Deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela ka propozuar që paga minimale në vitin 2024 të jetë 50 mijë lekë të reja. Gjatë prezantimin të projektbuxhetit 2024 nga ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese që u mbajt online, Çela tha se e sheh si zgjidhje që punëdhënësi ta deklaroi më qatë dhe në këtë mënyrë, kontributi për pensionistët do të jetë më i plotë.
‘E shoh që shumë janë ata që përfitojnë nga kontributet në këtë shtet të vogël mbi 1.1 mln përfitues ku futen pensionistë dhe ata me përkrahjes sociale. Shoh si zgjidhje rritje e pagës minimale, ministri është më i qartë, por do të doja që paga minimale unë e shoh si zgjidhje të problematikave që vijnë më pas mendoj se kjo pagë duhet të rritet në 2024. Paga në sektorin privat e dimë që është një pagë jo reale, nga shifrat rritja e pagës minimale në 50 mijë lek të reja në muaj do të jetë burim i disa zgjidhjeve, punëdhënësi do të deklaroi më saktë dhe kontributi për pensionistët do të jetë më i plotë. Dhe a ka mundësi të vejë paga e pensionit minimal të shkojë në 20 mijë lekë në vit. Rritim pagat minimale dhe pensionet.’- tha Çela.
Ndërkohë nga ana e tij, ministri i Ekonomisë u shpreh se paga minimale është rritur dy herë gjatë këtij viti dhe se duhet mbajtur parasysh që kursi i këmbimit dhe në konvertim të pagës minimale në euro, tashmë e bën pagën minimale më të lartë. Ministri tha se në tetor të vitit 2024 do jetë indeksimi tjetër i pensioneve me vlerë 4.5 mld lekë.
‘Ky projektbuxhet vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.
Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, mbi 1/3 e buxhetit shkon për kategoritë sociale, për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, bonusin e bebes etj.’- tha Mete.