Projekt-buxheti i 2021-shit/ Denaj për Report TV: Mbështetet në 3 shtylla, rindërtimi do sjellë rritje ekonomike! Paketë rimëkëmbje në varësi të situatës së COVID, do ketë garanci të tretë sovrane (VIDEO)

23 Tetor 2020, 13:43| Përditesimi: 23 Tetor 2020, 18:15

  • Share

TIRANË- Investimet dhe procesi i rindërtimit që do të gjenerojnë vende të reja pune dhe për pasojë të ndihmojnë ekonominë të rritet. Kështu e argumenton për Report TV ministrja e Financave Anila Denaj, faktin që në projektbuxhetin e vitit 2021 janë parashikuar fonde të shtuara për infrastrukturën.

“Projektbuxheti i vitit 2021 është i fokusuar në tre shtylla kryesore. Është rindërtimi pas tërmetit, shëndetësia dhe arsimi jo vetëm për rritjen e pagave por edhe për të vijuar me projektet infrastrukturore, si dhe projektet e infrastrukturës. Mendojmë që të 3 do të ndikojnë në rritjen ekonomike. Në takimin me përfaqësuesit më të lartë të FMN ishte një tregues shumë i rëndësishëm. Për çdo 1% investim në infrastrukturë pritet 2.2% rritje në periudhë afatmesme, dhe mendojmë që jo vetëm për të përfunduar rrugët e nisura dhe për të përmirësuar interkonjeksionin nëShqipëri por edhe për të sjellë një rritje ekonomike”, tha ministrja Denaj.

Ministrja Denaj ka sqaruar se nuk ka dyfishim të pagesave të koncesioneve, dhe se akuzat nga opozita nuk janë të sakta.

“Në vitin 2021 në kemi të parashikuara për pagesat e koncesioneve 14.5 miliardë lekë, nga 14 miliardë që ishin këtë vit por që ne u zvogëluan këtë vit për shkak të pandemisë dhe e dërguam në 7.8 miliardë lekë, pasi arritëm të negocionim dhe arritëm ta ulnim me 40% këtë fond të pagesave, dhe në 2019 ishin 13.7 miliardë lekë. Pra të thuash dyfish ndërkohë që ne e kemi ulur fondin për arsyet negocimi, është e gabuar”, pohoi ministrja.

Denaj zbulon për Report TV se do të ketë një garanci të tretë për investime në sektorin e eksporteve, por jo paketë tjetër siç ishin ato të miratuara gjatë pandemisë.

“Ne po bëjmë studimet që ajo që nevojitet në atë segment biznesi që ka nevojë të japim një instrument të ri përsëri nëpërmjet bankave për të mundësuar çështjen e likuiditetit. Mund të ketë dhe një të katërt që të lidhet me sektorë të caktuar, pra do të shkojë e targetuar. Ne do të mendojmë për masa specifike dhe jo për paketa. Ne e kemi thënë që nuk ka paketë të tretë, sepse ne thamë paketat ishin të lidhura me emergjencës, por ka masa, ka program ripunimi, ka garanci, do të ketë një të tretë që po e diskutojmë. Nëse do të futemi përsëri në emergjencë ne do të reagojmë në të njëjtin format”, u shpreh ministrja Denaj.

Ndërkohë biznesi i mesëm dhe i madh do të jenë në fokusin e kontrolleve tatimore në vitin që vjen për të shmangur evazionin fiskal.

"Do të fokusojmë vëmendjen tek biznesi i mesëm dhe i madh ku edhe transaksionet në sektor të caktuar mund të sjellin një hapësirë më të madhe në vlerë absolute kur evazioni ndodh. Ndërsa biznesi i vogël është lehtësuar, pasi jo vetëm që është e nevojshme për këtë periudhë që kalon por është biznesi në  numër të konsiderueshëm, por në vëllim monetar është i ulët, por për ata heqja e Tatimit dhe rritja e pragut është një ndihmë e konsiderueshme dhe e bërë kjo në 8 vite sigurisht ka vlerë, ndërsa tek buxheti i shtetit ka ndikim pasi do të fokusohemi tek biznesi i madh. Parashikohet që 1.5% e PBB do të jetë nga miradministrimi fiskal", tha Denaj. 

Denaj ka folur edhe për programin e qeverisë për të tërhequr investimet e huaja, teksa shton se mund të ketë edhe zona të lira ekonomike, që të kemi sa më shumë investitorë strategjik.

VIDEO/Intervista e plotë e ministres Anila Denaj në Report TV

Ora 14:10
A do rritet mirëqenia e qytetarëve vitin që vjen? Denaj: Synojmë përmirësim nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës! S’ka rritje pensionesh! (VIDEO)

Sipas projektbuxhetit të ardhurat për frymë të qytetarëve në vitin 2021 do të rriten me 322 euro, dhe nga 4.446 euro të pritshme për këtë vit synimi është që në vitin 2021 të arrijnë në 4.768 euro vitin tjetër.  Ministrja i përgjigjet pyetjes së Report TV se do të rriten të ardhura në vitin që vjen?

