Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, njëherësh drejtues politik i njësisë 1 në Tiranë, komentoi akuzat e opozitës se projekti për Ish Uzinën e Autotraktorëve do të përbëjë rrezik. Sipas tij, opozita po përpiqet të kthejë komunitetin kundër këtij projekti të rëndësishëm, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë arsye për t'u shqetësuar pasi nuk do të prodhohen bomba dhe eksplozivë.
Sipas tij, projekti do të zbatohet sipas standarteve më të larta të sigurisë teknike dhe mbrojtjes së mjedisit
“Jemi këtu për ndërtimin e një impianti të teknologjisë të lartë mes kompanisë Kayo dhe Timak, përfshin investim serioz në teknologji moderne dhe inovative për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe uniformave me cilësi të lartë për FA dhe Policinë. Investim i rëndësishëm ekonomik për mbarë vendin por për njësinë 1 projekt transformues, që do të sjellë zhvillim dhe hap vende pune. Ky projekt është veç një nga dhjetëra projekte transformuese, pjesë e vizionit Shqipëria 2030. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, edhe për projekte të tjera që kanë transformuar këtë vend, edhe ky projekt po sulmohet sot nga opozita, e cila vetë s’ka as ide dhe vizion, po përpiqen ta kthejnë komunitetin kundër punëve të mira që përbëhen përmes mashtrimeve dhe gënjeshtrave.
Jam i vetëdijshëm që shumë banorë mund të jenë të shqetësuar nga keqinformimet që janë përhapur lidhur me këtë projekt, ndaj si përfaqësues i juaj, dua t’iu siguroj se s’ka asnjë gjë për t’u shqetësuar këtu do të prodhohen automjete dhe uniforma dhe jo bomba e eksploziv. Shkoza s’ka asnjë arsye për t'u shqetësuar por çdo arsye për të mirëpritur këtë projekt që do të zbatohet sipas standarteve më të larta të sigurisë teknike dhe mbrojtjes së mjedisit.”, tha Hoxha.
Lajmi kryesor:
Ish-Uzina e Autotraktorëve do kthehet në fabrikë për prodhimin e mjeteve ushtarake, Rama ironi me kritikët: S’do të ketë asnjë shpërthim! Rijetëzojmë infrastrukturën e vjetër
Xh.D/ReportTv.al
