Ekonomi

Projekti buxheti 2022 prezantohet te 'Ekonomia', ministrja e Financave: E nisëm me 1% rritje ekonomike në 2013, vitin e ardhshëm pritet 7.6%

1 Nëntor 2021, 10:05| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 19:51

  • Share

TIRANË-Në Komisionin e Ekonomisë është duke u diskutuar sot projektligji për Buxhetin 2022, i propozuar nga Qeveria.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, është shprehur gjatë fjalës së saj parashtruese se rritja ekonomike në vitin 2013 ishte vetëm 1%, dhe ka ardhur në rritje deri mbi 4% në vitin 2020. Tërmeti dhe pandemia stopuan këtë rritje të fortë, ndërkohë që projektbuxheti 2022 ka si prioritet rimëkëmbjen ekonomike pas dy goditjeve të mëdha.

"Për vitin 2021 presim rritje 7.6% dhe në vitin që vjen mbi 4%.  Produkti i Brendshëm Bruto për banor në vitin 2013 ka qenë në vlerën 466 mijë lekë, shkoi 568 mijë lekë në vitin 2020 dhe pritet që të jetë 661 mijë lekë për banor në vitin 2022. 563.8 miliardë lekë pritet që të jenë të ardhurat e vitit 2022.  Në vitin 2013, paga minimale ka qenë 22 mijë lekë dhe tani është 30 mijë lekë. Paga mesatare 45 mijë 961 lekë në tremujorin e parë të 2014, ka arritur në 56 mijë e 710 lekë në fund të këtij viti. Për të mbështetur rritjen e mëtejshme ekonomike, ne prezantojmë pr/buxhetin 2022 që është buxheti më i madh në histori. Ky dokument fokusohet  tek vijimi i reformave për rritje ekonomike dhe punësim, mbështetja e shtresave në nevojë, rritja e produktivitetit, forcimi i shtetit ligjor, digjitalizimi i ekonomisë, dhe projektet në infrastrukturë.  Konsumi do rritet me 2.6% në vit, dhe do kontribuojë me 2.4% në rritjen ekonomike, dhe investimet doi rriten 5.5% në vitet 2022-2024 duke kontribuar me 1.4% në vitet që vijnë", tha ministrja.

Ministrja tha se Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të ketë fond shtesë për plazhet.

"Do ketë 1 miliardë lekë garanci sovrane për turizmin dhe 500 milionë lekë për pastrimin e mjedisit. Do ketë dhe një garanci sovrane 1 miliardë lekë për manifakturën. Do të jepen 250 milionë lekë për start up!  27.45 miliardë lekë do të jepen për pushtetin vendor", tha ministrja.

Ora 13:18
Buxheti 2022 te ‘Ekonomia’, PD: Po talleni me bonusin e pensionistëve! Braçe: Ju i jepnit gjysmën e gjelit, ne një të plotë

Në Komisionin e Ekonomisë është duke u diskutuar sot projektligji për Buxhetin 2022, i propozuar nga Qeveria. Gjatë diskutimeve ka pasur debate mes PD dhe PS, ku për Arbi Agalliun qeveria tallet me 5 mijë lekë për pensionistët dhe se i ka cilësuar shpenzime luksi blerjen e kompjuterëve. Por menjëherë ka ndërhyrë Erion Braçe i cili tha se me burnusin e PD për pensionistët nuk mund të bloje as gjysmën e gjelit.

Pjesë nga debati
Arbi Agalliu: Në një situatë të tillë, janë  51.2 milionë euro janë shpenzime luksi?
Delina Ibrahimaj: Nuk janë shpenzime luksi, por kompjuter që janë të amortizuara. Ne po investojmë në sisteme dhe nuk mund të mos investojmë në kompjuteri. Nëse i konsideroni luksi, mund ta diskutojmë por ne do ju vendosim në dispozicion listën e produkteve që do të blejmë?
Arbi Agalliu: Bonusi prej 5 mijë lekësh për pensionistët është krejt qesharak sepse me një vlerë të tillë nuk mund të blihet as një gjel.
Erion Braçe: Po ju keni dhënë 10 mijë lekë dhe 25 mijë lekë ça do të blesh?
Arbi Agalliu: Ju ndaj e morët mandatin e tretë për të dhënë më shumë se 1 gjel. A ka ndonjë mundësi për rritje pensionesh përpos indeksimit? Po të llogarisësh rritjen e çmimeve të shportës, rritja është dhe më e lartë se indeksimi që do të bëni ju.
Delina Ibrahimaj: Ndjeshmëria për pensionistët është shumë e lartë kjo është arsyeja se përse bonusin nuk e kemi pjesë të rezervës por e kemi ligj. Nëse do kemi hapësira në buxhetin e viteve të ardhshme do të kemi një vëmendje të shtuar ndaj kësaj kategorie që është ndjeshme për të gjithë popullatën.

Ora 11:46
7 koncesione në projekt buxhetin 2022, ministrja: Janë vendosur si të mundshme, por kjo nuk do të thotë që do të bëhen patjetër

 

Në projektbuxhetin 2022 janë të parashikuara 7 koncesione të reja. Por në raportimin që ka bërë sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ministrja Ibrahimaj tha se në projektbuxhet janë vendosur si të mundshme për tu realizuar por jo se do të bëhen patjetër.

"7 koncesionet e reja të parashikuara në projektbuxhet, jo domosdoshmërish nisin vitin që vjen. Janë  një listë potenciale, që mund të vihen në zbatim, i kemi vënë në projektbuxhet me qëllim disiplinimin e koncesioneve. Për vitin që vjen për këto koncesione nuk është parashikuar mbështetje buxhetore, dhe mund edhe të mos fillojnë në 2022", tha ministrja.

Sipas relacionit të projektbuxhetit të vitit 2022 të depozituar sot në Kuvend, thuhet se janë 214,488 miliardë lekë është vlera e kontratave të reja të parashikuara për koncesionet. 

Behet fjalë për koncesionin e ndërtimit dhe operimit të aeroportit të Sarandës me 4,29 miliardë lekë, tenderi për këtë projekt dështoi për shkak se nuk pati asnjë ofertues.  Koncesioni i dytë që do të hapet është ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e portit të integruar ‘Triport Vlorë’ me 5,612 miliardë lekë.  Koncesioni më i kushtueshëm që pritet të hapet në vitin që vjen është dhënia me koncesion e një segmenti rrugor Milot-Fier në Autostradën Adriatiko-Joniane me 178,2miliardë lekë.  Një tjetër koncesion i përfolur edhe në vitin e kaluar është edhe ndërtimi i infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore me vlerë  20,295 miliardë lekë.  Ofrimi i shërbimit të infrastrukturës së çelësave publik është koncesioni tjetër 208.8 milionë lekë.  Do të jepet me koncesion përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe rekreative të blloqeve të banimit në disa lagje të qytetit Elbasan 882 milionë lekë dhe 5 miliardë lekë do të jenë për koncesionin e sigurisë rrugore.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?