“Të gjitha këto investime publike sigurisht që do të sjellin një punësim sigurisht do të sigurohet përmes  kompanive që do të kërkojnë fuqi punëtore. Ne kemi projektuar që konsumi i cili kontribuon me 90% në rritje e PBB-së, të rritet dhe ekonomia rritet me 5.5% vitin tjetër. Punësimi do të sjellë një pagë të shtuar ne rrogën minimale e rritëm, dhe rritja e pagave për mjekët dhe mësuesit do të sjellë më shumë konsum. Nëse rritet konsumi do të ketë edhe një rritje të mirëqenies së tyre”, tha Denaj.

Por nga ana tjetër përveç indeksimit të pensionet në vitin 2021 në vlerën e 2.4 miliardë lekëve, nuk do të ketë rritje të mirëfilltë të pensioneve.

“Sigurisht kemi diskutuar edhe për çështjen e pensioneve të cilat dhe këtë vit janë të limituara vetëm tek indeksimi, nuk ka një rritje siç mund të pritet megjithatë ky është një proces që do të kërkojë kohë, indeksimi këtë vit do të jetë 2.4 miliard lekë”, sqaroi Denaj.

Ora 14:05
Shtyhet afati i garancisë së sovrane 2, Denaj: Ka interes nga biznesi, jemi të përgatitur për një goditje të dytë (VIDEO)

Ministrja ka zbuluar se është shtyrë përsëri afati për garancinë e dytë sovrane në mënyrë që të përfitojnë më shumë biznese.

“Garancia e dytë sovrane është dhënë për kapital qarkullues, është e ndarë në rrisk ne kemi 60% bankat kanë 40% dhe ato do të bëjnë një analizë të thelluar sepse dhe banka duhet të marrë paratë mbrapsht. Janë 577 biznese që kanë aplikuar dhe unë sot kam firmosur shtyrjen e afatit sepse ka interes. Ne afatin do ta shtyjmë sa kohë kanë nevojë bankat-bizneset kjo është e sigurt”, tha ministrja.

A është e përgatitur qeveria për një goditje tjetër si pasojë e pandemisë? Kësaj pyetjeje Denaj i përgjigjet kështu:”parashikueshmëria në rast të një goditje të dytë të tretë është më e madhe se parashikimi i parë. Nëse do të jemi përpara një fakti që duhet të rialokojmë fondet  do ti bëjmë siç bëmë edhe këtë vit. Ne sot kemi hapësira për të negociuar jo vetëm për kontratat që thamë, kemi shpenzime operative që do të duhet ti shtyjmë. Buxheti është i atillë nëse ndodh diçka do të ndodhësh prioritet, si me shëndetësisë që është prioritet”.

Ndërsa rishikimi i buxhetit të shtetit për herë të 4 si pasojë e pandemisë do të vendoset në fund të muajit nëntor të këtij viti.

“Rishikimin e buxhetit në fund të nëntorit do të duhet ta shikojmë sepse duhet parë se si kanë ecur punët publike dhe fondet e përcaktuara për to kanë ecur dhe nëse shohim në fund të nëntorit që punët publike janë të ngadalësuar dhe do të duhet të alokohen diku tjetër do ta realizojmë por duhet të presim nëntorin për të bërë këtë analizë, që të sjellim aktin normativ që do të ketë nëse do të ketë, por mund të ketë”, u shpreh ministrja.

Ora 13:55
Qeveria heq taksat për biznesin e vogël, Denaj: I japim frymë, fokusi lufta ndaj informalitetit tek subjektet e mesme dhe të mëdha (VIDEO)

Në janar të vitit 2021 hyjnë në fuqi nismat e qeverisë për lehtësimin e biznesit të vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë , si dhe rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë në 10 milionë lekë, por nga ana tjetër Ministria e Financave pret që të ardhurat nga tatim-fitimi të rriten me 3 miliardë lekë, dhe për TVSH me rreth 13 miliardë lekë. Denaj sqaron edhe këto parashikime të qeverisë, ku fokusi do të jetë miradministrimi i të ardhurave dhe goditja e evazionit fiskal.

“Pavarësisht uljeve që i kemi bërë tatim-fitimit për biznesin e vogël dhe rritja e pragut të TVSH-së, ne mendojmë që e gjithë puna që ka nisur për miradministrimin e të ardhurave, do të përmirësojë konsiderueshëm nivelin për të arritur rritjen e synuar dhe për të mos u vënë në rrezik.  Do të fokusojmë vëmendjen tek biznesi i mesëm dhe i madh ku edhe transaksionet në sektor të caktuar mund të sjellin një hapësirë më të madhe në vlerë absolute kur evazioni ndodh. Ndërsa biznesi i vogël është lehtësuar, pasi jo vetëm që është e nevojshme për këtë periudhë që kalon por është biznesi në  numër të konsiderueshëm, por në vëllim monetar është i ulët, por për ata heqja e Tatimit dhe rritja e pragut është një ndihmë e konsiderueshme dhe e bërë kjo në 8 vite sigurisht ka vlerë, ndërsa tek buxheti i shtetit ka ndikim pasi do të fokusohemi tek biznesi i madh. Parashikohet që 1.5% e PBB do të jetë nga miradministrimi fiskal”, shpjegon ministrja.

