Ekonomi

Projektbuxheti 2022/ Guvernatori i BSH, Gent Sejko: Të vendoset një tavan për vlerën totale të PPP-ve! Ka abuzime me normat e interesit nga jo-bankat për kreditë

5 Nëntor 2021, 10:16| Përditesimi: 5 Nëntor 2021, 15:15

  • Share

TIRANË-Prej disa ditësh në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave po diskutohet projektligji për buxhetin e vitit 2022, i propozuar nga qeveria. Ditën e sotme ka qenë radha e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko që të japë mendimin e tij. Sejko ka thënë se ky projektbuxhet përcakton qëndrimin e politikës fiskale 2022, si dhe jep fonde për zhvillimin.  Sipas tij ekonomia e Shqipërisë po e përballon me sukses sfidën e pandemisë.

"Ndikimi i dy goditjeve ka gjasa të jetë i ulët në afatmesëm. Reduktimi i kufizimeve, përmirësimi i besimit të biznesit dhe familjet dhe politika fiskale e monetare kanë ndikuar në rikuperimin ekonomik.  Perspektiva e zhvillimit është pozitive dhe rimëkëmbja do vijë drejt konsolidimi. Politika fiskale dhe monetare duhet të vij drejt normalizimit. Duhet të ketë konsolidim fiskal dhe tërheqje të stimujve fiskal në ekonomi.

Ky pr/ buxhet bazohet në supozimin për një rritje ekonomike të lartë në vitin2021-2022. Të ardhurat parashikohen në rritje prej 8%. Projeksionet janë realiste në gjykimin tonë. Të ardhurat buxhetore janë të pranueshme.  Sugjerojmë vëmendje për ecurinë e të ardhurave, dhe të merren masa për kontrollin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Pr/buxheti parashikon fillimin e konsolidimin fiskal, deficiti do të ulet në 5.4% të PBB, deficiti primar do të ketë konsolidim 1.9% PBB, ndërsa borxhi do reduktohet me 1.1. Ne mirëpresim konsolidimin fiskal në vitin 2022, shpejtësia e konsolidimit kushtëzohet nga çmimet në tregjet e huaja dhe nga rindërtimi", ka thënë Guvernatori Sejko.

Guvernatori ka thënë  se institucionet jo-banka në disa raste kanë abuzuar me normat e interesit për kreditë e dhëna, dhe sidomos me kamatëvonesat. Sipas guvernatorit janë konstatuar raste ku interes vonesat kanë qenë disa herë më të larta se pricipali. Sejko nuk përjashtoi edhe vendosjen e një tavani për normat e interesit në formë ligjore, në kushtet kur tani masa është vetëm administrative. Ai foli edhe për koncesionet, duke nënvizuar se të vendoset një tavan afatgjatë për vlerën e përgjithshme të koncesioneve.

Guvernatori Sejko gjatë fjalës së tij ka dhënë edhe 3 sugjerime nw lidhje me projektbuxhetin 2022.

3 SUGJERIMET KRYESORE TË BSH

Pr. buxhetit parashikon se deficiti i krijuar nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të jetë në masën e 101 mld lekë ose 5.4% e PBB, është i barabartë me nivelin e deficitit 2022 dhe dy herë me i lartë se deficiti i targetuar. Skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vazhdon të jetë një barrë e ndjeshme për financat e shtetit, në këtë kontekst BSH sugjeron rishikimin e skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shoqërore dhe skemave të tjera sociale me qëllim ruajtjen e këtyre skemave në trajektore të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Mbi PPP, në pr/buxhet janë parashikuar pagesa 3% të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshme. BSH sugjeron përfshirjen e tavaneve afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontratave të PPP, si një element plotësues ndaj kontrollit të rrezikut potencial që PPP mund të kenë në financat publike. Duhet përmirësim i kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin kontraktimin dhe monitorimin e PPP sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që i ngarkojnë buxhetit të shtetit.

BSH vazhdon të përsëris thirrjen për shpërndarje më të mirë të shpenzimeve gjatë vitit, ritmi i realizimit të shpenzimeve gjatë vitit vijon të shfaqë përqendrim të theksuar në tremujorin e katërt. Ky fenomen i përsëritur krijon luhatje të panevojshme.

