gjinore”, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, etj janë ndër momentet më të rëndësishme të progresit tonë legjislativ në drejtim të mirëqenies së grave e vajzave në Shqipëri si dhe të rritjes së eficiencës tonë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në ambientet familjare.
Në zbatim të këtij legjislacioni, qeveria shqiptare i ka konsideruar dhe i konsideron prioritare çështjet e barazisë gjinore, sidomos për mbështetjen ekonomike, por dhe për parandalimin dhe goditjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Në këtë kuadër, miratimi i Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Plani i Veprimit përbën një hap tjetër të rëndësishëm që do të sjellë së bashku shumë sektorë dhe partnerë, të cilët do të vazhdojnë të kontribuojnë për avancimin dhe mbështetjen e grave e vajzave, si për çështje të sigurisë e mbrojtjes së tyre, ashtu edhe në punësim, përfaqësim, vendimmarrje.
Zbatimi i këtyre dokumenteve janë përkthyer në veprime konkrete, që kanë synuar në harmonizimin dhe përmirësimin në vazhdimësi të legjislacionit shqiptar, në këndvështrimin ligjor me dokumentet ndërkombëtar të ratifikuara, e veçanërisht me Konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave dhe me Konventën e Stambollit.
Duhet evidentuar se në zbatim edhe të ndryshimeve ligjore, strukturat e Policisë së Shtetit kanë përmirësuar punën e tyre, duke fuqizuar mekanizmat e referimit për të mbështetur për siguri dhe shërbime viktimat e dhunës, si dhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë, për të punuar më tej me abuzuesit për suport psiko-social dhe strehim.
Në fakt, përgjatë hartimit të Planit të ri të Veprimit dhe Strategjisë 10-vjeçare të Barazisë Gjinore, ku është formuar grupi i punës nga të gjithë institucionet e linjës, do të synohet të arrihet për të plotësuar më tej, boshllëqe të evidentuara tashmë, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Ju, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe publikun e gjerë.
Në kuadër të promovimit të qeverisjes së përgjegjshme gjinore dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike, kemi ndërmarrë hapa të shumtë në drejtim të përforcimit të politikave për barazi gjinore, me qëllim krijimin në vend të një shoqërie që vlerëson barazinë gjinore si një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe zero tolerancë kundër dhunës me bazë gjinore.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka bërë një progres të rëndësishëm mbi promovimin e gruas në Polici, përfshirjen e tyre në një sërë trajnimesh, si dhe ngritjen e tyre në pozicione drejtuese.
Përqindja e grave në Policinë e Shtetit, aktualisht rezulton se kemi 14.4 % me total punonjëse gra 1563, nga këto punonjëse femra me gradë policore kemi 9.8%, ndërsa po punojmë për rritjen e përqindjes më tej të grave drejtuese policie, duke hapur konkurrimin e drejtë sipas Ligjit të Policisë së Shtetit.
Nën sloganin “Dëgjo, Beso, Mbështet”, Policia e Shtetit dhe punonjësit e saj do të kenë prioritare avancimin e barazisë gjinore, parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe në mënyrë specifike fuqizimin e rolit koordinues e monitorues të mekanizimit kombëtar të barazisë gjinore.
Policia e Shtetit është institucioni i parë, i cili disponon dhe po aplikon mësë miri një politikë mbi problematikat me bazë gjinore, ku në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar, kanë hartuar një pyetësor për të gjithë punonjësit e policisë së shtetit mbi nivelin e perceptimit në tërësi të procedurës së diversitetit gjinor.
Kemi miratuar dokumentin e politikës së ngacmimit seksual në vendin e punës, ku punonjëset gra në polici, kanë zhvilluar një sërë takimesh interaktiv mbi parimet, procedurat si dhe autoritetet ku mund të drejtohen për problematika me bazë gjinore.
Një eksperiencë mjaft të mirë kemi edhe me oficeret femra të sigurisë në shkolla apo me angazhimin e shumë punonjëseve si pjesë e shumë fushatave sensibilizuese për ndërgjegjësim mbi drogat, duhanin, alkoolin, parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Mbështetur në Planin e Veprimit të hartuar, mbi perspektivat gjinore, kemi ende punë për axhendën mbi Gratë, Paqen e Sigurinë, veçanërisht nevojën për të luftuar dhunën kundër grave si dhe promovimin e pjesëmarrjes së tyre.
Unë vlerësoj dhe shpreh bindjen se edhe ky takim me drejtues të Policisë së Shtetit do të ndihmojë në promovimin e barazisë gjinore dhe në parandalimin dhe goditjen e dhunës në familje, sidomos të dhunës me bazë gjinore.
Ju faleminderit!