Është detyrim ligjor ulja e borxhit publik deri në vitin 2023, tha ministrja ndërsa i konsideron të pavend akuzat për rritjen e madhe të borxheve në një situatë të tillë.

“Nëse na bie dhe tërmeti dhe pandemia , përtej luftës ndaj evazionit, për një informalitet që e kemi thënë shpesh që është 35-40%, krijimit të lehtësirave, shtyrje të detyrimeve dhe të pretendojmë të mos rrisim borxhin, këtë po e bëjnë vende të tjera më të zhvilluara pse të mos e bëjmë edhe ne. Në fund të 2021 konsolidimi fiskal do të ndodh dhe kemi detyrimin ligjor që në 2023 të dalim me një bilanc primar pozitiv.  Ulja e borxhit është detyrim në radhë të parë por duhet të mirëkuptojmë që në dy vite ne duhet të konsolidojmë financat, dhe të kthejmë në shtëpi familjet që janë në çadra”, tha ajo.

Ndërsa sa i takon mundësisë për të marrë një eurobond të ri, Denaj nuk e shikon si mundësi aktualisht, por nëse do të kemi një goditje tjetër të ekonomisë do dilet në tregjet ndërkombëtare.

“Ne në nëntor paguajmë një pjesë të konsiderueshme, nga kjo shumë, për ta kthyer pjesën e marrë disa vite më parë. 650 milionë euro i kishim parashikuar që në tetor përpara tetorit, kishim parashikuar më pak dhe në momentin që jemi futur nuk e kishim llogaritur të gjithë buxhetin dhe normalisht nuk mund të kërkonim dyfishin. Megjithatë 650 milionëshi, 250 milionë shkon për të paguar një detyrim të kaluar pjesa tjetër është për shpenzimet buxhetore.  Të gjitha daljet tona në tregun e brendshëm kanë rezultuar me një mbulim më shumë se një herë nuk dua të flas për Eurobondin pasi mbulimi ishte deri në 4 herë dhe të dyja tregojnë se ka interes për bonot shqiptare. Ne do të shikojmë se si do të ecin të gjitha projektet infrastrukture, të gjitha fondet e rindërtimit, dhe nëse do kishte nevojë për daljen në tregun ndërkombëtar përsëri do ta gjykojmë por është shumë herët për ta thënë”, sqaroi për Report TV Anila Denaj.

 

Ora 13:45
Opozita akuza për dyfishim të pagesave për PPP-të, ministrja e Financave: Nuk është e vërtetë, në pandemi ne i rishikuam fondet e tyre (VIDEO)

Opozita ka akuzuar qeverinë menjëherë pas miratimit të projektbuxhetit se qeveria ka dyfishuar pagesat për koncesionet, por Ministrja Denaj ka sqaruar për Report TV, se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, duke i hedhur poshtë këto pretendime.

“Në raport me investimet në infrastrukturë, të gjitha projektet e përfshira në projektbuxhet duke filluar nga financimet e akseve nacionale duke filluar nga Milot-Fieri, Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat apo edhe shumë baypasss ai Delvinë-Kardhiq, i Shkodrës, janë punë publike të nisura, dhe i vetmi investim që do të nisi është tuneli i Llogarasë, por që edhe ky është anonçuar më parë nga Kryeministri Edi Rama.  Në vitin 2021 në kemi të parashikuara për pagesat e koncesioneve 14.5 miliardë lekë, nga 14 miliardë që ishin këtë vit por që ne u zvogëluan këtë vit për shkak të pandemisë dhe e dërguam në 7.8 miliardë lekë, pasi arritëm të negocionim dhe arritëm ta ulnim me 40% këtë fond të pagesave, dhe në 2019 ishin 13.7 miliardë lekë. Pra të thuash dyfish ndërkohë që ne e kemi ulur fondin për arsyet negocimi, është e gabuar”, tha Denaj.

Ministrja pohon se mund të ketë përsëri rishikim të pagesave të koncesioneve nëse do të jemi në një situatë emergjente me pandeminë.

“Vetëm nëse do të kemi një situatë pandemie të njëjtë me këtë të këtij viti, padyshim që do të kemi një negocim, kemi gjetur gjuhën dhe do të negociojmë sërish, por jo për arsye të tjera”, deklaroi Denaj.

Sa i takon prioriteteve për tërheqjen e investimeve Denaj pohoi se mund të ketë edhe zona të lira ekonomike (zona ku nuk paguhen taksa nga biznesi) për të thithur investitorët.

“Ne po përpiqemi që të jemi një treg kompetitiv nëpërmjet kualifikimit të fuqisë punëtore për ato kompani të huaja që duan të sjellin industrinë e tyre në Ballkan.  Zonat e lira ekonomike janë pjesë e të njëjtit proces por duhet ta kuptojmë që nuk ndodh brenda një ditë dhe është i orientuar investimeve të huaja që do të sjellin në Shqipëri investitor që kanë interes për të investuar në zona të tjera ekonomike, por edhe në vendet e tjera. Shqipëria po lobon fuqishëm për të sjellë investitor”, thotë Denaj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?