 

Ora 11:49
BSH: Të vendoset një tavan për vlerën totale të PPP-ve! Duhet strukturë për vlerësimin e projekteve!

 

Në shqyrtimin e projektbuxhetit të vitit që vjen Sejko ka kërkuar që të vendoset një tavan afatgjatë për vlerën e përgjithshme të koncesioneve.

“Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon se pagesat nga buxheti i shtetit për detyrimet që lindin nga kontratat koncesionare dhe PPP-të do të jenë brenda kufizimeve ligjore, më konkretisht në nivelin 3% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Megjithatë, në linjë dhe me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë sugjeron, përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike”, u shpreh Guvernatori.

Po ashtu Sejko ka theksuar se për këto kontrata duhet një monitorim i vazhdueshëm, dhe të përmirësohet mënyra e zgjedhjeve të kontratave koncesionare, në mënyrë që të mos ngarkohet buxheti i shtetit.

“Integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit. Përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit”, u shpreh Sejko.

Për vitin 2022, është parashikuar që për kontratat koncesionare aktive, buxheti i shtetit të paguaj 13.8 miliardë lekë. Ndërkohë Banka e Shqipërisë kërkon që të përmirësohet procesi i përzgjedhjes së projekteve.

 “Banka e Shqipërisë:vlerëson se disiplinimi i shpenzimeve korrente dhe rritja e qëndrueshme e bazës së të ardhurave publike do të krijojnë premisa për ruajtjen e hapësirave për investime publike, edhe në prani të konsolidimit fiskal; dhe gjykon se procesi i përzgjedhjes së projekteve të investimeve mund të përmirësohet më tej, nëpërmjet adoptimit të një strukture formale të vlerësimit të rentabilitetit të tyre në kohë”, tha ndër të tjera guvernatori.

Ora 11:45
Kredi me norma të larta interesi nga jo-bankat, Sejko: Ka pasur abuzime janë marrë masa, qytetarët të lexojnë mirë kontratat

 

Guvernatori Gent Sejko është shprehur në Komisionin e Ekonomisë se institucionet jo-banka në disa raste kanë abuzuar me normat e interesit për kreditë e dhëna, dhe sidomos me kamatëvonesat. Sipas guvernatorit janë konstatuar raste ku interes vonesat kanë qenë disa herë më të larta se pricipali. Sejko nuk përjashtoi edhe vendosjen e një tavani për normat e interesit në formë ligjore, në kushtet kur tani masa është vetëm administrative.

“Sa i takon institucioneve jo-financiare ka një shqetësim sa i takon normave të larta interesi. Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore që vendos një tavan për këto institucione. Është një masë administrative por ndoshta duhet të  ishte ligjore, por do të shohim se si do të funksionojë. Ka një pakënaqësi nga ana e këtyre institucioneve, pasi kanë një kosto të lartë risku, dhe japin kredi pa kolateral dhe i japin me norma më të larta interesi, por kemi vënë re dhe kemi marrë dhe masa ndëshkuese të teprimit dhe abuzivizmi, kur norma e interesit ka shkuar me disa herë më e lartë, sidomos interes vonesat kanë qenë disa herë më të larta mbi priciplain. Dua të theksoj se institucionet jo-banka mbulojnë një tregun rural që bankat nuk e mbulojnë me kredi për sektorin bujqësor, apo kredi konsumatore”, tha Sejko. 

Sejko kërkoi nga qytetarët që të lexojnë kontratat e kredisë përpara se ti firmosin, dhe theksoi që ka probleme me negocimin e kamatëvonesave mes qytetarëve dhe institucioneve jo-banka.

“Problematika që vjen me qytetar apo biznese të vogla kanë një ngërç dhe duan të negociojnë, këto institucione me normat me interes-vonesat nuk... negociojnë, domethënë ka një pakënaqësi por kontrata mes qytetarit e institucionit është ligjore dhe duhet respektuar. Duhet të lehtësohet kontrata se ke marrë një borxh dhe duhet shlyer. Lexoni kontratën përpara se ta firmosni, dhe mos thoni norma ishte e lartë pasi e keni firmosur”, sqaron guvernatori.

Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti prezantoi një projekt rregullore për të vënë një tavan për normat e interesit për kreditë konsumatore. Rregullorja është miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe pritet të hyj në fuqi në 31 dhjetor të këtij viti.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?