Projekti i targave
Dështon vendosja
e “çip”-ave nëpër automjete

10 Mars 2016, 00:14| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Ministria e Transporteve konfirmoi dje tërheqjen e kompanisë së interesuar për koncesionin e vendosjes së pajisjeve elektronike në targat e automjeteve. “Grupi i vlerësimit po ndjek procedurat e përcaktuara në ligj pas tërheqjes së kompanisë,” tha zëdhënësi i Ministrisë, Arbër Hitaj. Pak kohë më parë, Porta Saber Albania propozoi që të vendosej në targa çipi elektronik IVIS, që mundëson regjistrimin automatik të çdo makine që është duke qarkulluar në rrugë, në çdo moment të ditës dhe të natës.

Sistemi parashikohej të gjeneronte alarme të veçanta për makinat që nuk i ishin nënshtruar kontrollit teknik, makinat e vjedhura apo ato që nuk kishin paguar taksat vjetore. Sipas studimit, sistemi inteligjent i identifikimit të makinave mund të realizonte gjithashtu matjen non-stop të shpejtësisë dhe matjen e shpejtësisë mesatare të automjeteve, etj.
 
Kompania
Porta Saber Albania është një kompani e re, e themeluar më 20 prill 2015 në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, QKR, që administrohet nga Fitnete Sulaj-sipërmarrëse e hershme në fushën e Sigurimeve dhe presidente e një shoqate të quajtur “Këshilli Kombëtar i Sigurisë Rrugore”. Kompania zotërohet në 80 për qind të aksioneve nga Gentian Sula, djali i administratores, ndërsa 20 për qind të aksioneve i ka kompania portugeze Porta Saber, e cila zotëron edhe të drejtën e tregtimit të targave elektronike.

Porta Saber Albania është regjistuar me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh në QKR, me objekt kryesor “prodhim dhe printim targash, me ose pa mjete elektronike të identifikimit…”.
E njohur si drejtoreshë ekzekutive e kompanisë së sigurimeve Intersig, Fitnete Sulaj në shkurt 2014 ajo organizoi një tryezë për rritjen e sigurisë në rrugë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.
 
Kërkesa
Ndonëse një subjekt me të dhëna shumë të kufizuara financiare, Porta Saber Albania premtonte se do të investonte rreth 6.2 milionë euro në pesë vitet e para të koncesionit, por do të merrte mbrapsht 95 milionë euro në 35 vitet e operimit të tij. Porta Saber Albania parashikonte në studimin e saj që brenda tre vitesh të pajisë me çip elektronik targat ekzistuese, të cilat llogariten 360 mijë në total, po t’u referohesh automjeteve që janë në përdorim. Pas tre viteve të para, kompania parashikonte të instalonte çdo vit 40 mijë çipe për makinat që hyjnë rishtaz në qarkullim.

Sipas studimit, çdo çip i instaluar i kushtonte shtatë euro kompanisë dhe 48 euro qytetarit. Diferenca e madhe në çmim justifikohet me kostot shtesë për blerjen e 200 lexuesve të të dhënave, që do të instaloheshin në rrugët e Shqipërisë, ngritjen e një qendre të kontrollit me vlerë 120 mijë euro dhe blerjen e makinave apo pagesat për stafin që do të realizojë projektin.
 
Privatësia
Përveç kostove ekonomike, projekti i targave me çip ngrinte pikëpyetje serioze mbi ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave personale i kërkoi garanci shtesë kompanisë, në mënyrë që projekti të ishte në përputhje me ligjin. Teknologjia e gjurmimit elektronik të makinave ka joshur në të shkuarën autoritete të vendeve perëndimore si ato britanike apo amerikane, por projektet janë kundërshtuar gjerësisht për shkak se ato u mundësonin qeverive përgjimin e çdo lëvizjeje të shtetasve të tyre.

