Projektbuxheti 2019/ Ja fondet për 61 bashkitë: 195 mln € vitin e ardhshëm, Tirana 27.8 mln €

31 Tetor 2018, 07:58| Përditesimi: 31 Tetor 2018, 11:12

  • Share

Tirana do të ketë në dispozicion vitin e ardhshëm afro 3.5 miliardë lekë, ose 27.8 milionë euro. Kjo bashki, do të ketë një rritje prej 11 përqindësh vitin e ardhshëm në fondet e mbledhura nga taksat dhe nga transferta e pakufizuar, që jepet nga qeveria, krahasuar me fondet e sivjetme. Bashkë me Urë Vajgurore, që njeh rritje me 11.3%, këto janë dy bashkitë, të cilave iu njihet nga Projektbuxheti 2019 rritja më e madhe vjetore.

Ndërkohë, do të jenë tri bashki, të cilat, në të kundërt, do të kenë ulje krahasuar me 2018-ën (Finiqi -1.8%, Gramshi -4% dhe Përmeti -0.4%), si dhe një që do të ketë gati të njejtat fonde si sivjet (Librazhdi). 

Reformat

Sipas Projektbuxhetit, në projektbuxhetin e vitit 2019, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5 miliardë lekë ose 11% më shumë se sa ato të vitit 2018, të cilat do shkojnë për më shumë investime dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Ndër masat më të rëndësishme përfshihet reforma për taksën e ndërtesave, me ngritjen e strukturave të posaçme dhe krijimin e kadastrës fiskale.

Vend të rëndësishëm do të zejë edhe reforma e financimit të arsimit parashkollor. Për vitin 2019, fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9.1% në krahasim me vitin 2018. Do të punësohen 438 mësuese (edukatore) më shumë se sa në vitin 2018, të cilët do të shkojnë në 32 bashki të cilat kanë një nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, e matur nga raporti “fëmijë për edukatore”.

Trasfertat

Burimi kryesor i rritjes së shpenzimeve vendore për vitin 2019, vjen kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat e veta si dhe nga rritja e transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme.

Në total, nga buxheti qendror bashkitë do të marrin mesatarisht 63.7% të fondeve, ndërsa pjesën tjetër duhet ta sigurojnë me burimet e veta. Por, për bashki të ndryshme, kjo përqindje është e ndryshme. Kështu psh, në buxhetin e Tiranës vitin e ardhshëm 67.8% do të kontribuohet nga buxheti qendror. Kjo shifër për Shkodrën është 64.1%, për Durrësin 68.6%, për Elbasanin 61.5%, për Kamzën 74.5%, për Tepelenën 52%, etj. 

Bashkitë që do të marrin rritje fondesh për 2019-ën janë shumë, por ato me rritje më të madhe janë, veç Urës Vajgurore e Tiranës, edhe Kamza, Kruja, Durrësi, Hasi, Konispoli, Përrenjasi, Roskoveci, Rrogozhina, Vora, Vau i Dejës, etj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?