Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se në Berat është finalizuar me sukses projekti për ndarjen e mbetjeve në burim, me qëllim rritjen e riciklimit të tyre.
Rama shkruan në rrjetet sociale se ky model duhet të përhapet në gjithë vendin. Më tej kryeministri thekson se kjo iniciativë ka bërë që Berati të kalojë nga modeli “merr-përdor-hidh”, në një ekonomi ku mbetjet kthehen në materiale të vlefshme për industrinë qarkulluese.
Në postimin e tij, kryeministri ka ndarë edhe fjalën e ministrit të Mjedisit Sofjan Jaupaj, i cili thekson se reforma për menaxhimin e mbetjeve është një pikë kryesore në grupkapitullin e 27 të negociatave për integrimin në BE.
Ndërsa po ashtu Jaupaj thekson se e ka ndjekur personalisht projektin në Berat.
Postimi i plotë i Ramës:
Në Berat është finalizuar me sukses projekti për ndarjen e mbetjeve në burim, me qëllim rritjen e riciklimit, duke krijuar një shembull të suksesshëm që vlen për t’u përhapur në gjithë vendin.
E përqafuar nga qytetarët dhe bizneset, kjo iniciativë ka bërë që Berati të kalojë nga modeli “merr-përdor-hidh”, në një ekonomi qarkulluese, ku mbetjet kthehen në materiale të vlefshme për industrinë, siç ka ndodhur me mbi 120 ton letër apo mbi 8,6 ton plastikë të llojeve të ndryshme, të cilat janë shitur përmes ankandeve sipas çdo standardi ndërkombëtar
Reforma në menaxhimin e integruar të mbetjeve do të sigurojë gjithë investimet e nevojshme në Qarkun e Beratit, nga impiantet e diferencimit, të kompostimit dhe të trajtimit të ujërave të ndotura e deri te pika fundore, duke mbyllur një herë e mirë venddepozitimet e paligjshme të mbetjeve.
Komente
