Ky është imazhi që do të ketë Ambasada Italiane në Tiranë. Vendi do të jetë po i njëjti, në fashën e dytë të objekteve arkitekturore të Bulevardit. Projekti i studios italiane ARS, u prezantua pranë ‘Politeknikut’, ku edhe u inicua nisma. Është përzgjedhur përmes një gare, ku pati 28 propozime.
Objekti, investim i Ministrisë së Jashtme Italiane do të vijë si një seli e vetme. Pjesë e tij do të jenë, Ambasada Italiane, Instituti Italian i Kulturës dhe Agjencia për promovim jashtë Italisë dhe Ndërkombëtarizimin e Sipërmarrjeve Italiane.
“Më duhet ta them, se pamë shumë projekte të bukura, por ne ishim shumë kërkues, sepse kjo nuk është një ambasadë çfarëdo. Italia është vendi më i rëndësishëm në Shqipëri, një pikë referimi. Kështu Ambasada e re duhet të ishte dhe do të jetë një ndërtesë ikonike, që të shpalosë më të mirën e Italisë, idenë se çfarë përfaqëson Italia në botë, e veçmas në Shqipëri. Duhet të ishte një ndërtesë e bukur, por edhe simbolike.”, u shpreh Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.
Është konceptuar si një urë lidhëse mes dy vendeve. Nuk do të ofrojë thjesht siguri institucionale, por do të ketë një qasje më sociale ndaj shqiptarëve edhe në arkitekturë.
“Sfida e dytë për ne ishte se si të kombinonim zgjedhjen e volumit, gjuhës arkitektonike, materialet, që të përfaqësonin kulturën e ndërtimit dhe traditën italiane dhe në të njëjtën kohë të konceptonim një ndërtesë që integrohet në shpirtin e vendit.”, u shpreh arkitekti dhe Administratori i Deleguar i A.R.S.
Transparenca, hapja e objektit tej kufirit aktual, harmonizimi i elementëve tradicionalë të ndërtimit italian, dhe përshtatja me realitetin shqiptar deri edhe në ulje të konsumimit energjetik përmes paneleve diellore janë disa nga detajet.
Projekti i prezantuar para studentëve në kuadër të Javës Italiane, do të zbatohet në një të ardhme të afërt.