I vetmi model të cilit mund t’i referohet qeveria shqiptare është ai i Azerbajxhanit-një vend autokratik, që ka aplikuar deri më tani dhënien me koncesion të targave me çip. Në studimin e fizibilitetit të kompanisë Porta Saber Albania, çështja e të dhënave personale dhe cënimi i privatësisë zinte një vend fare të vogël në parashikimet voluminoze për koncesionin.
===========

Raporti vjetor, BSH: Shqipëria, ekonomi me bazë shërbimetRritja nuk ka qenë as e qendrueshme dhe as e njëtrajtëshme në vitet nga 2000 deri në 2015
Shërbimet janë sektori kryesor i ekonomisë shqiptare dhe pikërisht për këtë mbeten aktiviteti ekonomik që kreditohet më shumë nga bankat. Ndërkohë, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje përgjatë gjithë periudhës 2000-2015, por kjo rritje nuk ka qenë e njëtrajtshme dhe e qëndrueshme. Ritmi i rritjes u ngadalësua, nga një mesatare prej rreth 6% deri në vitin 2008, në një mesatare prej rreth 2.3% pas këtij viti. Këto janë disa nga konkluzionet e raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015, që është depozituar tashmë në Kuvend.

Banka referon se periudha 2000-2008 përjetoi një rritje rreth potencialit të ekonomisë. Faktorët kryesorë që nxitën rritjen në këtë periudhë kanë qenë zhvendosja e burimeve nga sektorë më pak produktivë (bujqësi) drejt atyre më produktivë të ekonomisë (shërbime dhe ndërtim), adoptimi në rritje i teknologjisë, mbështetja e lartë me kredi bankare, por edhe baza e ulët nga e cila nisi rrugën rritja ekonomike. Rritja ekonomike e kësaj periudhe u mbështet nga nivele të larta investimi dhe konsumi privat, ndërkohë që aktiviteti eksportues mbeti i dobët.
Prej vitit 2009, ekonomia e vendit është vënë nën trysninë e pasigurive të shtuara si pasojë e krizës financiare dhe asaj të borxheve në vendet e BE-së. Ajo ka përjetuar ngadalësim të zgjatur, të shoqëruar me paqëndrueshmëri të ritmeve të rritjes.

Kjo goditje evidentoi edhe shpërpjesëtimet sektoriale që kishin karakterizuar ritmet e larta të rritjes deri para vitit 2009. Ekspansioni i shpejtë i ndërtimit deri në vitin 2009, sidomos në segmentin rezidencial, u pasua me një rënie të menjëhershme të kërkesës për to. Për rrjedhim, sektori i ndërtimit u karakterizua nga tkurrja e aktivitetit dhe ndikoi negativisht në rritjen ekonomike deri në fund të vitit 2014.

Por edhe sektorët e shërbimeve shënuan gjithashtu një ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes, kryesisht pas vitit 2010. Raporti referon se Industria u zhvillua duke shfrytëzuar më shumë avantazhet konkurruese në termat e kostove të ulëta të punës, se sa rritjen e produktivitetit. Bujqësia vijoi të reflektojë vështirësitë e trashëguara nga problemet e ndarjes dhe të pronësisë mbi tokën, të fragmentarizimit dhe të informalitetit, të mungesës së tregjeve të organizuara për tregtimin brenda dhe jashtë vendit, të investimeve relativisht të izoluara në rajone dhe nënsektorë të caktuar të saj. Ajo mbetet një degë me peshë të konsiderueshme në punësim, ndonëse në rënie përgjatë viteve, ndërkohë që pesha e saj në vlerën e shtuar bruto vlerësohet rreth 20%.

Në përgjithësi, sektorët prodhues si industria, bujqësia dhe ndërtimi nuk kanë arritur të zgjerohen për të dominuar strukturën e vlerës së shtuar në ekonomi. Kjo e fundit mbizotërohet nga sektorët e shërbimeve të cilët kanë rritur edhe peshën në punësim gjatë periudhës 2011-2014.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?