Progres Raporti i KE/ Ndihmë financiare 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, Von der Leyen dhe Varhelyi: I japim shtysë Ballkanit Perëndimor

8 Nëntor 2023, 14:19| Përditesimi: 8 Nëntor 2023, 14:44

  • Share

Një Bashkim Evropian më i madh është një Union më i fortë. Ky ka qenë mesazhi i drejtuesve më të lartë të Komisionit Evropian në prezantimin e Paketës së Zgjerimit dhe progres raportet për 10 vendet që kanë aspiratën për t’u bashkuar me Brukselin

“Na duhet një BE i madh dhe i fortë sepse kjo do të thotë një bashkim të madh në botë. Kur na bashkohen këto vende do të thotë se ka prosperitet për këtë çështje”- u shpreh Von der Leyen. 

Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Turqinë.  Kosova mbetet i vetmi vend që nuk ka rekomandim për statusin e kandidatit nga këto dhjetë vende. Zyrtarët evropianë thanë të mërkurën se dialogu me Serbinë është rruga përpara për Kosovën drejt BE-së.

Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian me Ukrainën, ndërsa për Moldavinë hapjen e bisedimeve me bisedimeve me Moldavinë por vetëm pasi t'i përmbushë kriteret përfundimtare.

Për Gjeorgjinë, Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit dhëniën e statusit zyrtar të kandidatit, nëse i plotëson kushtet e mbetura të përcaktuara nga blloku.

Edhe për Bosnje-Hercegovinën rekomandohet fillimi i bisedimeve të anëtarësimit me kushte: "sapo të jetë arritur masa e kërkuar në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Ky lajm i mirë për Bosnjën vjen vetëm një vit pasi mori zyrtarisht statusin e vendit kandidat. 

Po këtë të mërkurë, 27 komisionerët e kanë miratuar edhe planin ambicioz për rritje ekonomike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Komisioni Evropian ka propozuar edhe një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim rajonin, por kemi edhe një kërkesë që kjo ndihmë duhet të kontribuojë në stabilitet.  Ne duam që ata të trajtojnë njëri-tjetrin njëlloj si ata duan që t’i trajtojmë ne ato. Ne mendojmë se kështu mund t’i japim shtysën e duhur Ballkanin dhe kjo është një shtysë edhe për ne”- tha Varhelyi. 

Rekomandimet dhe raportet e miratuara më 8 nëntor në Komisionin Evropian por edhe paketa e madhe financiare do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?