Zbutja e efekteve të krizës së energjisë pa gjatë vitit të shkuar masa nga më të ndryshmet të marra nga vendet në Europë por dhe më gjerë. Raporti i Sekretariatit të Energjisë që hedh dritë mbi këto masa dhe paketën e ndihmës që dha Bashkimi Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor nënvizon se rezultatet do të mund të jepen vetëm në fund të vitit. Kjo ka të bëjë me një analizë më të thelluar se ku shkuan 80 milionë euro që ka dhënë BE-ja për Shqipërinë dhe që lidhen direkt me zbutjen e efekteve socio-ekonomike të krizës.
Raporti sjell në vëmendje se Shqipëria vijoi të mbështesë kategoritë vulnerabël duke ju garantuar atyre një shumë modeste kompensimi dhe kjo ka të bëjë me familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike.
“Nuk ka skema të reja mbështetëse për klientët vulnerabël në Shqipëri të prezantuara më qëllim adresimin e krizës energjetike. Mbështetja buxhetore e Paketës së Mbështetjes për Energjinë synohet të ruajë rregullimin e çmimeve për të paktën 1,107,214 familje në nivelin ekzistues dhe për të mbështetur të paktën 11,200 konsumatorët vulnerabël nëpërmjet një mbështetjeje për furnizim me energji. Efektiviteti i paketës së mbështetjes së BE-së mund të vlerësohet pas finalizimit të veprimit (fundi i vitit 2023), kur të dhënat për fondet e disbursuara dhe arritjen e objektivat për të gjithë treguesit do të jenë të disponueshëm”, vlerëson raporti.
Një nga elementet që sillet në vëmendje në raportin e sekretariatit është politika e mbështetjes së familjeve për instalimin e paneleve diellorë për ngrohjen e ujit. Kjo edhe pse një nismë pozitive për eficiencën nuk targeton familjet nëse familjet janë apo jo në nevojë. Referuar shifrave të bëra publike në raportin e Sekretariatit vetëm në vitin 2022 u shpenzuan 1.7 milionë euro për këtë politikë teksa për një vit të plotë shpenzimet do të kapnin vlerën e 8 milionë eurove.
Projekti parashikon që kjo mundësi t’ju ofrohet të paktën 20 mijë familjeve nga të cilat 2 mijë morën këtë shërbim në vitin 2022. Projekti parashikonte subvencionimin e një vlere prej 70 për qind të instalimit teksa kompanitë që ofronin shërbimin u përzgjodhën përmes një procesi shprehjeje interesi dhe vlerësim oferte./Monitor