35 organizata dhe aktivistë i drejtohen me një peticion Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të ndaluar projektin e restaurimit në Burgun e Spaçit.
Ata e quajnë projektin të gabuar dhe paralajmërojnë padi për shpërdorim detyre për përgjegjësit.
‘Sot, ne jemi përpara Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të dorëzuar një peticion, përmes të cilit kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të çfarëdolloj punimi në burgun e Spaçit. Ky peticion, i hartuar në një gjendje të jashtëzakonshme gjendje në të cilën na vuri ndërhyrja e papritur, e pakoordinuar dhe amatoreske e Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Kulturës bëri që 35 organizata dhe 734 qytetarë ta firmosnin për vetëm 6 ditë. Qëllimi i tij është ndalimi i vazhdimit të punimeve dhe, për rrjedhojë, parandalimi i tjetërsimit të historisë.
Fillimisht, jemi këtu për të kundërshtuar këtë ndërhyrje sepse ajo bie ndesh me planin e menaxhimit që vetë kjo qeveri ka miratuar. Në këtë plan thuhet qartë se nuk do të ketë ndërhyrje që tjetërsojnë kujtesën, vlerat historike apo strukturën e burgut kamp të Spaçit. Gjithashtu, kjo ndërhyrje bie ndesh me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe me VKM-në shoqëruese nr. 1099: “Për kriteret dhe mënyrat e ndërhyrjes në pasuritë kulturore”, e cila përcakton qartë direktivat për ndërhyrjet restauruese – të cilat nuk kanë asnjë lidhje me ndërhyrjen që po kryhet aktualisht në këtë zonë’, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, thuhet se në rast se nuk merren masa do të nis hetimi penal ndaj inspektoratit përgjegjës.
‘Përmes kësaj komunikate duam t’i themi edhe Inspektoratit, ose inspektorit përgjegjës pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, se do të procedohen penalisht për shpërdorim detyre nëse nuk merren masa për ndalimin zyrtar të punimeve dhe ndërprerjen e menjëhershme të këtij projekti. Në vend që të vepronin sipas ligjit siç e kanë për detyrë, si Ministria ashtu edhe Instituti zgjodhën të merren me aktivistët, ish-të burgosurit apo qytetarë të angazhuar në këtë kauzë. Por edhe kjo nuk zgjati shumë, sepse vetë ministri duket sikur filloi të tërhiqej dhe të pranonte se aty kishte ndodhur një gabim
Por dikush duhet t’ia kujtojë ministrit se në këto raste “gabimi” duhet të shoqërohet me mbajtje përgjegjësie përgjegjësie instuticionale që fillon me inspektorin që se ka bërë punën për të cilën paguhet nga taksapaguesit e deri te ministri që përveç ekonomisë i ka rënë fati i keq të merret dhe me kulturën. Ne jemi këtu, më të bindur, më të vendosur dhe më të zëshëm se ditën kur e nisëm këtë betejë. Spaçi është pasqyra në të cilën ne shohim të shkuarën, por edhe horizonti drejt të cilit mund të ndërtojmë të ardhmen’, thuhet në deklaratë.
Ndërhyrjet restauruese të nisura në godinat e ish-burgut famëkeq të Spaçit në Mirditë ngritën në protestë ish-të përndjekurit politikë, familjarë të tyre dhe qytetarë mw 5 qershor. Sipas tyre, projekti që ka nisur të zbatohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore po shkatërron memorien dhe është përpjekje për të fshirë historinë e ish-Burgut të Spaçit. Debatit për ndërhyrjet, iu shtuan dhe hamendësimet se gjithçka po bëhej për të përshtatur terrenin për xhirimet e një filmi, me skenar të Visar Zhitit dhe regji të Namik Ajazit.
Komente
