Projektet ligjore/ Mazhoranca tërheq përkohësisht draftin për Korporatën e Investimeve

17 Korrik 2019, 07:22| Përditesimi: 17 Korrik 2019, 12:25

  • Share

Diskutimet e djeshme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë kanë shtyrë miratimin e projektligjit për Korporatën e Investimeve. Arben Elezi, nënkryetar i komisionit ka bërë me dije se ligji për korporatën e investimeve është shtyrë, me dakortësinë e opozitës dhe të maxhorancës. “Do të bëhet një komision duke u shqyrtuar nga ekspertët dhe dy përfaqësues të opozitës dhe maxhorancës. Do ta shqyrtojmë dhe çdo gjë do të bëhet në dobi të qytetarëve shqiptare, sepse ligji për Korporatën nuk ka trasparencë dhe nuk i shërben qytetarëve shqiptarë”- ka bërë me dije Elezi.

Ideja
Projektligji ka të bëjë me synimin për të krijuar një institucion të ri, detyra e të cilit është të menaxhojë pronat e shtetit nëpërmjet projekteve me interes kombëtar.
Korporata e Investimeve Shqiptare parashikohet që të krijohet si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione. Objekti i veprimtarisë së Korporatës është, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve. Sipas këtij drafti, kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i të drejtës së përdorimit dhe/ose i të drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata.

Për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga Shteti me infrastrukturë ndihmëse, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion. Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Vërejtjet
Projektligji është kontestuar nga ekspertë të ekonomisë, të cilët theksuan se ka risk për rritje te barrës së borxhit. “Defekti thelbësor i të gjithë kompanive shtetërore në Shqipëri është mungesa e disiplinës dhe respektimi i atyre që janë standardet e qeverisjes së mirë. Pasojat ekonomike që kanë prodhuar të gjithë korporatat shtetërore siç dihet kanë qenë thellësish negative. Nga kjo pikëpamje nuk gjykoj që kjo do të ishte një praktikë e rekomandueshme për Shqipërinë”, shprehet Selami Xhepa.

“Do të krijohej borxh ekstrabuxhetor, n.q.s korporata do hynë në marrëdhënie me sistemin bankar vendas mund të krijonte probleme për të transmetuar këto efekte në sistemin tonë të brendshëm bankar dhe për pasojë efekti i kësaj banke në zhvillimin e pronës shtetërore do të ishte më shumë i dëmshëm se do ta ndihmonte”, tha Selami Xhepa. Por pika më e debatueshme e draftit është se edhe pse do të jetë shtetërore, korporata e investimeve nuk do t’i bindet ligjit të prokurimeve publike, por do të qeveriset si një kompani private.

Por edhe institucione ndërkombëtare e kanë kundërshtuar atë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e muajit korrik, ka sugjeruar të rishikohet propozimi për këtë ligj. “Autoritetet po konsiderojnë krijimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) – një institucion zhvillimi që do të shfrytëzonte asetet shtetërore “të lira” duke përdorur institucionet financiare si dhe burime të tjera financimi. Detyrat e korporatës do të përfshijnë përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të investimeve në pronën shtetërore dhe financimin ose bashkëfinancimin e projekteve të tilla. Stafi fuqimisht u këshilloi autoriteteve që të rishikojnë propozimet për krijimin e AIC, për të shmangur rreziqet ndaj buxhetit dhe për integritetin e kuadrit të menaxhimit të investimeve publike.

Në formatin që është, projektligji do të lejonte qeverinë të drejtonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin AIC në një instrument shpenzues jashtë buxhetit, çka rrezikon të ulë disiplinën fiskale dhe të anashkalojë proceset e menaxhimit të investimeve publike. Në vend të kësaj, kuadri duhet të sigurojë që AIC do të veprojë në baza komerciale dhe të jetë një zgjatues i qeverisë. Ligji duhet të afirmojë pavarësinë e AIC në vendimet operative dhe në përzgjedhjen e projekteve individuale të investimeve. Stafi gjithashtu rekomandoi kufizimin e kontributit financiar të qeverisë në AIC më qartë në legjislacion dhe ta bëjë AIC subjekt të Ligjit të Prokurimit Publik.’- thuhej në raport.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?