Mbi 3 milionë euro do të merren nga buxheti i shtetit për të shpronësuar tokat ku do të ndërtohet projekti i Auto Moto Park në Elbasan.
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin, ndërsa fondi do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
Për realizimin e projektit të Auto Moto Parku, një projekt i dakordësuar me Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit puna tashmë ka nisur, për ta kthyer në një nga pistat më inovatore të botës, e gjatë 4444 m ku mund të arrihet shpejtësia e 349 km.h.
Ky projekt u prezantua në mars nga kryeministri Edi Rama, i cili premtoi që brenda vitit të ardhshëm do të jetë gati, ndërsa brenda 2030 do të mirëpresë mbajtjen e garave të Formula1, një garë që mund të ndiqet brenda Auto Moto Parkut nga 300 mijë tifozë dhe që ka një audiencë prej 1 milardë shikuesisht në botë.
Po ashtu, Auto Moto Park do të jetë një motor i ri ekonomik, ku përveç pistës që do të përdoret jo vetëm për Formula 1, përfshihen hapësira për panaire, muze, retro, qendra edukative motosporti dhe qendra edukimi për sigurinë rrugore.
Komente
