Kisha e Shna Ndout, një vend pelegrinazhi për mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria së fundmi është vendosur në qendër të polemikave. Projekt i Provincës Françeskane për transformimin e kishës ka nxitur reagimin e priftit të kësaj kishe dhe komunitetit laçian.
“Jemi kundër këtij projekti, sepse një bodrum nuk mund të jetë kishë, sepse nuk quhet kishë, por më tepër një resort, dmth ruhet kjo kisha e vjetër e vogël pa u prish, prishet sheshi dhe krejt, prishet kuvendi. Si është bërë, janë pak a shumë 2 mln euro plus dhe në fund bëhet një bodrum për kishë, pra nuk është kishë, nuk i ka parametrat”, u shpreh Frati, Ndue Toplana.
Provinca Françeskane ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se kisha ekzistuese nuk do të preket por do të ndërtohet një katedrale e re mbi tokë dhe një vend për lutje poshtë saj.
“Kisha e Shna Ndout në Laç-Sebaste do t'i nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor. Kisha ekzistuese nuk do të cënohet, ajo ruhet e paprekur nga projekti. Nuk do të ketë një kishë në bodrum, por do të ketë një vend lutje që në terminologjinë kishtare quhet Kripta, dhe mbi të do të ngrihet Kisha e re. Nuk do të ketë asnjë humbje vlerash në projektin e ri, përkundrazi jemi të bindur se projekti do të jetë vitalizues për Kishën”, thuhet ne deklaratë.
“Projekti është miratuar nga një komision i posaçëm i strukturave të Provincës Françeskane ecuria e tij mbikëqyret nga Kuria Gjenerale në Romë që është Enti epror i Provincës Françeskane, ndërkohë jemi në pritje prej 3 vitesh të miratimit të lejes zhvillimore”, shkruhet me tej.
Pavaresisht polemikave, ende nuk dihet data e fillimit të punimeve, pasi Provinca Franceskane thotë se prej tre vitesh eshte në pritje të miratimit të lejes zhvillimore nga Bashkia e Kurbinit.
Komente
